Ndërlidhjet

Vazhdon pushtimi rus i Gjeorgjisë


Pamje nga demonstratat kundër pushtimit rus të Gjeorgjisë, 11 Gusht 2008
Pamje nga demonstratat kundër pushtimit rus të Gjeorgjisë, 11 Gusht 2008

Burimet ruse konfirmojnë pushtimin e qytetit gjeorgjian të Senakit, që nuk gjendet në rajonet separatiste. Tbilisi zyrtar tha se rusët kanë pushtuar dhe qytetin e Gorit. Presidenti Saakashvili, kishte tërhequr vërejtjen se marrja e Gorit, i hap rrugë pushtimit të Tbilisit.

Gjeorgjia ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë pasi forcat ruse kanë hyrë thellë në territorin e Gjeorgjisë.

Apeli vjen në kohën kur trupat dhe artileria ruse ka hyrë në perëndim të Gjeorgjisë nga rajoni separatist i Abkazisë. Trupat ruse kanë marrë kontrollin e një baze ushtarake gjeorgjiane.

Presidenti i Gjeorgjisë tha se forcat ruse e kanë ndarë vendin përgjysëm duke vënë nën kontroll autostradën kryesore lindje-perëndim.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se operacionet ushtarake ruse kanë arritur në qytetin e Senakit. Burimet ruse thanë se kjo lëvizje është e domosdoshme për të parandaluar forcat gjeorgjiane që të ndërmarrin sulme të reja kundër Osetisës së jugut dhe Abkazisë.

Por burimet ruse mohuan se kanë pushtuar qytetin e Gorit, i cili gjendet 45-50km larg kryeqendrës së Osetisë së Jugut. Lajmi për pushtimin e Gorit u bë publik nga burimet zyrtare gjeorgjiane.

Luftime për Gorin janë zhvilluar dhe gjatë ditës së djeshme, thotë presidenti Saakshvili. Duke folur për rëndësinë e Gorit presidenti i Gjeorgjisë, gjatë një konference për shtyp tha:

"Një betejë e ashpër po zhvillohet në afërsi të qytetit të Gorit. Dje forcat ruse u përpoqën të merrnin qytetin, i cili ka rreth 100 mijë banorë dhe gjendet 45-50km larg kryeqendrës së Osetisë së Jugut. Marrja në dorë e këtij qyteti do t'i kishte hapur rrugën tankeve ruse drejt kryeqytetit Tbilisit."

Më tej ai shtoi:
"Rusia e bëri të qartë se cili është qëllimi i këtij operacioni. Qëllimi nuk është vetëm të aneksojë pjesë të Gjeorgjisë, por të ndryshojë llojin e qeverisjes në Gjeorgji", tha presidenti Saakashvili.

Edhe ndihmës nënsekretari amerikan i Shtetit Mathew Bryza, i cili ka mbërritur sot në Gjeorgji, tha se forcat ruse e kanë përgatitur me kohë planin për pushtimin e Gjeorgjisë.

"Ne dëgjuam se trupat ruse të hekurudhave hynë në Abkazi disa muaj më parë në mision humanitar. Tani ne e dimë të vërtetën pse këto forca ishin atje. Forcat ruse ishin atje për të ndërtuar hekurudhën që do të lejonte transportin e municioneve dhe paisjeve të tjera ushtarake që do ndihmonin pushtimin rus", tha Bryza.

SHBA-të kanë deklaruar se qëllimi i Rusisë është ndryshimi i qeverisë në Gjeorgji. Udhëheqja aktuale gjeorgjiane synon anëtarësimin në strukturat euroatlantike, çfarë kundërshtohet nga Moska.

Edhe kandidati presidencial republikan John McCain ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të frikësojë fqinjët, pasi kanë zgjedhur rrugën e lirisë dhe demokracisë.

"Çfarëdo lloj tensionesh që kanë ekzistuar mes gjeorgjianëve dhe osetianëve, ato në asnjë mënyrë nuk justifikojnë rrugën e dhunshme që zgjodhi Moska. Veprimet ruse janë shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, shkelje që nuk kanë vend në shekullin e XX-të", tha McCain.

Më tej ai shtoi se "vendimi i NATO-s që të mos t'i ofrojë Gjeorgjisë Planin e Veprimit për Anëtarësi mund të jetë parë nga Rusia si dritë e gjelbër për sulmet kundër Gjeorgjisë."

Një takim i jashtëzakonshëm NATO-Rusi sipas të gjitha gjasave do të mbahet nesër, njoftoi zëdhënësja e Aleancës.
Takimi në nivel ambasadorësh zhvillohet me kërkesën e Rusisë, sipas së cilës çdo vendim i NATO-s duhet të merret në këshillim me Rusinë. Edhe shefja e diplomacisë së Gjeorgjisë takohet nesër me zyrtarët e NATO-s në Bruksel.
XS
SM
MD
LG