Ndërlidhjet

logo-print

Strukturat paralele sfidojnë institucionet e Kosovës


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Strukturat paralele në veri sfidojnë institucionet dhe ndërmarrjet publike të Kosovës. Sipas analistëve, shkak i kësaj është mungesa e autoritetit të Qeverisë së Kosovës, si dhe të misionit të KB-ve e BE-së në këtë pjesë të vendit.

Strukturat paralele serbe vazhdojnë t'i sfidojnë institucionet dhe ndërmarrjet publike të Kosovës gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Si formë e kundërshtimt dhe të neglizhencës ndaj institucioneve shtetërore, serbët në veri të qytetit të Mitrovicës kanë krijuar institucionet dhe shërbimet e veta paralele në fushat si arsim, shëndetësi, energjetikë dhe të tjera, e të cilat funksionojnë jashtë autoritetit të shtetit të Kosovës.

Një shembull për këtë janë edhe automjetet serbe, të cilat gjatë qarkullimit në veri mbajnë targat me shkurtesat e qyteteve të Kosovës, të cilat përdoreshin gjatë periudhës së paraluftës, ndërkohë që gjatë qarkullimit nëpër territorin e Kosovës këto targa i zëvendësojnë me ato që mbajnë shkurtesën KS.

Policia e Kosovës në Mitrovicë kërkon mbështetjen e pushtetit lokal për t'i detyruar vozitësit serbë t'i përdorin targat zyrtare të Republikës së Kosovës, të cilat pritet të lëshohen kah mesi i muajit shtator.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë:

"Atë çfarë ne si polici duhet të kërkojmë, është pikërisht gjetja e formave dhe e mënyrave se si të bëjmë të realizueshme këtë punë sa më lehtë që është e mundshme. Ju e dini që ka pasur X raste kur ne kemi tentuar t'i implementojmë targat KS, e që ka pasur një vështirësi mjaft të madhe".

Përveç problemit të kontrollimit të automjeteve që kalojnë përgjatë urës së lumit Ibër, problem tjetër shqetësues për institucionet kosovare është edhe inkasimi i të hollave dhe borxheve për shpenzimet e energjisë elektrike ndaj Koorporatës Energjetike të Kosovës.

Zëvendësministri i Energjetikës dhe Minierave të Kosovës, Blerim Rexha, thotë se inkasimi në pjesën veriore të Mitrovicës nuk mund të bëhet për shkak të dy problemeve - problemit politik dhe atij teknik.

"Aty janë dy probleme - është problemi politik dhe mbi të gjitha është problemi teknik, që nuk mund të bëjmë shkyçje kolektive. Gjithsesi duhet të jemi realë se nuk do ta kemi lehtë dhe nuk do të kemi përkrahje siç kemi në pjesë të tjera, mirëpo ata janë konsumatorë të KEK-ut, janë borxhlinjtë e KEK-ut. Dikush ose ata duhet të paguajnë energjinë, të cilën e shfrytëzojnë", thotë Rexha.

Ndërkohë, analisti nga Instituti për Studime te Avancuara GAP, Shpend Ahmeti, vlerëson se mungesa e autoritetit të Qeverisë së Kosovës, sikurse edhe e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në veri, lë hapësirë për qarkullim të pakontrolluar të mallrave në këtë pjesë të vendit.

"Në veriun e Kosovës është problemi i mungesës së ushtrimit të autoritetit që duhet ta ketë Qeveria e Kosovës dhe problemi kryesor, tani për tani, paraqitet në doganat e Kosovës, të cilat faktikisht nuk mund ta ushtrojnë punën e tyre në veri, por duhet që atë punë ta kryejnë në pjesën jugore, gjë që lë shumë hapësirë për kontrabandë e edhe për mungesë të kontrollit se çka hyn në Kosovë dhe çka del", thotë Ahmeti.

Ahmeti shprehet skeptik për mundësitë e rikthimit të autoritetit të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë në veri.

"Kjo është një çështje shumë problematike për shkak se veprimet e klasës sonë politike në të kaluarën tanimë i kanë kufizuar shumë opsionet që ato mund t'i kenë, dhe UNMIK-u, për shkak të intervenimit të tyre që patën në veri pas pavarësisë dhe kritikave që morën nga shtetet e ndryshme, jam shumë skeptik që mund të hyjnë dhe të intervenojnë në çfarëdo mënyre në veri dhe mendoj se as Qeveria e Kosovës nuk e ka gatishmërinë që ta bëjë atë ndërhyrje", thekson Ahmeti.

Veriu i Kosovës pritet të jetë edhe tema më e nxehtë gjatë bisedave për çështjet akoma të padefinuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat do të zhvillohen nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut.

XS
SM
MD
LG