Ndërlidhjet

logo-print

Analistët: Qeveria inerte në lobimin pro pavarësisë


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Analistë politikë në Kosovë kritikojnë qeverinë se ka qenë shumë inerte përballë ofensivës kundër pavarësisë së Kosovës të zhvilluar nga shteti serb. Analistët tërheqin vërejtjen se nëse iniciativa e Serbisë për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë aprovohet, atëherë, sipas tyre, Kosovën e presin disa vite stagnimi në të gjitha sferat.

Shtatori pritet te jetë muaj përcaktues se çfarë kahjeje do të marrë zhvillimi i shtetit të Kosovës - nëse do të ketë njohje të reja, apo nëse do të ketë ngecje.

Është ky konkludim i analistëve kosovarë, të cilët vlerësojnë se mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, do të jetë vendimtare, pasi do të vendoset mbi iniciativën e Serbisë për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e Kosovës.

Analisti politik nga Instituti KIPRED, Ilir Deda, thotë se kalimi i iniciativës së Serbisë në këtë Asamble paraqet një rrezik të madh për Kosovën.

"Serbia ka investuar shumë jo vetëm që ta parandalojë pranimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe të kalojë iniciativa e saj në Asamblenë e OKB-së, e cila mund të jetë e rrezikshme nëse nuk dështon, sepse nëse Asambleja kërkon nga Gjykata mendim këshillëdhënës, do ta ndalojë për disa vite të drejtën e Kosovës në arenën ndërkombëtare", thotë Deda.

Por, në anën tjetër, analisti Ramush Tahiri mendon se iniciativa serbe nuk do të mund të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme, pasi, sipas tij, ende ka shtete që kanë shprehur gatishmërinë ta njohin Kosovën.

Megjithatë, Tahiri mendon se Qeveria e Kosovës duhet të angazhojë një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët do të paraqisnin dosjen e Kosovës në gjykatë.

"Kosova duhet të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë, që të përgatisin një dosje për Kosovën, që nëse është nevoja ta dërgojnë në Gjykatën Ndërkombëtare dhe ta dorëzojnë denjësisht ose Kosova ose ndonjë vend mik, që ta mbrojnë të drejtën për vetëvendosje dhe shkaqet që çuan në pavarësi, që ishin lufta e armatosur dhe gjenocidi i Millosheviqit ndaj popullatës shqiptare", tha Tahiri.

Ndërkohë, analistët kritikojnë Qeverinë e Kosovës për një qëndrim, siç e quajnë, inert karshi ofensivës serbe kundër pavarësisë së bërë gjithandej në botë.

Ilir Deda thotë se qeveria është dashur t'i përdorë të gjitha resurset e mundshme për të rritur numrin e njohjeve.

"Më duket se kjo qeveri ka qenë pak me inercion, duke menduar se shtetet perëndimore do ta kryejnë punën e lobimit për pavarësinë e Kosovës dhe nuk i ka mobilizuar resurset njerëzore që i ka Kosova edhe jashtë qeverisë për lobim, që është e kundërta nga ajo që ka bërë Serbia - ajo i ka mobilizuar të gjitha resurset serbe drejt asaj iniciative", tha Deda.

Ndërkaq, Ramush Tahiri thotë se rezultatet e lobimit kundër pavarësisë së diplomacisë serbe tashmë janë duke u parë edhe në praktikë.

"Sa i përket ofensivës serbe dhe lëvizjes së ministrit të Jashtëm serb dhe të institucioneve qeveritare, ajo duket që është më agresive, sepse kemi disa deklarime të disa shteteve se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, por ky nuk është avantazh i madh, sepse kemi shtete që po e njohin pavarësinë e Kosovës", tha Tahiri.

Kosovën deri më tash e kanë njohur 45 shtete. Dy të fundit ishin shtete nga Amerika Latine, Kolumbia dhe Belize. Ndërkohë, dy vendet fqinje, me të cilat Kosova ka bashkëpunim në të gjitha sferat, Maqedonia dhe Mali i Zi, ende hezitojnë ta njohin pavarësinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG