Ndërlidhjet

Cërvenkovski refuzon dekretimin e ligjeve


Branko Crvenkovski
Branko Crvenkovski

Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do t’i dekretojë ligjet e miratuara nga shumica parlamentare në mungesë të opozitës. Ai ka shprehur gatishmëri të firmosë vetëm ligjin për gjuhën shqipe, i cili u miratua edhe nga LSDM-ja, por jo edhe nga PDSH-ja, me të cilën Cërvenkovski kishte arritur marrëveshje paraprake për të mos e dekretuar. Këto zhvillime, sipas ekspertëve juridikë, thellojnë krizën institucionale, ndërsa konstatojnë edhe shkelje të Kushtetutës nga presidenti i vendit.

Ende nuk është e qartë nëse presidenti i Republikës, Branko Cërvenkovski, do t’i nënshkruajë ligjet e miratuara për herë të dytë nga Kuvendi republikan. Herën e parë, presidenti refuzoi të dekretojë ligjet me arsyetim se këtë e bën për të rikthyer opozitën në Kuvend, pas një marrëveshjeje paraprake që kishte arritur si me LSDM-në, ashtu edhe me PDSH-në.

Cërvenkovski, edhe tani pas miratimit të dytë të ligjeve, refuzon nënshkrimin e tyre, ku bën pjesë edhe ligji për përdorimin e gjuhës shqipe. Të premten ka skaduar afati kushtetues, kur kreu i shtet duhet të vë firmën e tij në aktet e miratuara ligjore dhe nëse këtë ai nuk e bën, ligjet edhe nuk mund të zbatohen.

“Asnjëherë nuk kam dëgjuar raste në të drejtën kushtetuese krahasimore që ndonjë kryetar shteti t’i vë veto ndonjë ligji me arsyetimin se këtë e bën për të kthyer opozitën në Kuvend”, thotë Gordana Siljanovska, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Shkup.

Ajo konsideron se presidenti është i obliguar t’i nëshkruajë ligjet e miratuara.

“Kjo për faktin se Kushtetuta mjaft mirë i përcakton afatet për shpalljen e ligjeve. Pra, brenda tetë ditëve duhet të përfundojë procedura e dekretimit të tyre”, shprehet Siljanovska.

Nëse këtë nuk e bën presidenti, atëherë, sipas saj, kriza politike në vend do të thellohet edhe më tej.

“Në të kundërtën, nëse shkelet Kushtetuta, unë kam frikë se raportet e tensionuara mund të përfundojnë me ngritjen e vetëbesimit për presidentin. E tërë kjo situatë është si pasojë e mungesës së komunikimit të mirëfilltë mes dy institucioneve më të larta në vend”,
vlerëson ligjëruesja universitare, Gordana Siljanovska.

Por, disa ekspertë të tjerë konsiderojnë se nuk ka rrezik nga thellimi i krizës institucionale, pasi afati prej shtatë ditëve vlen vetëm pasi presidenti të ketë njoftuar kryetarin e Kuvendit, nëse do t’i nënshkruaj ose jo ligjet e miratuara nga shumica parlamentare.

Presidenti këtë e ka bërë para shkuarjes në pushime. Ai ka njoftuar kryeparlamentarin se nuk e ka ndërmend të dekretojë ligjet, kësaj radhe për shkak të, siç ka thënë, shkeljes së procedurave gjatë miratimit të tyre.

E ndërkohë, mungesa e presidenti ka bërë që ai për çdo ditë të përballet me akuza nga më të ndryshmet nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Gruevski, e cila, veç tjerash, e akuzon Cërvenkovskin edhe për nxitje të kriminalitetit në vend, me rastin e faljes së një përfaqësuesi të lartë të LSDM-së, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe malverzime financiare.
XS
SM
MD
LG