Ndërlidhjet

Moska kërkon përmbysjen e Saakashvilit


Gjeorgji, protestat në kryeqytetin Tbilisi
Gjeorgji, protestat në kryeqytetin Tbilisi

Derisa vazhdojnë operacionet ushtarake në disa rajone të Gjeorgjisë, Moska thotë se më së miri do të ishte sikur presidenti i Gjeorgjisë të largohet nga posti.

Ministri i Jashtëm i Rusisë tha sot se kriza rreth rajonit separatist të Osetisë Jugore do të zbutet nëse presidenti i Gjeorgjisë largohet nga posti.

Sergei Lavrov tha se Rusia nuk po punon për rrëzimin e Mikheil Saakashvilit, por beson se do të ishte më së miri sikur ai të largohet.

Ndërkohë, presidenti Dmitry Medvedev tha se ka vendosur të ndalë operacionin ushtarak rus kundër Gjeorgjisë.

"Kam vendosur të përfundoj operacionin për të shtyrë autoritetet e Gjeorgjisë drejt paqes. Qëllimet e operacionit janë arritur. Siguria e forcave tona paqeruajtëse dhe popullatës civile është vendosur. Agresori është dënuar dhe ka pësuar dëme të konsiderueshme",
tha Medvedev.

Megjithatë, Medvedev tha se ushtria do të ketë të drejtën të vetëmbrohet dhe të përgjigjet ndaj rasteve të sulmeve të trupave gjeorgjiane.

Në përpjekje për vendosjen e paqes, sot në Moskë dhe në Tbilisi qëndron presidenti francez, Nicolas Sarkozy. Kabineti i tij njoftoi se Sarkozy do të takohet me homologun Dmitry Medvedev.

Franca, si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian, ka dalë me plan për dhënien fund të armiqësive. Gjeorgjia e ka nënshkruar këtë plan, por Rusia ka vërejtje.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se Rusia nuk do të pajtohet me cilindo propozim të Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, nëse ai parasheh praninë gjeorgjiane në njësitet paqeruajtëse.

Në Uashington, ndërkaq, presidenti amerikan, George Bush, dënoi atë që e cilësoi eskalim dramatik dhe brutal të dhunës ruse në Gjeorgji.

"Qeveria e Rusisë duhet të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë; duhet të ndryshojë kursin aktual dhe të pranojë marrëveshjet për paqe si hapi i parë drejt zgjidhjes së konfliktit", tha Bush, sipas të cilit, duket se Rusia po përpiqet të rrëzojë nga pushteti presidentin Saakashvili.

Bush kërkoi armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse nga zona e konfliktit të ngrirë.

Në mbështetje të Gjeorgjisë janë deklaruar edhe liderët e Polonisë dhe tre vendeve Baltike, të cilët njoftohet se do të vizitojnë Tbilisin për të ofruar mbështetjen e tyre për presidentin pro-perëndimor.

Vetë Mikheil Saakashvili tha se vendi i tij është ndarë përgjysmë.

Në takimin me përgjegjësit për sigurinë kombëtare, ai tha se “forcat ruse kanë pushtuar rrugën kryesore në afërsi të qytetit Gori dhe kanë prerë lidhjet ndërmjet Gjeorgjisë perëndimore dhe lindore".

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve raportuan për viktima në Gori, në mesin e të cilëve edhe dy gazetarë.

Luftime raportohet se ka edhe në rajonin tjetër separatist, atë të Abkazisë.

Mediat ruse cituan zyrtarët e Abkazisë të kenë thënë se forcat separatiste kanë rrethuar trupat gjeorgjiane në pjesët e sipërme të Grykës së Kodorit. Ende nuk ka konfirmim të informacioneve nga burimet e pavarura.

XS
SM
MD
LG