Ndërlidhjet

logo-print

"Kosova s'ka asnjë lidhje me Gjeorgjinë"


INFOPRESS
Hiqeni nga koka nëse ndonjëri prej jush ka menduar i shqetësuar se tensioni i krijuar ditëve të fundit në rajonin separatist të Gjeorgjisë, Oseti Jugore, mund të ndikojë negativisht në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet tjera. Analistë politikë në Kosovë shprehen të prerë se nuk ka kurrfarë lidhjeje në mes Kosovës dhe çështjeve që ndodhin atje. Rruga nëpër të cilën Kosova ka ardhur deri këtu, sipas tyre, është krejt tjetër dhe se argumentet ligjore ndërkombëtare janë në anën e Kosovës. Disa herë Rusia dhe Serbia ishin shprehur se pavarësimi i Kosovës do të mund të nxiste tensione në rajone separatiste nëpër botë. Por, këtyre deklarimeve u kishin dalë në ballë qëndrimet e prera të Perëndimit, SHBA-së dhe institucioneve të Kosovës, se rasti i tashëm i shtetit më të ri në botë është krejt i veçantë. Analisti Milazim Krasniqi shprehet i prerë në deklarimin e tij në lidhje me këtë. Madje, ai thotë se rasti i Kosovës është tërësisht i veçantë dhe, sipas tij, elemente të tilla nuk do të mund të ndikojnë në stopimin e njohjeve tjera për Kosovën. "Këto janë raste të ndara. Kosova nuk ka lidhje me asnjë rajon tjetër. Nuk ka kurrfarë lidhjeje pasi që Kosova në rrugën e shtet-formimit ka ndjekur rrugën e kushtetutshmërisë", shprehet Krasniqi...

KOHA DITORE
Konflikti i armatosur në mes Gjeorgjisë dhe Rusisë në rajonin separatist të Osetisë Jugore veç të tjerash është komentuar si një përgjigje ruse ndaj njohjes unilaterale të pavarësisë së Kosovës nga Perëndimi, kanë shkruar mediat e huaja, të dielën. Gazeta prestigjioze londineze "The Guardian" ka raportuar se politikat e Perëndimit në ish-Jugosllavi, sikurse bombardimi i aleatit rus - Serbisë dhe njohja e Kosovës - janë interpretuar në Rusi si një kartë e bardhë e saj që të dominojë Kaukazin. Sa duhet fajësuar Perëndimin dhe veçanërisht SHBA-në për këtë luftë dhe sa bartin këta përgjegjësi, pyet kjo e përditshme. Sipas saj, para pavarësisë së Kosovës kishte fjalë nga burime të larta zyrtare se Rusia i pati kërkuar SHBA-së që pavarësia e Kosovës të shfrytëzohej si precedent edhe në dy provincat autonome të Gjeorgjisë: Oseti Jugore dhe Abkhazi, në mënyrë që ajo mos ta bllokonte me veto një rezolutë në KS të OKB-së për krijimin e shtetit të Kosovës. Megjithëkëtë, ajo më tutje argumenton se Rusia dhe Gjeorgjia janë përplasur për Osetinë e Jugut me ose pa pavarësinë e Kosovës, pasi që kjo çështje është zier për vite të tëra. Ambiciet e Gjeorgjisë për t'u integruar në Aleancën Veri-atlantike, NATO, janë shpjeguar si elementi kryesor i kësaj lufte nga shumë analistë. Komentatori Steve Clemons argumenton se qysh kur Kosova e ka shpallur pavarësinë më herët gjatë këtij viti, shanset për përplasjet në rajonin e provincës së Gjeorgjisë janë rritur në mënyrë dramatike...

