Ndërlidhjet

Khalilzad: Rusia t'i shqyrtoj implikimet e agresionit


Ambasadori amerikan në OKB, Zalmay Khalilzad, tha se ai "së shpejti do ta paraqesë një propozim rezolutë në Këshillin e Sigurimit me të cilën bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm" ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë, në konfliktin lidhur me Osetinë Jugore. Ai mëtutje tha se për këtë çështje po konsultohej me kolegët e tij në Këshillin e Sigurimit.

Në diskutimin e tij në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit, ambasadori Khalilzad kërkoi "që të ndërmerret aksion urgjent, që fton për armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të të gjitha forcave në gjendjen status-kvo", që ishte para se të fillonin luftimet në Osetinë Jugore.

Në veçanti, ai theksoi nevojën që Moska t'i tërheq trupat e saj luftarake, që i kishte dërguar në Osetinë Jugore, gjatë kësaj jave. Zoti Khalilzad mëtutje tha:

- Kërkoj nga Federata Ruse që me kujdes t'i shqyrtoj impikimet e këtij agresioni kundër shtetit sovranm dhe demokratik të Gjeorgjisë. Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe me të tjerët në Bashkësinë ndërkombëtare do të dëmtohen nga sulmi i vazhdueshëm kundër Gjeorgjisë dhe nga refuzimi për të kontribuar për zgjidhjen paqësore të krizës, tha Zalmay Khalilzad.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, tha se ajo që është parë në terren dallon nga ajo çka po thonë zyrtarët e Gjeorgjisë. Duke u shprehur për mundësinë e përkeqësimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara, ambasadori Churkin tha:

- Nuk mendoj se ne jemi në rrezik, që në ndonjë mënyrë, t'i shkatërrojmë raportet tona me SHBA-të. Kjo është çështje serioze dhe kuptohet, Shtetet e Bashkuara, ndjehen shumë të prekura për këtë çështje, pasi gjatë disa viteve ka ekzistuar një involvim i fuqishëm i SHBA-ve në punët e Gjeorgjisë. Ka të atillë që mund të mendojnë se, aktualisht, SHBA-të e inkurajuan Gjeorgjinë, që ta ndërmarrë këtë aventurë të pamatur, tha Vitaly Churkin.

Këto komente u bënë në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që është e katërta me radhë gjatë tri ditëve të fundit, në kuadër të përpjekjeve për të arritur pajtueshmëri për ftesë për armëpushim në këtë konflikt.

Moska ka akuzuar vendet Perëndimore për qëndrim pro Gjeorgjisë në këtë konflikt dhe ka thënë se kjo mund t'i dëmtoj marrëdhëniet e ardhshme të këtyre vendeve me Rusinë.
XS
SM
MD
LG