Ndërlidhjet

logo-print

Nga po shkon UNMIK-u?


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Me gjithë paralajmërimet për rikonfigurimin e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ky proces pritet të qartësohet në bazë të rrethanave të krijuara në terren. Analistët thonë se nga roli administrativ që ka pasur deri më tash ky mision, në të ardhmen funksioni i tij do të jetë më politik.

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë pritet që gjatë javëve të ardhshme të fillojë procesin e rikonfigurimit, të parashikuar edhe me letrën për rikonfigurim të Sekretarit Gjeneral, Ban Ki-moon.

Procesi, gjatë të cilit priten zvogëlime të stafit për rreth 70%, sipas UNMIK-ut, do të ndodhë në tërë territorin e vendit, duke filluar me mbylljen e departamentit të administrimit civil dhe Zyrës për kthim dhe komunitete.

"Funksionet e disa zyrave do të pushojnë që nga e hëna e ardhshme dhe njerëzit do të fillojnë t'i marrin dokumentet për dalje nga puna. Rikonfigurimi në tërësi nënkupton zvogëlimin e stafit për 70% dhe do të përfshijë të gjitha zyrat në mbarë Kosovën”.

“Kjo do të fillojë me departamentin e administrimit civil, i cili do të mbyllet të hënën e ardhshme, pastaj do të mbyllet edhe Zyra për kthim dhe komunitete, si dhe disa zyra të tjera. Është një proces i vazhdueshëm, i cili do të zgjasë disa muaj", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.

Sipas Ivankos, procesi i ristrukturimit të administratës së OKB-së në Kosovë ndodh në përputhje me rrethanat e krijuara në terren, ndërkohë që sektorët si doganat në veri, prapë do të mbeten nën ombrellën e përgjegjësive të administratës ndërkombëtare.

"Në fakt përfshin të dyja; rikonfigurimi i UNMIK-ut bazohet në rrethanat dhe substancialisht përbën zvogëlimin për rreth dy të tretat", thotë zëdhënësi i administratës.

Analistët në Kosovë vlerësojnë se procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut do të ndryshojë edhe rolin e deritanishëm të Kombeve të Bashkuara në vend, i cili, sipas tyre, do të ndodhë në përputhje me zhvillimet në terren, do të kalojë nga roli administrativ në një rol më të fuqishëm politik.

Lulëzim Peci, nga Instituti KIPRED, sqaron:

"Rikonfigurimi i UNMIK-ut është përshtatje e rrethanave në terren, kështu që në esencë tani UNMIK do të ndërrojë shumë në aspektin e vet, pra prej aspektit administrativ do të ketë rol shumë më të madh politik".

Sipas analistit Peci, veriu i Kosovës do të vazhdojë të mbetet edhe më tutje çështja më problematike në mbarë vendin, e cila nuk do të mund të zgjidhet as me vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, në atë pjesë.

"Po, mbetja e doganave... nuk mendoj se doganat do të mbeten në mënyrë klasike në duart e UNMIK-ut, sepse rrethanat do të ndryshojnë shumë. Por, sa i përket fjalës së fundit në veri, unë fatkeqësisht mund të them se aty askush nuk e ka fjalën e fundit momentalisht, as nuk e ka UNMIK-u, as nuk e kanë institucionet e Kosovës, as institucionet paralele të Serbisë", tha Peci.

Gjatë procesit të rikonfigurimit të administratës së OKB-së në Kosovë është paraparë të bëhet bartja e kompetencave nga UNMIK-u te misioni EULEX dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, duke përfshirë sektorë të ndryshëm.

Ndërkohë, për disa çështje, si policia, gjyqësia, dogana, e të cilat janë akoma të padefinuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritet të zhvillohen bisedime shtesë të mbikëqyrura nga UNMIK në javët që vijnë.

Ndryshimi i rrethanave politike si dhe qasjet totalisht të kundërta ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duket se do të ndikojnë edhe në përgjegjësitë dhe rolin e UNMIK-ut në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG