Ndërlidhjet

logo-print

Gates: Raportet SHBA-Rusi mund të dëmtohen për vite

  • RFE /RL

 Presidenti Bush, Condoleezza Rice, Robert Gates duke folur për Gjeorgjinë

Presidenti Bush, Condoleezza Rice, Robert Gates duke folur për Gjeorgjinë

"Mesazhi i Rusisë është sinjal për gjithë ato pjesë të ish Bashkimit Sovjetik që po përpiqen të integrohen me Perëndimin dhe të lëvizin jashtë sferës ruse të ndikimit, në të cilën kanë qenë për një kohë të gjatë", tha shefi i Pentagonit.

Marrëdhëniet Rusi-Shtetet e Bashkuara mund ta pësojnë për vite të tëra nëse Moska nuk heq dorë nga politikat e saj agresive në Gjeorgji. Dekalarata e shefit të Pentagonit, Robert Gates u bë gjatë një konference shtypi në Uashington. Pentagoni do t'i rishohë raportet e veta me Rusinë, pas operacioneve ruse në Gjeorgji, tha Gates.

"Sjellja ruse gjatë javës së fundit ka pasoja të thella për marrëdhëniet e sigurisë mes dy vendeve tona dhe me NATO-n", tha Gates.

Sipas Sekretarit amerikan të mbrojtjes qëllimi rus në Gjeorgji është përtej mbrojtjes së Osetisë së jugtu dhe Abkazisë.

"Mendoj se mesazhi i Rusisë është sinjal për gjithë ato pjesë të ish Bashkimit Sovjetik që po përpiqen të integrohen me Perëndimin dhe të lëvizin jashtë sferës ruse të ndikimit, në të cilën kanë qenë për një kohë të gjatë", theksoi Gates.

Ai shtoi se personeli ushtarak amerikan në Gjeorgji do përfshihet në misione humanitare dhe nuk ka nevojë që Shtetet e Bashkuara të përdorin forcën gjatë këtij konflikti. Shefi i Pentagonit nënvizoi se Uashingtoni nuk ka dëshirë për një luftë të re të ftohtë.

Edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice tha se është koha që kriza në Gjeorgji të arrijë fundin. Komentet e Rice-it u bënë pas takimit në jug të Francës me presidentin Nichols Sarkozy. Ky i fundit ishte autor i armëpushimit të arritur në konfliktin në Gjeorgji, duke ndërmjetësuar në emër të Bashkimit Evropian.

Sarkozy tha se Rice do të dorëzonte në Tbilisi një numër dokumentash që do të ndihmonin në konsolidimin e armëpushimit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë dhe do t'i hapin rrugën tërheqjes së trupave ruse.

Përpara fillimit të misionit të saj rreth Gjeorgjisë deklaratat e Rice ishin në frymën e atyre të shefit të Pentagonit.
"Nëse Rusia e shkel armëpushimin, dhe më duhet të them se informacionet nuk janë shumë inkurajuese rreth respektimit të armëpushimit nga Moska, kjo do të shërbejë për një izolim më të thellë të Rusisë. Kjo vetëm do të thellojë ndjesinë e fuqishme se Rusia nuk po sillet si partner ndërkombëtar që ka thënë se do të jetë", tha Rice.

Edhe Rusia ka reaguar gjatë, ku në Moskë presidenti Medvedev priti udhëheqësit e dy rajoneve separatiste të Osetisë së Jugut dhe të Abkazisë.

"Ne do të mbështesim çdo vendim që popujt e Osetisë së Jugut dhe të Abkazisë do të marrin në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, me konventën ndërkombëtare të vitit 1966 dhe Deklaratën e Helsinkit. Ne jo vetëm do t'i mbështesim këto vendime, por do t'i garantojmë ato në Kaukaz dhe në botë", tha Medvedev.

Udhëheqësit e rajoneve të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut gjatë qëndrimit në Moskë kanë përsëritur kërkesën e tyre për pavarësi nga Gjeorgjia.

"Dëshiroj të theksoj se pavarësisht sulmit kundër popullit tonë, vullneti dhe synimi i popullit të Osetisë së Jugut për pavarësi nuk ka ndryshuar. Ne do kërkojmë pavarësi në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar", tha Eduard Kokoity, udhëheqësi i Osetisë së Jugut. Kokoity theksoi se dy referendumet e mbajtura nga Osetia e Jugut e tregojnë qartë vullnetin e popullit.

Sergei Bagapsh, udhëheqësi i Abkazisë, rajoni tjetër i Gjeorgjisë që kërkon shkëputjen nga Tbilisi deklaroi:

"Sa i përket pavarësisë sonë dhe lëvizjes drejt këtij qëllimi nuk ka forcë që na ndal. E kemi përcaktuar qëllimin tonë dhe do të shkojmë drejt tij. Sa i përket rrugëve të realizimit do t'i gjejmë.
Deri para agresionit ndaj Osetisë së Jugut ka pasur shumë pak mundësi për bisedime me Gjeorgjinë, tani është e sigurt se nuk do të ketë dialog me Gjeorgjinë", tha Bagapsh.

XS
SM
MD
LG