Ndërlidhjet

“Modeli i Bërçkos s’mund të aplikohet në Kosovë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Përfaqësues të institucioneve të vendit e kanë kundërshtuar të hënën deklaratën e ish-të dërguarit të posaçëm të BE-së për Kosovën, ambasadorit Wolfgang Petritsch, i cili në një intervistë për BBC-në ka deklaruar se "fryma në zgjidhjen e çështjes së Bërçkos ishte diçka që mund të jetë e aplikueshme edhe për Mitrovicën". Përveç që është cilësuar si deklaratë, e cila mund të nxisë serbët për ta destabilizuar Kosovën, ajo është vlerësuar edhe si matje e pulsit të kosovarëve për shkak të pasivitetit të institucioneve të vendit për ta zgjidhur çështjen e Mitrovicës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka theksuar se deklaratat e tilla i përkasin politikës së ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq. "Logjika e ndarjeve etnike dhe e ndarjeve të tjera administrative, duket që nuk ka funksionuar dhe ka qenë shembull i keq. Logjika e ndarjeve etnike u ka takuar viteve '90 që e ka instaluar ndoshta politika e Milosheviqit. Është koha e integrimeve etnike, rajonale etj", ka deklaruar Kuçi, duke reaguar ndaj idesë së hedhur nga Petritsch...

ZËRI
Administrata e UNMIK-ut fillon reduktimet e veta, që deri në vjeshtën e këtij viti parashihet të arrijnë në shkurtesën e 70 për qind të stafit aktual. Reduktimi i stafit të misionit të UNMIK-ut do të fillojë këto ditë, thonë zyrtarë të kësaj administrate. Shkurtesat në stafin e administratës ndërkombëtare pasojnë vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki- Mun, për rikonfigurimin e UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë kuadër, administrata e Kombeve të Bashkuara do të reduktohet deri në fund të tetorit në rreth 30 për qind të personelit që aktualisht punon aty, përfshirë stafin ndërkombëtar dhe vendor. Kjo, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut, do të thotë se rreth 600 zyrtarë do të vazhdojnë të mbeten në Kosovë si pjesë e misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut dh do të largohen nga Kosova gradualisht deri në muajin tetor. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, tha dje se tashmë ka filluar edhe identifikimi i departamenteve, me të cilat do të fillojnë shkurtesat në stafin e vet, duke veçuar fillimisht shkurtesat në Departamentin e Administratës Civile, në Zyrën për Kthim dhe Komunitete dhe në disa departamente tjera, ku UNMIK-u nuk do të ketë rol në Kosovë...

KOSOVA SOT
Ndërkohë që situata luftarake është ende e paqartë, mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, kjo e fundit, (padrone tradicionale e osetiano-jugorëve) ka filluar një luftë paralele propagandistike dhe mediatike. Kjo nuk do ta bëjë më të lehtë gjetjen e një zgjidhjeje politike në këtë konflikt. Ndoshta konflikti mund të çojë edhe më tej procesin e të huajëzimit mes Perëndimit dhe Rusisë. Presidenti gjeorgjian, Sakashvili, e paraqet ndërmarrjen e veprimeve ushtarake kundër regjimit në Osetinë jugore si një aksion legjitim. Dhe, nga njëri këndvështrim juridik nuk është se nuk ka të drejtë, sepse formalisht Republika e Osetisë jugore, e panjohur ndërkombëtarisht, i përket shtetit të Gjeorgjisë, edhe pse Tbilisi faktikisht e ka humbur kontrollin aty që prej 15 vjetësh. Banorët ndërkohë kanë të gjithë pasaporta ruse. Interesante të ndjekësh se si Sakashvili, si argument për ofensivën ushtarake përdor të njëjtat parulla me të cilat Rusia ka justifikuar ndërhyrjen e saj në Çeçeni. Sipas Sakashvilit, ndërhyrja ruse në Osetinë Jugore është deklarim lufte ndaj Gjeorgjisë dhe një përzierje në çështjet e brendshme të një shteti sovran fqinj. Ai shpreson në mbështetjen e Perëndimit, veçanërisht të amerikaneve, kundër agresorit rus, sipas tij...

EPOKA E RE
Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka hedhur poshtë të hënën mundësinë që pakënaqësia e Prishtinës, për shkak të deklaratave të shefit të UNMIK-ut, ta sjellë ndërrimin e tij. Deklaratat e Zanierit, se ekziston mundësia e formimit të policisë serbe në kuadër të Policisë së Kosovës, me autonomi speciale në zinxhirin komandues, si dhe vendosjen e doganave sipas modelit të Hong-Kongut, kanë shkaktuar kritika të ashpra në Prishtinë, të cilat kanë shkuar edhe deri në tërheqjen e vërejtjes që, nëse vazhdon kështu, ai mund të bëhet person i padëshirueshëm në Kosovë. Ivanoviq, mediave serbe u ka thënë se shqiptarët "nuk fshihen dhe në çdo mënyrë dëshirojnë ta shfaqin pakënaqësinë dhe shqetësimin", sepse shumë po flitet për pavarësinë për të cilën ata kanë menduar se është punë e kryer dhe kanë besuar se vetëm Rusia është kundër saj. Ai ka vlerësuar se, megjithatë, një sjellje e tillë më nuk mund të kalojë...

EXPRESS
Ish-shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Paul Acda, tash tri ditë ka ndaluar punëtorët e AKM-së, tash Agjencia Kosovare e Privatizimit, të futen në objektin e tyre. Askush nuk po mund t’i bjerë në fije se pse insiston Acda rreth kësaj pune. Për këtë është alarmuar edhe Qeveria e Kosovës, e cila tashmë iu ka drejtuar ICO-së për ndihmë të zgjidhjes së këtij problemi... Problemin kryesor Acda e ka me drejtuesit e UNMIK-ut në lidhje me kompetencat e menaxhimit të doganave. Acda është caktuar që pasi ta lëshojë vendin e tij si shef i Shtyllës IV dhe të AKM-së, si pjesë e stafit të EULEX-it, të udhëheqë me mbikëqyrjen e doganave. Acda ka qenë drejtor i doganave, thuajse prej themelimit të këtij institucioni. Për shkak të kaosit organizativ dhe të kompetencave, UNMIK-u dhe ICO-ja nuk po mund të merren vesh se kush do të udhëheqë me Shërbimin Doganor, në këtë periudhë transitore. E tash Acda, duke mos e pasur të qartë rolin e tij të ardhshëm, e ka bllokuar AKM-në, tash e njohur si Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ai ka mbyllur të gjitha dyert e AKM-së, duke mos i lënë punëtorët t'i kryejnë detyrat e tyre...

BOTA SOT
Këshilli i Sigurimit nuk ka arritur as në përpjekjen e katërt me radhë gjatë katër ditëve të shkuara për një konsensus lidhur me ndërprerjen e konfliktit që po rrëshqet në një luftë midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, në një debat tri-orësh, ku Shtetet e Bashkuara akuzuan Moskën për fushatë terrori dhe përpjekje të ndërrimit të pushtetit legjitim në Tbilisi. Ambasadori amerikan, Zalmaj Khalilzad, tha se zyrtaret rusë kanë kërkuar ndërrimin e presidentit të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili. Ambasadori i Rusisë, Vilalij Churkin, tha se ndërrimi i pushteteve të vendeve ishte një 'praktikë amerikane' ndërsa shtoi se nganjëherë disa liderë bëhen 'pengesë e së ardhmes paqësore.' Akuza kundër Moskës bëri edhe ambasadori i Gjeorgjisë në Kombet e Bashkuara, Irakli Alasania, duke thënë se deklarata e Churkinit konfirmonte synimet e Rusisë që përmes agresionit ushtarak dhe okupimit të ndërrojë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Gjeorgjisë...

LAJM
Janë rreth dy mijë maune me prodhime bujqësore të kontraktuara për t'u eksportuar nga Kosova në tregun rumun, por Serbia ka bllokuar këtë transport që në kamionin e parë. Kamioni i nisur me domate, speca e qepë, është kthyer në Merdare, për të vazhduar drejt Bosnjës. Por, edhe në këtë kufi kamioni me zarzavate nuk është lejuar të hyjë. Itinerari i udhëtimit më pas prej Malit të Zi kalon përmes Kroacisë e Hungarisë për të mbërritur në Rumani me një javë vonesë dhe me domate thuajse plotësisht të prishura. Fjala është për eksportin që e ka kontraktuar agjencia austriake për Zhvillimin e Ballkanit, BADEA, për të dërguar në tregun rumun prodhimet e Kosovës. Nënkryetari i kësaj agjende austriake, Ramiz Selimi, tha për "Lajm" se presidenti i kompanisë, Franz Jechko, problemin me transportin e ka sqaruar me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës dhe i është garantuar se kjo çështje zgjidhet në kuadër të CEFTA-s... Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), e cila ka marrëveshje bashkëpunimi me BADEA-n për organizimin e këtij eksporti, thotë se vonesat në rrugë kanë rritur koston e prodhimeve të Kosovës dhe ato i bën të pakonkurrueshme në tregun rumun...

INFOPRESS
Mendoj se Kosova ka bërë kompromisin e madh, njëkohësisht edhe të dhimbshëm dhe mjaft të durueshëm për shumicën e shqiptarëve nëpërmjet planit të Ahtisaarit", deklaroi Hajredin Kuçi, zv/kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Një reagim i tillë nga Qeveria vjen vetëm një ditë pas deklaratës së ambasadorit, Volfgang Petrisch, i cili është shprehur se modeli i Bërçkos në Bosnjë e Hercegovinë do të mund të ishte i aplikueshëm edhe për qytetin e Mitrovicës në Kosovë. Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Kosova ka mbyllur etapën e kompromiseve të dhimbshme me pranimin e pakos së Ahtisaarit dhe nuk raund të ketë kompromis tjetër për ndarjen e Kosovës. "Një kompromis edhe më i madh do ta prishte balancën mes shumicës dhe pakicës në vend dhe do ta bënte Kosovën jofunksionale në kuptimin institucional dhe do të vente dilema se kush në Kosovë do të dëmtojë të drejtat e të tjerëve", ka thënë më tej Kuçi, duke shtuar se plani i Ahtisaarit është plani i vetëm i pranueshëm për Mitrovicën dhe idetë e tjera mund të jenë vetëm ide shtesë të analistëve, por pa ndikim...
XS
SM
MD
LG