Ndërlidhjet

S'ka lëvizje për kthimin e doganave në veri


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Autoritetet nuk japin ndonjë afat kohor se kur do të kthejnë funksionin e e pikave doganore në veri, të cilat u dogjën nga serbët dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë humbjet nga mungesa e këtyre pikave doganore vlerësohet të jenë rreth 2 milionë euro në muaj.


Asnjë lëvizje për kthimin e dy pikave doganore në veri, të cilat u mbyllën pas protestave të serbëve dy ditë pas shpalljes së pavarësisë. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci thotë se kjo çështje nuk i përket me vetëm doganave, meqë sipas tij tashmë kthimi i doganave ka kaluar në nivele të larat politike.

"Çështja e kthimit të doganave në veri nuk është çështje e doganave, por është problem politik dhe është problem sigurie, ne i kemi të gatshme të gjitha resurset për t'u kthyer në ato pika", tha Stavileci.

UNMIK-u i cili vazhdon të mbikëqyre doganat, nuk ka ide se kur do të kthejë në funksion dy pikat doganore në veri.

"Fatkeqësisht nuk kemi ndonjë gjë të re, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm z Zannieri do të ishtë shumë i lumtur që këto pika të hapen sa më shpejt që të jetë mundur", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksandër Ivanko.

Çështja e doganave është paraparë të jetë temë diskutimi mes Prishtinës e Beogradit në kuadër të gjashtë fushave të propozuara nga sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon. Por, as në këtë drejtim duket se nuk ka gatishmëri për t;u zgjidhur çështja e doganave në veri.

"Do të ishte shumë mirë sikur Prishtina të fliste direkt me Beogradin, autoritetet e Beogradit hezitojnë ta bëjnë këtë, kjo nuk ka qenë temë diskutimi në takimin e fundit me z Bogdanoviq, kështu që një takim tjetër është planifikuar për shtator. Shpresohet që kjo çështje të ngrihet në atë takim, por aktualisht nuk ka asgjë të re", thotë Ivanko.

Që nga 19 shkurti kur dy pikat doganore në të ashtuquajturën porta 1 dhe 31 u dogjën nga protestuesit serbë vlerësohet se humbjet nga mbledhja e tatimeve për një muaj shkojnë deri në 2 milionë euro. Adriatik Stavileci shpjegon më shumë.

"Nuk ka përllogaritje të saktë sepse nuk ka të dhëna se çka futet në Kosovë nga këto vendkalime kufitare, por një vlerësim nga burimet tjera 1.5 deri ne 2 milione humbje ne taksa gjatë një muaji", tha Stavileci.

Në anën tjetër humbjet i konfirmon edhe Aleksandër Ivanko.
"Mungesa e doganave, do të thotë mungesë e të hyrave, më pak para shkojnë në buxhet dhe ky është problem. Janë disa pika mobile të doganave që mund të ndihmojnë deri në një masë, por jo aq sa po të funksionin pikat në veri.

Ndryshe, ekspertet e ekonomisë pohojnë se tregu i zi dhe kontrabanda e mallit është rritur si rezultat i mosmenaxhimit të kufijve nga ana e Shërbimit Doganor të Kosovës, që nga muaji shkurt. Shumë njerëz tashmë janë angazhuar në këtë ekonomi të zezë, duke fituar nga kontrabandimi i mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë, pa iu nënshtruar procedurave të rregullta doganore.
XS
SM
MD
LG