Ndërlidhjet

Kosova nuk krahasohet me Osetinë e Jugut


Përkundër analogjive që mund të tërhiqen, Kosova nuk mund të krahasohet me Osetinë e Jugut, thotë Paul Williams, drejtor i Institutit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Publike në Uashington.


Megjithëse mund të tërhiqen disa analogji për ekzistimin e precedentit në rastin e Kosovës, ato nuk do ta zgjidhin konfliktin në Osetinë e Jugut. Në fakt, analogjitë madje vetëm sa i theksojnë dallimet ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut, dhe nuk janë në funksion të ndërtimit të precedentit.

Në interevenimin në konfliktin në rajonin e Osetisë së Jugut në Gjeorgji, Rusia pretendonte se aksionet e saj janë të justifikueshme pjesërisht për shkak të precedentit të krijuar me pavarësinë e Kosovës. Por nuk ka 'precedent të Kosovës'. Çdo situatë ndërkombëtare duhet të konsiderohet individualisht në bazë të historisë së saj dhe rrethanave të konfliktit, në mënyrë që zgjidhja e kërkuar t'i plotësojë sa më mirë interesat e popullsisë.

Trajtimi i shqiptarëve në Kosovë gjatë një periudhe 10-vjeçare tërhoqi vëmendjen e konsiderueshme ndërkombëtare në rajon. Duke qenë në duart e serbëve, shqiptarët ishin objekt i shtypjes, e cila arriti deri në pikën e spastrimit etnik. Këto shkelje sfidonin drejtpërdrejtë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Për dallim nga kjo, në Osetinë e Jugut nuk kanë ndodhur mizori të ngjashme. Konflikti kryesor ndërmjet Gjeorgjisë dhe Osetisë së Jugut zgjati vetëm dy vjet, nga 1990-1992. Nga ana tjetër, nuk pati asnjë provë se aksionet e fundit të qeverisë së Gjeorgjisë për të rivendosur rendin kushtetues në Osetinë e Jugut e arritën nivelin e aksioneve që i ndërmorrën serbët në Kosovë. Pohimet e Rusisë për gjenocid në Osetinë e Jugut dolën tërësisht të pabaza.

Për pasojë, edhe pohimet e Rusisë për ndërhyrje humanitare në Osetinë e Jugut gjithashtu janë të pabaza, veçanërisht për shkak se intervenimi shkoi përtej vendosjes së rendit në këtë rajon të trazuar.
Me kushtetutën jugosllave të vitit 1974, Kosova kishte statusin e krahinës autonome, me virtuelisht të drejtat dhe përgjegjësitë e njëjta si gjashtë republikat jugosllave, madje edhe me të drejtën e shkëputjes.

Autonomia e Kosovës e përfshinte identitetin dhe territorin e saj, kompetencat në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe përfaqësimin në të gjitha organet e federatës jugosllave. Rrjedhimisht, aksionet e Serbisë për të privuar Kosovën nga autonomia e saj, që filluan në vitin 1989, ishin qartësisht jokonzistente me ligjin dhe kushtetutën ekzistuese të Jugosllavisë, si dhe me praktikën e njiohur ndërkombëtare.

Osetia e Jugut nuk ka patur të drejta të këtilla në kohën e Bashkimit Sovjetik. Sipas nenit 72 të Kushtetutës Sovjetike të vitit 1977, vetëm 15 republikat e kishin të drejtën të shkëputen nga bashkësia. Gjeorgjia doli nga Bashkimi Sovjetik si një shtet i njohur ndërkombëtarisht, si shtet i pavarur, ndërsa Osetia e Jugut ishte pjesë e territorit të saj.

Konventa e Montevideos për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Shteteve e vitit 1933, i ka përcaktuar kriteret tradicionale për njohjen ndërkombëtare. Për t'u njohur ndërkombëtarisht, shteti duhet të ketë popullsi të përhershme, territor të përcaktuar, qeveri dhe kapacitet për të zhvilluar marrëdhënie të jashtme.

Territori i Kosovës, popullsia e përhershme e saj, qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe përfaqësimi diplomatik në botë shumë lehtë i plotësojnë kriteret e këtilla.

Megjithëse Osetia e Jugut është territor i përcaktuar brenda Gjeorgjisë, popullsia e saj ka qenë në dyndje, dhe rrjedhimit nuk mund të konsiderohet e përhershme. Qeveria e Osetisë së Jugut në thelb është shtet kukull i Rusisë, dhe shtrohet pyetja nëse në zgjedhje demokratike ky rajon do ta mbështeste pavarësinë. Nga ana tjetër, qeveria e Osetisë së Jugut ka ekzistuar në një izolim ndërkombëtar dhe nuk është angazhuar në marrëdhënie diplomatike me shtetet tjera, përveç Rusisë.

Gjatë administrimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova plotësoi edhe standarde tjera ndërkombëtare, që parashihen me Aktin e Helsinkit dhe Kartën e Parisit, kurse Osetia e Jugut nuk i ka plotësuar kërkesat për njohje që kërkohen nga Bashkimi Evropian, por përkundrazi, ka ndërmarrë veprime që janë në kundërshtim me frymën e BE-së.

Në Kosovë, bashkësisë ndërkombëtare nuk i mbeti asnjë zgjidhje përpos që të intervenojë që të ndalë spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Serbisë. Kosova u njoh si shtet i pavarur nisur nga statusi i saj brenda federatës jugosllave dhe plotësimi i kritereve ndërkombëtare për njohje.

Për dallim nga kjo, ndërhyrja e Rusisë në Osetinë e Jugut gjatë dekadës së kaluar, dhe veçanërisht intervenimi i javës së kaluar, rezultoi me spastrim etnik të përmasave të mëdha dhe shkelje flagrante të integritetit territorial të Gjeorgjisë.
XS
SM
MD
LG