Ndërlidhjet

logo-print

Surroi: Kosova nuk ka vizion të politikës së jashtme


Veton Surroi

Veton Surroi

“Kosova nuk ka vizion të politikës së jashtme. Ajo ende po funksionon thuajse nuk e ka shpallur pavarësinë e vet", thotë për Radion Evropa e Lirë, publicisti Veton Surroi.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, fillimisht, si e vlerësoni procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, bazuar edhe në pritjet e institucioneve dhe asaj që është realizuar deri në këtë fazë?

VETON SURROI
Mendoj se dy gjëra duhet pasur parasysh: ne nuk duhet të kemi si kut matës suksesshmërinë, por duhet ta kemi nevojën e Kosovës. Nevoja e Kosovës është që të jetë e njohur prej dy të tretave të anëtarëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që ta ketë legjitimitetin e vet ndërkombëtar.

Pra, nga ky kut, nga kuti i nevojave të Kosovës, i funksionimit të Kosovës si shtet nuk është përmbushur ajo që do të duhej të ndodhte.

Çështja e dytë është se edhe këto njohje që janë bërë, janë bërë falë drejtpërsëdrejti angazhimit të sponsorëve ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës, pra miqve të Kosovës. Miqtë e Kosovës natyrisht kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për krijimin edhe të këtij numri të njohjeve.

Të dyja këto çështje shtrojnë pyetje për Kosovën: një, kur do t'i marrë përsipër Kosova obligimet e veta dhe dy, cila është ajo rrugë që e pret Kosovën në të ardhmen, çfarë strategjie ka ndërmend Kosova të ketë, në mënyrë që të ketë një njohje të plotë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Kishte këtu disa vlerësime se Kosovës i duhen njohje kualitative, përderisa krijohej përshtypja se ishin harruar shumë blloqe shtetesh. Sa ishte e qëlluar një strategji, platformë e tillë politike?

VETON SURROI
Absolutisht ka qenë obligim. Këtë obligim nuk e kanë kryer institucionet e Kosovës. Është e tepërt të thuhet se Kosova nuk ka një aktivitet të duhur në politikë të jashtme, nuk ka vizion të politikës së jashtme.

Një politikë e jashtme, një platformë e politikës së jashtme ende nuk është diskutuar bile as në Kuvendin e Kosovës. Pra, Kosova ende funksionon thuajse nuk e ka shpallur pavarësinë e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund t'u kthehemi edhe aspekteve të brendshme politike - që nga shpallja e pavarësisë e më pas fuqizimit të Kushtetuës, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin legal, sidomos në pjesën veriore. Sa konsideroni se ka mundur të bëhet më tepër në këtë drejtim?

VETON SURROI
Natyrisht se ka mundur të bëhet më tepër. Çështja e parë, e cila duhet të bëhet, është që të sajohet një projekt, një program, një vizion i asaj se si do të zgjidhet ky problem.

Problemi ekziston, ky problem nuk është shpikur sot, ekziston prej vitesh. E kemi ditur se do të mbërrijmë në këtë gjendje dhe tash kërkohet një iniciativë kosovare që do t'i kërkojë bashkësisë ndërkombëtare se si ka ndërmend të zgjidhet kjo gjendje.

Ky është një problem i vjetër dhe ajo çka nevojitet tash, është një iniciativë, një projeksion, një ofertë e Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare për atë se si do të zgjidhet kjo gjendje, me çfarë afati kohor, me cilat mjete, me çfarë iniciativash politike.

RADIO EVROPA E LIRË
A nuk mjafton këtu pakoja e Ahtisaarit dhe zgjidhjet që ofrohen në këtë dokument që të ketë një zgjidhje të pranueshme brenda këtij dokumenti për serbët?

VETON SURROI
Pakoja doemos duhet të zbatohet. Ky është një obligim që Kosova e ka ndërmarrë. Nuk po them se duhet shpikur pako tjetër. Duhet krijuar një iniciativë politike që tregon se me çfarë hapash do të bëhet zbatimi i pakos së Ahtisaarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e komplikon tërë procesin mosbashkëpunimi i serbëve e tash së fundi edhe refuzimi i tyre që të bashkëpunojnë me EULEX-in si mision i ri në Kosovë?

VETON SURROI
Padyshim se është një formë e veprimit politik që do të bllokojë veprimin e një Kosove të pavarur në tërë territorin e saj. Kjo ka qenë e pritur. Është dashur të mendohet se do të ndodhë në këtë formë. Bile, është formë e butë në masë të madhe. Për fat të mirë, nuk kemi ngjarje shumë të dhunshme.

Ajo çka duhet pasur parasysh, është se kjo gjendje duhet tejkaluar. Kosova nuk mund të mbahet e ndarë dhe nuk mund të jetë funksionale nëse është e ndarë.

Pra, është interes strategjik i Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare që vendi të funksionalizohet në tërë territorin dhe kjo të ndodhë në një proces politik, i cili nuk ndodh prej një dite në tjetrën, por që është i qartë, që ka një objektivë dhe i precizon afatet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit janë vënë disa paralele mes zhvillimeve në Gjeorgji dhe Kosovës. A shihni ju implikime, qoftë të atilla që kanë të bëjnë me Osetinë Jugore atje dhe veriun e Kosovës këtu?

VETON SURROI
Mendoj se ajo që ka qenë e qartë prej fillimit, për mua së paku, ka qenë se refleksioni kaukaz do të vijë jo për shkak të njohjes së Kosovës, por, përkundrazi, mu për shkak të këmbënguljes së Rusisë që të mbeten kriza të hapura në vende të ndryshme.

Strategjia e Rusisë nuk është shpallja e pavarësisë së Osetisë, Abkhazisë, as shfrytëzimi i çështjes së Kosovës për këtë punë. Strategjia është që të mbeten konflikte të hapura, konteste, konflikte qoftë të ashtuquajtura të ngrira, që kanë dimensionin e vet bukur të dhunshëm, me të cilat Rusia pengon zhvillimin normal të shoqërive demokratike, shtrirjen e konceptit të Evropës së bashkuar.

Në rastin e Kosovës, është interes strategjik i Rusisë, që përmes veriut të pengojë funksionimin e Kosovës së pavarur si një shtet evropian.

Në rastin e Gjeorgjisë është që nëpërmjet Abkhazisë, Osetisë jugore, të pengojë zhvillimin e Gjeorgjisë si një shtet evropian, i cili transformohet prej një diktature ish-sovjetike në një shtet evropian demokratik.

Duke penguar zhvillimin e Gjeorgjisë, Rusia pengon po ashtu në mënyrë strategjike qarkullimin e naftës nëpër territorin gjeorgjian, që është një interes i politikës së re të një superfuqie energjetike çfarë është Rusia.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund zoti Surroi, marrë parasysh të gjitha këto zhvillime, gjendjen në veri dhe njohjen ende të pamjaftueshme ndërkombëtare, sa rrezikon atëherë Kosova që të mbetet një lloj konflikti i ngrirë?

VETON SURROI
Rreziku është i madh. Për këtë rrezik kam folur prej kohësh. Ne tashmë kemi hyrë në një fazë - në vend se Kosova të ishte më ofanzive që prej shkurtit të këtij viti, bile edhe më herët, për njohjen e pavarësisë së vendit, ne në shtator do të hyjmë në një fazë defanzive, ku duhet mbrojtur nga sulmi i Serbisë, i cili do të zhvillohet në Asamblenë e Përgjithshme për të ngrirë në një formë apo tjetër legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG