Ndërlidhjet

Sejdiu kundërshton krahasimin e Kosovës me Osetinë Jugore


Fatmir Sejdiu
Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kundërshtoi krahasimin e Kosovës me Osetinë Jugore dhe raste të tjera në botë, duke potencuar se Kosova me pakon e Ahtisaarit është pranuar si rast i veçantë.


Kosova është një rast unik dhe i veçantë dhe nuk mund të krahasohet me asnjë rast tjetër në botë, përfshirë edhe Osetinë Jugore, ka thënë sot presidenti Fatmir Sejdiu.

Duke shprehur keqardhje për viktimat e luftimeve në Gjeorgji, Sejdiu megjithatë i ka kundërshtuar krahasimet e Kosovës me raste tjera në botë, duke vlerësuar se rasti i Kosovës cilësohet si i veçantë edhe në pakon e Ahtisaarit, si dokumenti bazë për zgjidhjen e statusit.

Këto komente, Sejdiu i ka bërë në Çagllavicë, një vendbanim me shumicë serbe, me ç’rast tha se Kosova e pavarur është e gatshme të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë dhe kundërshtarët tjerë të pavarësisë, pavarësisht se këto vende edhe në të kaluarën janë përpjekur ta paraqesin Kosovën si precedent për rastet tjera në botë.

“Kosova paraqet shembullin sui generis në krejt cilësinë e saj, edhe historike, edhe juridike, edhe politike e kushtetuese. Dhe, absolutisht nuk mund të jetë krahasim dhe paralele që mund të shërbejë në hapësirat tjera të globit. Kjo është sqaruar më së miri në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari dhe natyrisht në cilësinë e tillë edhe ka marrë mbështetjen ndërkombëtare", deklaroi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ai tha se Kosova po njihet tashmë si shtet i pavarur dhe se nuk mund të ketë më kthim prapa. Ndërsa po zhvillohet si një shtet i ri, Kosova, sipas presidentit Sejdiu, mëton që në një të ardhme jo të largët të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike.

“Mendoj se procesi i njohjes së Republikës së Kosovës është në rrugën e vet dhe nuk është proces që duhet të lidhet me zhvillimet në rajonet tjera. Mbase dikush do të ketë dëshirë që ta interpretojë si të tillë. Sigurisht që ne kemi kaluar një fazë të rëndësishme të njohjeve të para që i janë bërë Kosovës. Mendoj se procesi do të vazhdojë, mbase mund të ketë vende a ndonjë vend që dëshiron ta studiojë pak më gjatë, por në të njëjtën kohë them se ne do t’i vazhdojmë aktivitetet tona”, tha Sejdiu.

Në vazhdim, presidenti Sejdiu u ka bërë thirrje edhe sot pjesëtarëve të komunitetit serb që të integrohen në institucionet vendore, duke e pranuar kështu dhe realitetin e ri në Kosovën e pavarur.

Ai tha se është i vetëdijshëm që në Kosovë ka probleme, të cilat janë edhe të natyrës politike, por këto probleme, sipas tij, mund të zgjidhen më lehtë nëse serbët do ta ndërtojnë dhe shohin të ardhmen e tyre në Kosovë.

“Një shoqëri që e do integrimin e vet edhe në kuptimin institucional, edhe të demokracisë, nuk është vetëm çështje hipoteze, por ka shumë premisa. Demokracia nuk nënkupton anarkinë, demokracia nuk nënkupton mosbindjen qytetare, demokracia nuk nënkupton mbetjen apo izolimin, qoftë nga dikush apo edhe nga vetvetja, por nënkupton edhe rendin dhe shtetin ligjor”, theksoi presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu e ka rikujtuar atë pjesë të serbëve të Kosovës që nuk përfill Kosovën e pavarur, se shumë nga pjesëtarët e komunitetit janë tashmë pjesë aktive e institucioneve, duke e parë Kosovën si një vend të tyre ku mund të jetohet dhe mund të ketë të ardhme.
XS
SM
MD
LG