Ndërlidhjet

OKB: Uashingtoni e fajëson Rusinë për përshkallëzimin e luftimeve


Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mbrëmë vonë, u disktua për situatën në konfliktin ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë, lidhur me rajonin separatist, Osetia Jugore. Zëvendës ambasadori amerikan, Alejandro Wolf, e bëri të qartë se Uashingtoni e fajëson Rusinë për përshkallëzimin e luftimeve. Ai tha se "ky është konflikt, që po zgjerohet dhe po del jashtë kontrollit" dhe shtoi se "shkaku është përshkallëzimi masiv i kryer nga forcat e jashtme".

- Ne patëm një depërtim në Gjeorgji dhe sulme kundër Gjeorgjisë nga Rusia, me ç'rast u përdorën bombarduesit strategjikë, u bombarduan fshatrat dhe portet, u bombarduan aeroportet, që ishin jashtë rajonit të Osetisë Jugore. Poashtu dëgjuam se ka zhvillime trazuese në rajonin e Abkhazisë në Gjeorgji, ku ka pasur bombardime dhe aktivitete ushtarake. Ky është konflikt që po zgjerohet dhe po del jashtë kontrollit, tha Alehandro Wolf.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, e akuzoi Gjeorgjinë për kryerje të gjeoncidit dhe pastrim etnik. Mëtutje ai foli edhe për mënyrën se si mund të ndalet konflikti, sipas Moskës:

- Ekziston mënyra e drejtpërdrejt për ta ndalur luftimin, për ndaljen e vrasjeve, për gjeorgjianët që të tërhiqen dhe pastaj të kemi një marrëveshje të nënshkruar për mos përdorim të forcës. Pastaj, ne mund të flasim për një varg të çështjeve të tjera, përfshirë marrëveshjet ushtarake dhe politike, tha Vitaly Churkin.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, nëpërmjet të një kumtese nga zyra e tij, është shprehur i alarmuar për intensifikimin e luftimeve në Gjeorgji dhe i shqetësuar për përhapjen e dhunës.

Ai kërkoi ndaljen e menjëhershme të armiqësive dhe një zgjidhje paqësore për këtë konflikt.

"Sekretari i përgjithshëm është i alarmuar nga përshkallëzimi i armiqësive në Gjeorgji, që kanë rezultuar me një numër të madh të viktimave dhe me shkatërrime masive në Osetinë Jugore dhe në rajonet e tjera, të Gjeorgjisë, thuhet në kumtesë.
XS
SM
MD
LG