Ndërlidhjet

Rreziku nga pakënaqësitë sociale


Sindikata e arsimit, e shëndetësisë, e policisë dhe ajo e doganave kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me paga të ulëta. Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shikojnë mundësitë për rritjen e pagave të tyre. Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar protesta.

Shaban Tasholli, nënkryetar i sindikatës së policisë së Kosovës, thotë se tashmë janë në bisedime të vazhdueshme me udhëheqës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe pse, sipas tij, vështirë se do të realizohen kërkesat e tyre.

"Ne i kemi njoftuar të gjitha instancat e Kosovës për qëndrimet tona; është duke u punuar me të madhe për kërkesat tona që i kemi me ligj, mirëpo ende nuk është përfunduar asnjë pjesë e asaj që ne kërkojmë. Jemi në bisedime. Kemi thënë, themi prapë, se nëse nuk plotësohen kërkesat, policia do të organizojë protesta", tha zoti Tasholli.

Edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë tashmë është kërcënuar se nuk do të fillojë procesi mësimor në shtator, nëse pagat e tyre nuk rriten. Ali Shabani, kryetar i kësaj sindikate, thotë se kërkesat e katër sindikatave të punëtorëve në institucionet publike mund të shprehin pakënaqësi të mëdha që mund të manifestohen edhe në rrugë.

"Gjithçka është e mundur, mund të ketë, ato kanë filluar. Ne mund të flasim për realitetin. Realiteti është se dje është mbajtur një grevë në sektorin e shendetësisë dhe një grevë e paralajmëruar, e cila mund të shpërthejë në shtator sipas tyre. Por, edhe policia ka bërë një gjë të tillë. Unë po shpresoj që në arsim gjendja është krejt tjetër dhe po shpresoj që qeveria do t'i implementojë ato. Por, nëse Qeveria nuk i realizon, sigurisht që SBASHK-u do të veprojë", tha Shabani.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se buxheti i konsoliduar i Kosovës, njëherë për njëherë, nuk lejon mundësi për rritje të pagave në të gjithë sektorët. Gjergj Dedaj, nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, thotë se premtimet që i ka bërë qeveria për gradim të punëtorëve në sistemin e arsimit, do t'i realizojë, ndërkaq për punëtorët e sektorëve të tjerë, rritje do të ketë, por jo shpejt.

"Të gjitha strukturat e shoqërisë kosovare në përgjithësi duhet të kenë një mirëkuptim të veçantë gjatë këtij viti. Konferenca e Donatorëve veç sa ka kaluar, tash janë edhe pushimet verore, që gjithkund në botë bie ritmi dinamik i aktiviteteve qeveritare shtetërore. Kjo ndodh edhe në Kosovë. Unë mendoj që duhet të priten momente të caktuara dhe Qeveria e Republikës së Kosovës atë që e ka premtuar, do ta plotësojë", tha Dedaj.

Por, Shaban Tasholli, nga Sindikata e Policisë, thotë së vërehet qartë se ditëve të fundit janë rritur pakënaqësitë e punëtorëve dhe qeveria duhet të gjejë mundësi, në mënyrë që t'i parandalojë grevat eventuale.

"Këto ditë vërehet pakënaqësia, ka marrë përmasa të mëdha të shumë punonjësve, shumë institucioneve dhe dhashtë Zoti që këto të realizohen dhe të mos ketë pakënaqësi", tha Tasholli.

Ndryshe, ekspertë të çështjeve ekonomike tashmë kanë dhënë mendime të ndryshme lidhur me atë, se a lejon buxheti i Kosovës rritje të pagave në këta sektorë. Përderisa disa kanë pohuar se me një menaxhim më të mirë të buxhetit mundësitë ekzistojnë, të tjerë kanë deklaruar se buxheti i këtij viti nuk lejon një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG