Ndërlidhjet

FSK-ja do të jetë ushtri


Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës

Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur bindjen sot se Forca e Sigurisë e Kosovës do të jetë ushtri. Ai, pas takimit me komandantin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Sylejman Selimin, ka siguruar se shpërbërja e TMK-së do të bëhet në mënyrë dinjitoze, posaçërisht do të kenë trajtim të veçantë ata që nuk mund të jenë pjesë e FSK-së.

Forca e re e Sigurisë se Kosovës do të jetë ushtri. Kështu ka thënë sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimit që ka pasur me komandantin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Sylejman Selimin.

Presidenti Sejdiu konsideron se sa i përket kompetencave, dallimet në mes të TMK-së dhe Forcës së Sigurisë do të jenë të mëdha.

"Trajtimi i deritashëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës ka një trajtim të një organizate civile. Ju e dini rolin çfarë ka qenë. Pavarësisht pjesës së historikut të saj dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm në situata shumë të ndjeshme për Kosovën, Forca e re e Sigurisë së Kosovës do të jetë realisht një ushtri e Kosovës", tha Sejdiu.

Edhe komandanti i TMK-së, Sylejman Selimi, mendon se dallimet në mes të TMK-së dhe FSK-së do të jenë të ndryshme, pasi që FSK nuk do të jetë vetëm organizatë civile siç ka qenë TMK.

“TMK-ja është një organizatë civile, e cila ndërhyn në raste emergjente, kurse Forca e Sigurisë vetë nënkupton se do të ketë qasje në sigurinë në Kosovë dhe si strukturë dallojnë të dyja nga njëra-tjetra, edhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe me projektin e Ahtisaarit", tha Selimi.

Të dy bashkëbiseduesit, presidenti Sejdiu dhe gjeneral Selimi, kanë konstatuar se shpërbërja e TMK-së do të jetë një proces i vështirë, por që duhet të respektojë dinjitetin e të gjithë pjesëtarëve që nuk do të mund të përfshihen në Forcën e Sigurisë.

Presidenti Sejdiu është shprehur optimist se Forca e Sigurisë së Kosovës do të veprojë në koordinim më të ngushtë me NATO-n.

“Biseduam po ashtu për mbylljen e korpusit ligjor apo pjesës ligjore të ligjeve që do të kenë trajtim dinjitoz të kësaj kategorie, që ka të bëjë posaçërisht me pjesëtarët e TMK-së që nuk do të kenë mundësi, për arsye të moshës apo arsye të tjera, që të jenë në kuadër të FSK-së, dhe një mbështetje institucionale në këtë kuadër, sikur edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me organizimin e sa më të shpejtë të këtij mekanizmi të ri të Ushtrisë së Kosovës, që do të jetë në partneritet dhe bashkëpunim të thellë me NATO-n", tha presidenti Sejdiu.

Detyrat kryesore kushtetuese që parashihen për Ministrinë e Forcës së Sigurisë janë shpërbërja e TMK-së dhe formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Forca e Sigurisë do të ngritët nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Ajo fillimisht do të ketë 2.500 trupa të rregullta dhe 800 pjesëtarë rezervë, të cilët do të kenë një armatim të lehtë.

Sidoqoftë, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, pati deklaruar se FSK-ja nuk do të jetë ushtri, ngase përgjegjësitë mbrojtëse në Kosovë do të vazhdojë t'i ketë edhe më tutje KFOR-i.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG