Ndërlidhjet

Vazhdojnë luftimet e ashpra në Gjeorgji


Pasojat e sulmeve ajrore të aeroplanëve rusë në Gjeorgji, 9 Gusht 2008
Pasojat e sulmeve ajrore të aeroplanëve rusë në Gjeorgji, 9 Gusht 2008

Abkhazia ka ndërmarrë operacione luftarake kundër forcave të Gjeorgjisë, ndërkohë që në Osetinë Jugore vazhdojnë përleshjet e armatosura ndërmjet forcave ruse dhe atyre gjeorgjiane. Rusia tha se ka nën kontroll kryeqendrën e Osetisë dhe njoftoi për 1500 të vdekur. Presidenti George Bush bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Abkhazia, rajoni separatist i Gjeorgjisë, tha sot se ka filluar operacione ushtarake për të detyruar trupat gjeorgjiane që të largohen nga gryka Kodori. Njoftimin e bëri ministri i Jashtëm i Abkhazisë, Sergei Shamba. Ai tha se është përdorur artileria. Më herët, pati raporte për bombardime nga aeroplanët luftarakë të Rusisë në zonën në fjalë.

Ndërkohë, forcat e Gjeorgjisë dhe ato të Rusisë po vazhdojnë përleshjet e armatosura në rajonin gjeorgjian të Osetisë së Jugut. Rusia tha se ka nën kontroll kryeqendrën e Osetisë dhe njoftoi për 1500 të vdekur. Dy nga aeroplanët ushtarakë rusë janë rrëzuar gjatë luftimeve.

Komandanti i forcave ruse në teren, Vladimir Boldirev tha se ushtarët e tij e kanë "çliruar plotësisht" kryeqendrën e Osetisë së jugut Çinvali, duke i dëbuar forcat gjeorgjiane jashtë qytetit. Pretendimet ruse nuk mund të konfirmohen nga burime të pavarura.

Presidenti rus Dimitri Medvedev gjatë ditës u takua me ministrin e mbrojtjes. Medvedev tha se paqeruajtësit rusë dhe forcat e tjera që ishin nën kontrollin e tyre "po kryenin një operacion që do ta detyronte Gjeorgjinë të bënte paqe".

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov duke folur para mediave të huaja në Moskë, tha se 1500 njerëz kanë vdekur gjatë luftimeve në Osetinë e Jugut. Shefi i diplomacisë ruse nënvizoi se ata që i ofrojnë armatim Gjeorgjisë janë pjesërisht përgjegjës për dhunën.

Presidenti i Gjeorgjisë Mihail Sakashvili e akuzoi Rusinë për nisjen e "invazionit të hapur ushtarak" ndaj vendit të tij. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, vendeve mike dhe aleatëve të Gjeorgjisë në mbarë botën t'i bëjnë thirrje Rusisë që menjëherë t'i ndërpresë armiqësitë. Saakashvili i akuzoi forcat ruse për "spastrim etnik".

"Trupat ruse, tanket ruse që kanë hyrë në Osetinë Jugore, gjatë rrugës së tyre kanë dëbuar popullatën etnike gjeorgjiane nga Osetia Jugore. Ata kanë bërë spastrim etnik në të gjitha zonat që i kontrollojnë në Osetinë Jugore", tha Saakashvili, duke e akuzuar Rusinë për sulme të qëllimshme të civilëve në mbarë vendin.
Më herët, ai tha se do t'i kërkojë parlamentit që të shpallë gjendje të luftës në gjithë vendin. Gjeorgjia gjithashtu tha se do të kthejë kontigjentin prej 2.000 ushtarësh që shërbejnë në Irak.

Gjeorgjia ka akuzuar Rusinë se aeroplanët luftarakë rusë kanë hedhur bomba dhe në qytetin port të Potit dhe në disa caqe të tjera në territorin gjeorgjian. Kjo në mënyrë jo të drejtpërdrejtë pranohet dhe nga shefi i diplomacisë ruse, Lavrov, i cili theksoi se çdo pjesë e Gjeorgjisë që përdoret si bazë për të sulmuar caqe në Osetinë e Jugut nuk do të jetë e sigurtë.

Duke folur në Pekin, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush tha se është "thellësisht i shqetësuar" lidhur me situatën në Osetinë Jugore, dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Ai gjithashtu e përkujtoi Rusinë se Gjeorgjia është shtet sovran.

"Gjeorgjia është shtet sovran dhe integriteti territorial i saj duhet të respektohet. Ne kemi bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të dhunës dhe qetësim të trupave. Ne bëjmë thirrje për dhënien fund të bombardimeve ruse dhe kthimin e palëve në status-quonë e 6 gushtit", tha presidenti amerikan.
Bush tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë me partnerët e tyre për të ndërmarrë një ndërmjetësim ndërkombëtar.

Në San Diego të Kalifornisë, kandidati presidencial senatori demokrat Barack Obama e dënoi dhunën në Gjeorgji dhe kërkoi ndëprerje të menjëhershme të aksioneve të armatosura. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me Këshillin e Sigurimit të KB dhe organizmat tjerë ndërkombëtarë që konfliktit t'i jepet fund.

"Ajo që është e qartë është se Rusia e ka sulmuar dhe e ka cënuar sovranitetin e Gjeorgjisë. Integriteti territorial i Gjeorgjisë duhet të ruhet, dhe tash është koha për bisedime direkte mes palëve të ndryshme në emër të stabilitetit", tha Obama.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë Petras Vaitekunas e akuzoi Rusinë për "shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare" me aksionet e saj në Gjeorgji. Ai tha se forcat ushtarake ruse "i kanë tejkaluar të gjitha vijat e kuqe duke shkelur kufirin e njohur ndërkombëtarisht për të hyrë në territorin e Gjeorgjisë". Vaitekunas tha se aksionet e Moskës do të kenë "pasoja të rënda" për marrëdhëniet Euro-Atlantike me Rusinë.

Ukraina i ka bërë thirrje Rusisë që t'i tërheqë forcat e saj nga Osetia Jugore. Deklarata i bën thirrje Moskës që "ta tërheqë ushtrinë nga territori i Gjeorgjisë, të shfaqë vetëpërmbajtje në veprimet e saj dhe të ushtrojë ndikimin e nevojshëm te regjimi separatist në Çinvali, me qëllim që palët të rikthehen në tavolinën e bisedimeve".

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në një mbledhje të jashtëzakonshme diskutoi situatën në Gjeorgji, por nuk arriti të marrë një qëndrim të përbashkët. Takimi vazhdon dhe sot.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, ka paralajmëruar Rusinë dhe Gjeorgjinë se aktet kundër civilëve në Osetinë Jugore mund të përbëjnë krime të luftës, dhe u bëri thirrje të dyja palëve që njerëzit e thjeshtë t'i mbajnë jashtë konfliktit.
XS
SM
MD
LG