Ndërlidhjet

logo-print

Debat i tensionuar në Këshillin e Sigurimit mbi Gjeorgjinë

  • Nik Krastev

Takimi i KS-së mbi Gjeorgjinë, 10 Gusht 2008

Takimi i KS-së mbi Gjeorgjinë, 10 Gusht 2008

Gjatë diskutimeve të tensionuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar njëra tjetrën mbi qasjen agresive të Moskës në operacionet e saj ushtarake në Osetinë Jugore dhe bombardimet në Gjeorgji.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad ia ka tërhequr vërrejtjen Rusisë se vazhdimësia e sulmeve kundër shtetit sovran të Gjeorgjisë do të ndërlikojë marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Moskës.

“I bëj thirrje Federatës Ruse që me kujdes të marrë në konsideratë pasojat e këtij agresioni kundër shtetit demokratik dhe sovran të Gjeorgjisë. Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar mund të ndikohen nga ky sulm i vazhdueshëm kundër Gjeorgjisë dhe nga refuzimi i Moskës që të kontribuojë në zgjidhjen paqësore të krizës”, ka thënë zoti Khalilzad.

Duke i komentuar veprimet e Rusisë në Gjeorgji, ambasadori amerikan ka shfrytëzuar një fjalor më të ashpër se në tre takimet e kaluuara mbi këtë çështje.

”Ne duhet ta dënojmë sulmin ushtarak të Rusisë kundër një shteti sovran siç është Gjeorgjia, shkeljen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të një shteti, përfshirë këtu edhe sulmet kundër civilëve dhe fushatën e terrorit kundër popullatës gjeorgjiane. Njëkohësisht, duhet të dënojmë edhe shkatërrimin e infrastrukturës gjeorgjiane”, ka thënë ambasadori Khalilzad.

Komentet e tij e kanë zemëruar homologun e tij rus, Vitaly Churkin, i cili është kundërpërgjigjur duke thënë se akuzat se Rusia po terrorizon popullatën civile janë tërësisht të papranueshme.

"Tani, më lejoni të them diçka për deklaratën e zotit Khalilzad rreth të ashtuquajturit terror kundër popullatës civile. Një deklaratë e këtillë, i nderuari zoti Khalilzad, është absolutisht e papranueshme; mbi të gjitha, kur vjen nga një përfaqësues i një vendi, veprimet e të cilit në raport me popullatën civile në Irak, Afganistan e madje edhe në Serbi janë të njohura mirë”, ka thënë zoti Churkin.

Ai madje ka pasur një kriticizëm edhe më të ashpër kundër homologut të tij gjeorgjian, Irakli Alasania, i cili e ka akuzuar ushtrinë ruse për një fushatë përmasash të gjera të bombardimeve në Gjeorgji.

"I hedh poshtë kategorikisht supozimet se jemi duke zhvilluar operacione të përmasave të gjera. Zoti Alasania ka shkuar aq larg sa të marrë për bazë një deklaratë të një robi lufte të Rusisë, një pilot, i cili gjatë marrjes në pyetje ka thënë se është udhëzuar që të shtiejë gjithandej. Një argument i këtillë është thjesht blasfemi dhe i turpshëm, veçanërisht kur bëhet gjatë një sesioni të hapur të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë ambasadori rus.

Ndryshe, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka bërë thirrje të vazhdueshme për të gjitha palët e përfshira që të tregojnë vetëpërmbajtje, por thirrjet e tij deri më tash nuk kanë pasur ndonjë ndikim.
Ambasadori amerikan, Zalmay Khalilzad, ndërkaq ka thënë se Shtetet e Bashkuara së shpejti do t’ia prezantojnë Këshillit të Sigurimit një projekt-rezolutë, për një armëpushim të menjëhershëm midis Gjeorgjisë dhe Rusisë.

Konflikti ruso-gjeorgjian pritet të jetë në qendër të agjendës së Këshillit të Sigurimit edhe gjatë kësaj jave.
XS
SM
MD
LG