EXPRESS
Shumica e partive parlamentare në vend pritet që në vjeshtën e hershme t'i hyjnë procesit të brendshëm zgjedhor, duke paralajmëruar njëherësh edhe ndryshime kadrovike dhe statutore. Muaji më i preferuar i tyre për mbajtjen e kuvendeve zgjedhore, ndërkaq, është tetori. Tri subjektet opozitare -AKR, AAK dhe LDD- tashmë janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme. Mirëpo, e njëjta gjë nuk po ndodh edhe në dy subjektet që aktualisht udhëheqin vendin, PDK dhe LDK, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy vjet qysh kur këto parti kanë mbajtur kuvendet e fundit zgjedhore. Nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa, thotë se çështja e zgjedhjeve të brendshme pritet të diskutohet në Kryesi. Kuvendin e fundit zgjedhor, PDK e ka mbajtur në vitin 2006. "Gjatë muajit shtator, pritet të diskutohet nga Kryesia e partisë, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet. Këtë vit, mendoj se mund të mbahet ndonjë kuvend i punës, por jo Kuvend Zgjedhor", ka thënë Mustafa për Express, të dielën. PDK, në fillim të këtij viti kishte filluar një proces zgjedhor nëpër degët e saj, Mirëpo, sipas Rrustem Mustafës, ky proces është ndërprerë deri ne një vendim tjetër të organit ekzekutiv të partisë - Kryesisë...

KOSOVA SOT
Ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner, gjatë javës së ardhme pritet të vizitojë Beogradin. Temat e bisedimit që Kushner do të ketë me zyrtarët serbë ende nuk janë përcaktuar. Por, jozyrtarisht, sipas mediave serbe, bëhet e ditur se Kushner do të përsërisë kërkesën që Serbia të heqë dorë nga synimi që Gjykata Ndërkombëtare të kërkojë vlerësimin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, pritet që vizita e Kushnerit të jetë një formë presioni i Beogradit që të heqë dorë nga kërkesa drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare. Këtë kërkesë, Kushner do ta bëjë edhe si kryesues i BE-së, por edhe nga pozicioni i ministrit të Jashtëm të Francës që ai ka. Elita politike serbe, edhe pse në dukje nuk është unike në raport me Kosovën dhe BE-në, ajo ka një synim, minimin e njohjes së mëtejme të shtetit të ri. I ashtuquajturi bllok pro-perëndimor, i kryesuar nga presidenti Boris Tadiq, si qëllim strategjik ka hyrjen sa më thellë të Serbisë ne BE, ku nga njëra anë të shfrytëzojë fondet evropiane dhe nga ana tjetër të vazhdojë luftën diplomatike për Kosovën...

LAJM
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe Kushtetuta e Kosovës janë dy dokumente që nuk mund të bashkëjetojnë njëra me tjetrën. Në këtë situatë, ka kohë që kanë filluar përplasjet në qëndrime ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës. "Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe Qeveria e vendit janë dy mekanizma që veten e shohin të plotfuqishme në Kosovë, pavarësisht faktit që gjendja në terren është krejtësisht ndryshe", komenton situatën "Deutsche Welle". Qeveria, fuqinë e saj e bazon në Kushtetutën e Kosovës, e cila u miratua gati dy muaj më parë, ndërkohë UNMIK-u pohon se ende ka fuqi ekzekutive, sepse vepron në bazë të Rezolutës 1244, e cila vazhdon të jetë në fuqi në Kosovë. "Në një situatë të tillë, ka kohë që kanë filluar përplasjet në qëndrime ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë". Shefi i UNMIK-ut, Lambero Zannier, thotë se ai i ka përgjegjësitë ekzekutive, mirëpo vendimet e tij përpiqet t'i marrë duke siguruar mbështetje në një masë të mundshme të pranuar që mos të zemërojë udhëheqësit politikë të Kosovës. "Përgjegjësitë ekzekutive janë dhe unë shoh hapësirë për përdorimin e tyre, përgjegjësi kryesisht në fushën e rendit dhe të ligjit. Unë i zbatoj ato, mirëpo në konsultim të vazhdueshëm me autoritetet e Prishtinës apo me ndonjë palë tjetër", thotë Zannier. Mirëpo, Qeveria e Kosovës, nga ana e saj, rolin e UNMIK-ut në Kosovë e sheh të përfunduar...

ZËRI
Formimi i institucioneve të reja dhe plotësimi i vendeve boshe nëpër postet nënministrore, pret kthimin e kryeministrit dhe të kryesive të PDK-së e LDK-së nga pushimet e verës. Nga institucionet e reja, Ministria e Jashtme ka filluar të plotësohet, por nuk është e kompletuar dhe vazhdon të funksionojë pa shërbimin e vet diplomatik, Ministria e Forcës së Sigurisë ka të emëruar vetëm ministrin, ndërkaq ende nuk ka asnjë emërim për shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Ndërkohë, PDK-së i mbetet të nominojë zëvendësministrin e Jashtëm, që, sipas disa njoftimeve ende jo zyrtare, thuhet se do të jetë Ramadan Avdiu. Kurse, LDK do të emërojë zëvendësministrin e Forcës së Sigurisë dhe atë të Tregtisë e Industrisë. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Fadil Ferati, i ngarkuar me çështjet organizative në këtë parti, tha dje se tani kur është nominuar ministri i Forcës së Sigurisë, edhe LDK-ja do të dalë me kohë me nominimin e vet për zëvendësministrin."Ne në LDK aktualisht jemi në pushimet e verës, që i kemi shpallur për muajin gusht, por nëse paraqitet si çështje urgjente, do të dalim dhe do të japim nominimin tonë", tha Ferati. Ndërkaq, lidhur me zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, ku LDK e kishte zëvendësministrin Naser Osmani, por ai qe shkarkuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Ferati tha se Kryesia e LDK-së pret së pari disa sqarime, para se të marrë vendimin tjetër...

BOTA SOT
Para dhjetë ditësh, në fshatin Kelmend (Lipe), që pa dëshirën dhe vullnetin e vetë banorëve të fshatit, është ndarë komuna e Mitrovicës dhe tani i takon komunës së Zveçanit, të administruar nga serbët, është hapur një nënstacion policor. Zyrtarët policorë patën thënë me këtë rast se nënstacioni policor në këtë fshat është hapur pas shqyrtimit të kërkesave të parashtruara nga komuniteti i këtij fshati dhe me aprovim të Zyrës së komisarit për krijimin e nënstacioneve të policisë, pranë komandës kryesore në Prishtinë, bazuar në rregulloren e UNMlK-ut 2005/54 dhe Ligjit të Policisë së Kosovës. "Hapja e nënstacionit policor në Lipë është përgjigje ndaj ftesës dhe kërkesave të komunitetit të kësaj ane për këtë nënstacion dhe njëherësh paraqet edhe përmbushje të nevojave policore për mbulim më të mirë operativ të terrenit", ishte thënë nga zyrtarët e policisë me rastin e hapjes së nënstacionit. Ky nënstacion, i cili në bazë të strukturës komanduese i përgjigjet stacionit policor të Zveçanit, do të punojë për një kohë me orar një ndërrimi, në orët e paradites, por më vonë do të shqyrtohen mundësitë që nënstacioni të jetë në funksion në dy ndërrime të plota, ku do të punojnë në një ndërrim nga dy oficerë policorë...

EPOKA E RE
Këshilli Organizativ i Protestave për largimin e maunave me helm nga qyteti i Mitrovicës, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave, njëkohësisht shkarkimin e përgjegjësve për dërgimin e atyre maunave në atë vend. "Ministri i Ambientit, Bekim Çollaku, që ka urdhëruar që maunat të dërgohen në Mitrovicë dhe drejtori i Trepçës, i cili ka bërë pranimin e këtyre materialeve, duhet te shkarkohen", ka thënë Xhelal Sveqla, nga Këshilli Organizativ i Protestave. Ai, po ashtu, po në këtë kontekst, ka shtuar se është e çuditshme se si është liruar pronari i "Prizma Oil", i cili, sipas tij, është një ndër fajtorët se ky material ka ardhur në Kosovë. "Ai është liruar pa kurrfarë shpjegimi nga prokuroria. Kjo jo vetëm që është e çuditshme, por edhe frikësuese. Kjo dëshmon për një lidhje shumë të fortë të qarqeve të larta me këtë firmë. Ne presim që gjitha këto gjëra të sqarohen dhe fajtori të dënohet", është shprehur ai. Sipas tij, ky material duhet sa më shpejt të largohet nga Kosova. "Siç ka ardhur edhe duhet të shkojë nga Kosova”, ka thënë ai. Sveqla ka thënë se është kërkuar nga zyrtarët që të vërtetohet se shkatërrimi i maunave nuk është i rrezikshëm...

XS
SM
MD
LG