Ndërlidhjet

Në pritje të vlerësimit pozitiv të GjND-së


Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Synimi i Beogradit për të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë një vlerësim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë vlerësohet si një nismë e pashpresë. Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare pohojnë se duke u bazuar në parimin e vetëvendosjes, vlerësimi i Gjykatës padyshim do të jetë në favor të Kosovës.


Qeveria e Serbisë synon t’i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të japë mendimin e vet për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Zyrtarët shtetërorë serbë kanë filluar tanimë aktivitetet e tyre diplomatike për të fituar mbështetjen prej 51% të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, mbështetje kjo e cila nevojitet për të shtyrë Gjykatën Ndërkombëtare të shprehet se a ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Ekspertët e së drejtës ndërkombëtare në Kosovë shprehen të sigurt se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë në favor të Kosovës, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat Kosova ka shpallur shtetësinë e saj.

Ekspertja për çështje ndërkombëtare, Iliriana Islami, thotë se vendimi për shpallje të pavarësisë lidhet me parimin e vetëvendosjes së popujve në botë.

"Në qoftë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë jep një mendim për çështjen e Kosovës, ajo sigurisht që do të përkrahte çështjen e Kosovës lidhur me çështjen e vetëvendosjes, ndërsa çështja e Kosovës lidhur me çështjen e vetëvendosjes është e lidhur me krijimin e shtetit të ri", thotë ajo.

Islami thotë se, edhe në rast se vlerësohet se Kosova ka shkelur disa rregulla procedurale gjatë rrugëtimit për shpalljen e pavarësisë, Gjykata Ndërkombëtare do të bazohet në parimin e proporcionalitetit e që nënkupton stabilitetin që ka sjellë me vete krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë aplikon parimin e proporcionalitetit, që do të thotë se çdo veprim që e ndërmerr bashkësia ndërkombëtare lidhur me çështjen e caktuar, edhe nëse shkakton ndonjë veprim joligjor, atëherë merret e mira e përgjithshme që ka ndikuar",
tha Islami.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq, e quan të pashpresë iniciativën serbe për të vënë para drejtësisë ndërkombëtare çështjen e Kosovës.

Këshilltari i kryeministrit për çështje juridike, Tomë Gashi, thotë se efekti i vetëm që mund të arrijë cilido qoftë mendim i Gjykatës Ndërkombëtare, është krijimi i pasigurisë tek shtetet, të cilat akoma hezitojnë të marrin vendimin për njohje të Republikës.

"Efekti kryesor që mendon të arrijë Qeveria e Serbisë është eventualisht të parandalojë apo së paku të ngadalësojë njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran", tha Gashi.

Këshilltari Gashi nënvizon se Kosova ka vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe se logjikisht nuk është dashur të kërkojë leje nga Serbia për të shpallur mëvetësinë nga vetë ajo.

"Shtetet gjithmonë pavarësohen në mënyrë të njëjtë, siç është pavarësuar Kosova, do të thotë, pas ngjarjeve që i paraprijnë secilës pavarësi shtetërore individuale. Kosova nuk ka pasur nevojë, është jologjike dhe qesharake, të kërkojë leje nga Serbia për t’u pavarësuar nga vetë Serbia", u shpreh Gashi.

Serbia pritet të paraqesë kërkesën për mendimin konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator të këtij viti.
XS
SM
MD
LG