Ndërlidhjet

logo-print

Sa është i pranishëm korrupsioni në strukturat lokale të qeverisjes? Qytetarët thonë shumë, por autoritetet pohojnë se janë të rralla rastet që vetë qytetarët i kanë lajmëruar tek organet kompetente.



Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Kështu thonë përfaqësues të institucioneve kompetente. Nuhi Uka, kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, nuk e mohon faktin se edhe në institucionin të cilin e udhëheq ai, të ketë persona të dyshuar për korrupsion.

" Jam dëshmitar edhe unë si qytetarët e tjerë, që dëgjojmë të flitet shumë për praninë e korrupsionit, edhe në Gjykatën Komunale të Prishtinës. Mirëpo asnjë rast të tillë deri më tani askush nuk e ka lajmëruar. Konkretisht kemi disa fjalë që nuk janë të argumentuara që me rastin e ardhjes së palëve të cilët në gjykatën komunale duhet ta marrin një numër për shqyrtimin e rastit të tyre, mund të ketë ndonjë rast korrupsioni, mirëpo ne deri më tash nuk kemi ndonjë qytetar që e ka lajmëruar ndonjë rast të tillë", thotë zoti Uka.

Nga ana tjetër, edhe Muhamet Gashi, zëdhënës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se dyshohet se mund të ketë raste korruptive edhe në komunë. Por ai thotë, se deri më tani vetëm dy raste janë raportuar.

"Ne nuk jemi ne gjendje të japim shifra apo të dhëna për prezencën e korrupsionit. Përflitet nga ana e qytetarëve se ka korrupsion në nivelin lokal , por deri me tani janë denoncuar dy - tri traste dhe një prej këtyre tyre rasteve për mito të vogla. Janë marra të gjitha procedurat dhe janë ngritur procedurat gjyqësore ndaj tyre. Ndërsa për raste të tjera nuk mund të flasim", tha Gashi.

Por, disa qytetarë mendojnë ndryshe. Ata thonë së niveli i korrupsionit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, është shumë i lartë. Selim Hasani, pohon se asnjë dokument nuk mund të rregullohet pa dhënë para.

"Krejt janë të korruptuar, nuk mund të kryesh asnjë send hiç. Për një çertifikatë duhet me pritë 3- 4 ditë një javë. Nëse jep para i kryen të gjitha, deri te kryetari, kryeministri, krejt të kryejnë punë, vetëm a jep lek ", tha Hasani.

Ndryshe, kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, thotë se lëndët, të cilat arrijnë në gjykatë për t’u shqyrtuar, për dyshime korruptive, gjykata i konsideron si lëndë me prioritet.

"Ne për rastet që ndodhin gjetiu, lëndët e kësaj natyre kur vijnë në gjykatë i kemi kategorizuar si lëndë me prioritet. Do të thotë me një prioritet i vëmë në punë, dhe i japim dënimet adekuate" tha zoti Uka.

Në anën tjetër Muhamet Gashi, thotë se Komuna e Prishtinës, i ka ftuar qytetarët që të drejtohen tek organet kompetente në rast se kanë fakte për korrupsion në këtë institucion.

" Sa i përket luftimit të kësaj dukurie, Komuna e Prishtinës nuk mund ta bëjë këtë , mirëpo janë organet e rendit, policia e të tjerët, që duhet ta luftojnë këtë dukuri", tha Muhamet Gashi.

Ndyshe, sipas zyrtarëve të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, në Kosovë kjo dukuri vazhdon të jetë e pranishme kudo. Janë mjetet financiare dhe dispozitat ligjore ato që mbase duhet të fitojnë një bazë më të qëndrueshme për ta bërë luftën kundër korrupsionit më efektive.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG