Ndërlidhjet

Rice fillon turneun për krizën në Gjeorgji


Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush i bëri thirrje Rusisë që të përfundojë krizën me Gjeorgjinë dhe dërgoi Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice në Francë dhe Gjeorgji për të treguar mbështetjen e "palëkundur" amerikane për qeverinë në Tbilisi.

Para se të nisej nga Uashingtoni, Rice paralajmëroi Rusinë se do të përballet me izolim më të madh nëse shkel armëpushimin.

"Nëse me të vërtetë Rusia shkel armëpushimin dhe mua më duhet të them se raportet për këtë nuk janë inkurajuese, atëherë kjo vetëm do të shërbejë për thellimin e izolimit drejt të cilit po shkon Rusia. Vetëm do të shërbejë për të forcuar më shumë sensin në rritje se Rusia nuk po sillet si partner ndërkombëtar ashtu si ka thënë se dëshiron të jetë" tha Rice.

Në Moskë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se SHBA-të duhet të zgjedhin ndërmjet "partneritetit të vërtetë" me Rusinë dhe ndihmës për "projektin virtual gjeorgjian".

"E kuptojmë se lidershipi aktual gjeorgjian është projekt special i SHBA-ve dhe e kuptojmë se Uashingtoni brengoset për fatin e tij, por një ditë ata duhet të zgjedhin ndërmjet nocionit të prestigjit dhe partneritetit të vërtetë në çështje që kërkojnë aksion kolektiv" tha Lavrov.

Dy aeroplanë ushtarakë amerikanë me ndihma kanë arritur në Gjeorgji dhe sot pritet arritja e ndihmave të reja.


XS
SM
MD
LG