Ndërlidhjet

Analistët: Kontesti me Greqinë – rrezik për tensione ndëretnike


Shkupi
Shkupi

Moszgjidhja e kontestit për emrin me Greqinë mund të shkaktojë tensione brenda Maqedonisë, pasi shqiptarët nuk pajtohen me mbetjen e tyre jashtë proceseve integruese evropiane, vlerësojnë analistët shqiptarë në Shkup. Sipas Mersel Bilallit, fajtorë për një situatë të këtillë do të jenë zyrtarët qeveritarë maqedonas, të cilët me politikën që po ndjekin në rastin me Greqinë, po dëshmojnë se janë kundër integrimit të vendit.

Në dy muajt e ardhshëm shumë gjëra do të qartësohen rreth kontestit greko-maqedonas për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Duke marrë në konsideratë qëndrimet e deritanishme kundërshtuese mes dy palëve dhe pamundësisë për arritjen e kompromisit, mund të paraqitet situatë e re brenda vetë Maqedonisë apo kundërshtime mes dy bashkësive etnike më të mëdha – shqiptarëve, që dëshirojnë integrimin, dhe zyrtarëve qeveritarë maqedonas, të cilët çdo ditë e më tepër po dëshmojnë se nuk duan një gjë të tillë.

Këshu vlerëson Mersel Bilalli, njohës i zhvillimeve ndërkombëtare dhe këshilltar për politikë të jashtme në Qeverinë e ish-kryeministrit Vllado Buçkovski.

"Unë mendoj se këto dy muajt e ardhshëm do të bëhen tentimet e fundit nga ana e SHBA-ve për realizimin e fundit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, megjithatë kjo do të jetë vetëm pjesë e dëshirës së tyre.Unë nuk jam i bindur se pushteti aktual i Maqedonisë ka disponim për zgjidhjen e problemit me Greqinë dhe për pasojë muajt e ardhshëm me siguri se do të ndeshemi me situata pak më të kthjellta".

"Pra, nëse zgjat procesi i refuzimit, atëherë në Maqedoni do të imponohet një mendim tjetëfare, i cili mund të jetë kundërshtues në radhë të parë mes dy bashkësive etnike dhe kjo do të hapë një proces tepër të dëmshëm për Maqedoninë", tha Mersel Bilalli.

Ai mendon se arritjen e zgjidhjes së pranueshme e bën të pamundur edhe pozicioni i skajshëm i palës maqedoanse, e cila së fundi ka insistuar që në negociata të përfshihet edhe njohja e Kishës Ortodokse nga pala greke.

"Qeveria maqedonase ose ka ndonjë alternativë tjetër, e cila për mua është diametralisht në kundërshtim me intersat vitale të Maqedonisë, ose aspiratat për të qenë në pushtet janë shumë më të fuqishme dhe metodat populiste nuk i mundësojnë asaj të gjejë zgjidhje", thekson Bilalli.

Sa i përket njoftimeve në shtypin grek se ndërmejtësi i OKB-së, Metju Nimic, ka dalë me propozimin - Maqedonia Veriore në disa variante - zoti Bilalli thotë se kjo nuk është gjë tjetër pos përpjekje e Athinës që në forma të ndryshme të pamundësojë arritjen e marrëveshjes.

Duke iu rikthyer pozicionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me kontestin për çështjen e emrit dhe bllokimin e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, zoti Bilalli thotë se është i drejtë vlerësimi i fundit i Sekretares amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, se çështja e emrit nuk mund të jetë kusht për anëtarësim në NATO.

"Mesazhi i kësaj deklarate është se megjithatë është bërë shkelje e parimeve të NATO-s. Përkundër kësaj, unë mendoj se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër jashtë zgjidhjes së problemit të emrit. Realisht, ky është edhe konkluzion i Samitit të Bukureshtit",
përfundoi Mersel Bilalli.

Ndërkohë, detajet e bisedimeve të fundit mes delegacionit të Shkupit dhe Athinës do të publikohen pas kthimit nga Nju Jorku të delegacionit maqedonas.
XS
SM
MD
LG