Ndërlidhjet

logo-print

Rikonfigurimi i UNMIK-ut mos t'i shqetësojë komunitetet


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

"Komunitetet në Kosovë mos të shqetësohen për reduktimin e stafit të UNMIK-ut dhe zbehjen e rolit të kësaj administrate", tha në Prishtinë, zëvendësi i shefit të UNMIK-ut, Nicholas Haysom.

Zvogëlimi i stafit të UNMIK-ut që do të ndodhë si rezultat i rikonfigurimit, nuk do të ketë efekte për sa i përket sigurisë dhe mirëqenies për komunitetet, ka thënë sot në Prishtinë, Nicholas Haysom, zëvendës i përkohshëm i shefit të UNMIK-ut.

Në paraqitjen e tij të parë para mediave që kur se është emëruar në këtë post nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban ki Moon, z.Haysom tha se rikonfigurimi është një proces i natyrshëm dhe në harmoni me realitetin e ri në terren dhe krijon mundësi që EULEX-i të fillojë të shtrihet në Kosovë.

Haysom tha se UNMIK-u dhe EULEX-i do të nënshkruajnë dhe një Memorandum Mirëkuptimi me të cilin misionit të ri të Bashkimit Evropian, i cili po ashtu do të jetë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, do t'i ofrohet ndihma e UNMIK-ut në logjistikë dhe çështje tjera të domosdoshme për t'u vendosur dhe funksionuar në Kosovë.

“Ne po përpiqemi që sa më shpejt që të jetë e mundur t'i dorëzojmë EULEX-it asetet, zyrat, lokacionet ku ishte i vendosur UNMIK-u dhe pajisjet, të cilat më nuk do të na nevojiten”, tha Haysom.

Ndërsa i ka ofruar bashkëpunim EULEX-it, si mision që do të jetë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, Haysom u ka bërë thirrje komuniteteve që të mos shqetësohen për shkak të shtrirjes së EULEX-it.

Këto thirrje, Haysom i ka bërë pas disa deklaratave të përfaqësuesve serbë nga pjesa veriore, të cilët këto ditë kanë pohuar se do t'i përdorin të gjitha mjetet politike që të mos lejojnë EULEX-in të shtrihet dhe të funksionojë në vendbanimet me shumicë serbe.

“Ka disa njerëz që shprehin shqetësime se reduktimet e UNMIK-ut do të ndikojnë tek komunitetet, jeta e tyre, të cilave UNMIK-u u ka shërbyer për disa vjet. Ne duam t’ju sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë”, tha Haysom.

Ai tha se UNMIK-u nuk do ta ketë më rolin që e kishte, duke rikujtuar se tash institucionet e Kosovës janë ato që do të marrin përsipër shumë përgjegjësi që i ka ushtruar UNMIK-u, për çka tha se të gjithë tash duhet të pajtohen me këtë realitet.

Por, ai u bëri thirrje komuniteteve që të vazhdojnë të besojnë te bashkësia ndërkombëtare, e cila do të ruajë praninë e vet në Kosovë, qoftë përmes EULEX-it, KFOR-it apo edhe OSBE-së dhe UNMIK-ut të rikonfiguruar.

Haysom tha po ashtu se nuk pret përplasje ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, pavarësisht se në Kosovë mbeten valide dy dokumente që nuk përputhen njëra me tjetrën, siç janë Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rezoluta 1244.

Madje, sipas Haysom, përplasje të tilla as që ka pasur, pavarësisht se ka disa shkrime në media se do të vijë deri te përplasja mes këtyre dy pushteteve. Haysom shtroi si të nevojshëm edhe bashkëpunimin dhe dialogun e Kosovës me Beogradin, duke besuar se ky bashkëpunim do të realizohet përmes UNMIK-ut.

Me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Moon, Nicolas Haysom po zëvendëson përkohësisht shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier. Gjatë kësaj periudhe, UNMIK-u ka bërë të qartë se procesi i rikonfigurimit do të sjellë shkurtimin e stafit të UNMIK-ut deri në masën 70 për qind që do të realizohet deri në vjeshtën e këtij viti.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG