Ndërlidhjet

Rice njihet nga afër me zhvillimet në Gjeorgji


Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice
Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice ka arritur në Francë për bisedime me presidentin francez, Nicholas Sarkozy. Pas Francës, zonja Rice niset për në Tbilisi të Gjeorgjisë.


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice ka arritur në jug të Francës për bisedime me presidentin francez Nicholas Sarkozy. Ky i fundit ishte autor i armëpushimit të arritur në konfliktin në Gjeorgji, duke ndërmjetësuar në emër të Bashkimit Evropian.

Pas Francës, zonja Rice do të udhëtojë drejt Gjeorgjisë për të dëshmuar mbështetjen amerikane ndaj qeverisë në Tbilisi të zgjedhur në rrugë demokratike.

Para udhëtimit, sekretarja amerikane e shtetit ka deklaruar se Rusia do të përballet me izolim më të thellë nëse thyen armëpushimin.

"Nëse Rusia e shkel armëpushimin, dhe më duhet të them se informacionet nuk janë shumë inkurajuese rreth respektimit të armëpushimit nga Moska, kjo do të shërbejë për një izolim më të thellë të Rusisë. Kjo vetëm do të thellojë ndjesinë e fuqishme se Rusia nuk po sillet si partner ndërkombëtar që ka thënë se do të jetë", tha Rice.

Vizita e zonjës Rice në Francë dhe Gjeorgji është paralajmëruar nga presidenti amerikan, George Bush, I cili ka kërkuar që “Rusia të respektojë integritetin territorial të Gjeorgjisë”.

Por, presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev tha sot se Rusia do të përkrah qëndrimet e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë rreth statusi të tyre të ardhshëm.

Medvedev u takua sot në Kremlin me liderët separatistë të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë.

Agjencitë ruse të lajmeve cituan Medvedevin të ketë thënë se Rusia jo vetëm që do të mbështes çfarëdo vendimi që këto rajone marrin rreth statusit të ardhshëm, por edhe do t'i "garantojë të dyja në Kaukaz dhe në botë".

Ndërkohë, trupat ruse janë kthyer në portin gjeorgjian Poti dhe kanë shtuar numrin e ushtarëve në Gori, megjithë marrëveshjen e armëpushimit, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë.

"Megjithë marrëveshjet e arritura më herët, rusët po vendosin trupa shtesë në Gori dhe po e fortifikojnë qytetin. Në të njëjtën kohë, forcat ushtarake ruse janë kthyer edhe në qytetin Poti", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjeorgjiane, Nato Chikovani.
XS
SM
MD
LG