Ndërlidhjet

Bush: Mbështetje e palëkundur për Gjeorgjinë


Fshati Mul në Osetinë e Jugut, 12 Gusht 2008

Fshati Mul në Osetinë e Jugut, 12 Gusht 2008

Presidenti Bush ka deklaruar mbështetjen e palëkundur për qeverinë demokratike dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë. Bush i bën thirrje Rusisë të respektojë angazhimet nëse do të jetë pjesë e strukturave ndërkombëtare.

Presidenti amerikan George Bush do të dërgojë Sekretaren e Shtetit në Francë dhe në Gjeorgji.

"Po e dërgoj Sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice në Francë ku do të këshillohet me presidentin Sarkozy. Më pas ajo do të udhëtojë në Tbilisi ku do të dëshmojë mbështetjen e palëkundur amerikane për qeverinë e Gjeorgjisë të zgjedhur në mënyrë demokratike. Gjatë këtij udhëtimi Rice do të vazhdojë përpjekjet tona që të mbledhim rreth vetes vendet e lira në mbrojtje të Gjeorgjisë së lirë", tha Bush.
Ai theksoi se Rusia duhet të respektojë integritetin territorial të Gjeorgjisë.

"Ne këmbëngulim që të respektohet integriteti territorial dhe sovraniteti i Gjeorgjisë. Rusia ka thënë se nuk është qëllimi i saj ndryshimi i pushtetit në Gjeorgji. SHBA-të dhe bota presin që Rusia të respektojë angazhimin e saj."
Bush shprehu shqetësimin për vazhdimin e aksioneve ruse në Gjeorgji. Ai kërkoi që Moska ta mbajë fjalën dhe të veprojë për t'i dhënë fund krizës rreth rajonit të Osetisë së Jugut.

"Veprimet në vazhdim të Rusisë ngrejnë pyetje serioze lidhur me synimet ruse në Gjeorgji dhe në rajon. Në vitet e fundit Rusia është përpjekur të integrohet në strukturat diplomatike, politike, ekonomike dhe të sigurisë të shekullit të XXI-të. Shtetet e Bashkuara i kanë mbështetur këto përpjekje. Tani Rusia i ka vënë në rrezik aspiratat e saj me veprimet e marra në Gjeorgji, të cilat janë në kundërshtim me parimet e institucioneve të mësipërme. Për të filluar riparimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe vendet e tjera, si dhe për të rimarrë vendin e saj në botë, Rusia duhet të mbajë fjalën dhe të veprojë për t'i dhënë fund krizës", tha Bush.

Ai shtoi se pret që të gjitha forcat ruse, që hyjnë në Gjeorgji gjatë këtyre ditëve, të largohen sa më shpejt.

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë ndihma të menjëhershme humanitare dhe mjekësore për Gjeorgjinë.

Në të tjera zhvillime Gjeorgjia ka inicuar procedime kundër Federatës Ruse për "aksionet e saj në dhe rreth territorit të Gjeorgjisë", duke shkelur Konventën Ndërkombëtare të vitit 1965 për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor.

Njoftimet për këtë padi pasojnë porononcimet e zyrtarëve të lartë gjeorgjianë se osetët etnikë po kryejnë "masakra" ndaj gjeorgjianëve etnikë në krahinën rebele të Osetisë së Jugut.

Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Alexander Lomaia tha se "osetiano-jugorët të mbështetur nga rusët po bëjnë masakra të tmerrshme në fshatrat gjeorgjiane".

Ministria e Jashtme gjithashtu lëshoi një deklaratë ku thuhet se ushtarët rusë në Osetinë e Jugut po vështrojnë se si separatistët osetë po kryejnë akte të "spastrimit etnik". Pohimet nuk janë verifikuar nga burime të pavarura.

Presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili ndërkohë ka thënë se është dakord me planin e BE-së për përfundimin e luftimeve me Rusinë.

Pas takimit me presidentin francez Nicolas Sarkozy, Saakashvili u tha gazetarëve se "duhet të ketë armëpushim".

Presidenti rus Dmitry Medvedev gjithashtu ka dhënë pëlqimin për planin, i cili u bën thirrje trupave ruse dhe gjeorgjiane që të tërhiqen në pozicionet fillestare.

Sarkozy tha se referenca "statusi i ardhshëm" i dy rajoneve kryengritëse në Gjeorgji, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, është hequr nga plani me pëlqimin e Rusisë dhe të Gjeorgjisë.

Ndërkohë, Saakashvili tha se Gjeorgjia nuk do të lejojë të vihet në dyshim integriteti territorial i saj nën çfarëdo marrëveshje paqësore.

Të ndërlidhura

XS
SM
MD
LG