Ndërlidhjet

Saakashvili: Invadim që përkujton vitet ’79 dhe ‘68


Mikheil Saakashvili
Mikheil Saakashvili

Ky invadim (rus ndaj Gjeorgjisë) që përkujton Afganistanin e vitit 1979 dhe Pranverën e Pragës të vitit 1968 kërcënon të minojë stabilitetin e sistemit të sigurisë ndërkombëtare, shkruan në Wall Street Journal, kryetari i Gjeorgjisë, Mikhel Saakashvili.


Të premten, qindra tanke të Rusisë depërtuan në territorin e Gjeorgjisë, ndërsa aeroplanët rusë bombarduan aeroportet, bazat dhe portet e Gjeorgjisë. Ka shumë të vrarë dhe të plagosur. Ky invadim, që përkujton Afganistanin e vitit 1979 dhe Pranverën e Pragës të vitit 1968 kërcënon të minojë stabilitetin e sistemit të sigurisë ndërkombëtare.

Pse kjo luftë? Është një pyetje që e bën populli i Gjeorgjisë. Lufta nuk është zgjedhje e Gjeorgjisë.

Këtë luftë e ka përgatitur Rusia. Më herët, këtë vit, Rusia tentoi të provokojë Gjeorgjinë, duke aneksuar territorin tonë tjetër separatist, Abkhazinë. Pas reagimit tonë të qetë, Rusia barti luftimet në Osetinë Jugore.

Kjo luftë ka të bëjë me një konflikt të pazgjidhur, por para së gjithash ka të bëjë me pavarësinë dhe ardhmërinë e Gjeorgjisë. Dhe, mbi të gjitha, është luftë për Evropën, në të cilën do të jetojnë fëmijët tanë. Lufta ka të bëjë me ardhmërinë e lirisë në Evropë.

Asnjë vend tjetër në ish-Bashkimin Sovjetik nuk ka bërë progres më të madh drejt konsolidimit të demokracisë, çrrënjosjes së korrupsionit dhe bërjes së një politike të jashtme të pavarur, sesa Gjeorgjia. Dhe pikërisht këto të arritura, Rusia dëshiron t'i asgjësojë.

Ky konflikt ka të bëjë me vlerat e përbashkëta trans-atlantike të lirisë dhe demokracisë. Ka të bëjë me të drejtën e një populli të vogël për të jetuar i lirë.

Për vite të tëra kemi punuar që në rrugë paqësore të sjellim Abkhazinë dhe Osetinë Jugore brenda suazave të Gjeorgjisë, gjithnjë duke mbrojtur të drejtat dhe interesat e banorëve të këtyre territoreve.

Për shumë vite me radhë kemi ofruar bisedime të drejtpërdrejta me liderët e Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë, duke u ofruar autonominë më të gjerë të mundshme brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Gjeorgjisë.

Por, Rusia që ka kontroll efektiv mbi separatistët, është përgjigjur me politikën e aneksimit. Kremlini madje ka emëruar oficerë sigurie të Rusisë për të armatosur dhe drejtuar qeverinë e vetëshpallur separatiste. Në vend se të ishte një ndërmjetësuese e ndershme, Rusia u bë pjesë e drejtpërdrejtë e konfliktit dhe tash agresor i hapur.

Dhe, derisa Evropa ka zgjeruar institucionet e veta të sigurisë deri në Detin e Zi, qeveria ime apelon te komuniteti perëndimor dhe veçanërisht te qeveritë dhe institucionet evropiane që të luajnë rol prijës në zgjidhjen e këtij konflikti. Esenciale për zgjidhjen është zëvendësimi i strukturave të vjetra, të krijuara para dy dekadave dhe të dominuara nga Rusia me një angazhim të vërtetë ndërkombëtar.

Por, Evropa është duke qëndruar e distancuar dhe për pasojë Rusia shkallëzon provokimet. Miqtë tanë në Evropë na sugjeruan përmbajtjen, duke pohuar se diplomacia do ta bëjë të veten. Ne pasuam këshillat e tyre, por ofertat tona për paqen u refuzuan.

Moska dëshironte luftën. Në prill të këtij viti, Rusia filloi t'i trajtojë Abkhazinë dhe Osetinë Jugore si krahina ruse. Miqtë tanë në Perëndim sërish na këshilluan që të tregoheshim të matur dhe ne ashtu vepruam. Nën pretekstin e forcave paqeruajtëse, Rusia dërgoi trupa paramilitare dhe artileri të rëndë në Abkhazi.

Provokimet e përsëritura synonin provokimin e luftës në Gjeorgji. Kur të gjitha ato dështuan, Kremlini ktheu vëmendjen te Osetia Jugore, duke urdhëruar shkallëzimin e sulmeve ndaj pozicioneve të Gjeorgjisë. Qeveria ime këtij veprimi iu përgjigj me armëpushim të njëanshëm, ndërsa separatistët filluan të sulmojnë popullatën civile, ndërsa tanket ruse kaluan kufirin e Gjeorgjisë.

Ne nuk patëm zgjidhje tjetër pos të mbrojmë civilët (tanë) dhe të rivendosim rendin. Moska këtë e shfrytëzoi si pretekst për invadim në shkallë të gjerë të Gjeorgjisë.

Ditëve të kaluara, Rusia ka zhvilluar një sulm total ndaj Gjeorgjsië. Tanket e saj kanë hyrë në Osetinë Jugore, ndërsa aeroplanët kanë bombarduar jo vetëm bazat ushtarake të Gjeorgjisë, por gjithashtu edhe infrastrukturën civile dhe ekonomike, duke përfshirë edhe shkatërrimin e portit Poti në Detin e Zi. Tash janë duke u zhvilluar sulm ndaj Abkhazisë.

Çfarë rrezikon kjo luftë?

Fillimisht, ardhmërinë e vendit tim. Populli i Gjeorgjisë ka folur me zë të lartë dhe të qartë: ata e shohin ardhmërinë e tyre në Evropë. Gjeorgjia është një komb i vjetër evropian i lidhur me Evropën përmes kulturës, civilizimit dhe vlerave.

Në janar, tre të katërtat e gjeorgjianëve votuan (në referendum) për anëtarësimin e vendit në NATO. Këto synime nuk janë të negociueshme; aktualisht ne jemi duke paguar çmimin e ambicieve tona demokratike.

Së dyti, e sfiduar është edhe ardhmëria e Rusisë. A mundet Rusia, e cila bën luftëra agresive ndaj fqinjëve, të jetë partner i Evropës? Është krejt transparente se udhëheqja e tashme e Rusisë anon nga rikthimi i formave neokoloniale të kontrollit mbi gjithë hapësirën që dikur kontrollohej nga Moska.

Nëse Gjeorgjia bie, kjo do të thotë rënie e Perëndimit në gjithë hapësirën ish-Bashkimit Sovjetik dhe përtej. Liderët në vendet fqinje të Gjeorgjisë (në Ukrainë, Kaukaz dhe Azi qendrore) do të mendojnë nëse çmimi që duhet paguar për lirinë dhe pavarësinë, është shumë i lartë.

XS
SM
MD
LG