Ndërlidhjet

Paqartësi rreth tërheqjes nga Osetia Jugore


Forcat gjeorgjiane janë tërhequr nga pozicionet në rajonin separatist të Osetisë Jugore, gjatë luftimeve të ashpëra me trupat ruse.

Nuk është ende e qartë nëse tërheqja gjeorgjiane përfshin vetëm kryeqytetin separatist Tshinvali, apo gjtihë territorin e Osetisë Jugore. Zyrtarët japin të dhëna të ndryshme lidhur me këtë.

Ministri i Gjeorgjisë për Rintegrim Temur Yakobashvili tha se trupat gjeorgjiane kanë lëshuar Tshinvalin sot dhe korrespondenti i agjencisë Reuters në kufirin me Osetinë Jugore raportoi se kolona e gjatë e veturave ushtarake ka lëvizur pas në territorin e kontrolluar nga Gjeorgjia.

Yakobashvili tha se trupat gjeorgjiane mbesin në zonat tjera të Osetisë Jugore. Ai tha se tërheqja do të ndihmojë krijimin e korridorit humanitar për evakuimin e të plagosurve nga Tshinvali.

Qyteti është shkatërruar nga betejat e ashpëra që nga e premtja, kur trupat gjeorgjiane nisën ofensivën për të marrë nën kontroll Osetinë Jugore.

Më herët, Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se ka tërhequr të gjitha forcat e saja nga Osetia Jugore, ku ditët e fundit kishin qenë të përfshira në luftime me trupat ruse.
XS
SM
MD
LG