Ndërlidhjet

logo-print

"Pak gjasa për anëtarësim në OKB sivjet"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Edhe sikur të pranojë nga dy njohje në ditë deri në hapjen e sesionit të 63-të, më 16 shtator, të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Republika e Kosovës ka gjasa minimale që këtë vit të fitojë anëtarësinë në grupin e shteteve të lira në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Se shpresat për anëtarësim brenda këtij viti janë minimale në trupën kryesore globale për ruajtjen e rendit ndërkombëtar, në mënyrë të tërthortë e pranojnë edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. "Ne po përcjellim me vëmendje zhvillimet dhe dëshirojmë që të kemi numrin e mjaftueshëm të shteteve para se të aplikojmë. Natyrisht që kjo varet edhe nga Këshilli i Sigurimit, jo vetëm nga Asambleja e Përgjithshme", ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pak ditë më parë. Në ditët e para pas shpalljes së pavarësisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se menjëherë do të dërgoheshin ftesat për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshire edhe Kombet e Bashkuara, por kjo gjë deri tash është bërë vetëm në dy organizatat më të mëdha botërore financiare, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Arsyeja e vetme për mosaplikim në OKB deri tash ka qenë numri jo i mjaftueshëm i shteteve...

ZËRI
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, pas kthimit nga Nju Jorku, ku të premten, në selinë e OKB-së dorëzoi kërkesën e Serbisë që në rend të ditës së seancës vjeshtore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të futet propozimi i Serbisë - iniciativa që për legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës të deklarohet Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë, ka deklaruar se "pjesa dërrmuese e anëtareve të OKB-së, edhe pse nuk deklarohet haptazi, është për këtë iniciativë". Por, ai ka pranuar se pason "lufte e rëndë" për të fituar shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për iniciativën që Gjyqi të deklarohet për Kosovën. Jeremiq ka thënë se "për pranimin e kërkesës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nevojitet shumica e thjeshtë, e jo përkrahja e 92 shteteve, siç kanë informuar mediet". Ai ka shtuar se "asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë e Rusisë për shkak të situates në Gruzi dhe se Serbia mund të llogarisë në përkrahjen ruse per iniciativën në Asamblenë e Përgjithshme"...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës, muajin e ardhshëm, pritet t'ia procedojë Kuvendit ligjin për ekzekutivin. Tashmë drafti i parë i këtij ligji është hartuar nga Ministria e Shërbimeve Publike në baze të autorizimit të Qeverisë. Draftligji, siç thuhet, ka marrë parasysh përvojat më të mira të vendeve të rajonit dhe më gjerë, për të pasur një qeveri më efektive dhe efikase. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se gjatë hartimit të versionit të parë janë marrë parasysh përvojat e mira të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Ai mohoi mundësine që paqartësitë të kenë ndonjë reflektim rreth rolit që do të ketë prezenca ndërkombëtare në Kosovë. "Ligji ka të bëjë me organizimin e brendshëm dhe kompetencat e Qeverisë dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën", tha Kuçi në një prononcim për gazetën. Ndërsa Kushtetuta e Kosovës parasheh një ndarje të pushteteve dhe fuqizim të kompetencave të këtyre pushteteve, ende ka një pikëpyetje politike rreth rolit që do të ketë prezenca ndërkombëtare dhe relacionet karshi institucioneve të Republikës së Kosovës...

INFOPRESS
Nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi mes UNMIK-ut dhe misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, do të qartësojë rolin e të dyja misioneve ndërkombëtare në Kosovë. "Ky memorandum pritet të qartësojë edhe më shumë rolin e misionit evropian në Kosovë, respektivisht procesin e mëtejshëm të rikonfigurimit të UNMIK-ut në Kosovë", ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, i cili ka konfirmuar se sot do të nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit mes UNMIK-ut dhe EULEX-it, përmes të cilit rregullohen marrëdhëniet për bartjen e kompetencave në gjyqësi, polici dhe në dogana. Sipas Ivankos, një memorandum i tillë do të mundësojë definimin e rolit të EULEX-it në Republikën e Kosovës gjatë periudbës së rikonfigurimit të UNMIK-ut...

EPOKA E RE
Ministri i Punëve te Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, të premten, në një intervistë dhënë gazetës "Epoka e re", ka thënë se Kosova nuk mund të aplikojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila do të mbahet më 23 shtator. "Nuk ma merr mendja që deri më 23 shtator, kur edhe mbahet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kosova do ta ketë numrin e nevojshëm të njohjeve që të ketë mundësi të aplikojë për anëtarësim në OKB", ka thënë Hyseni. Analisti politik, Behlul Beqaj, ka thënë se Ministri i Punëve të Jashtme e ka të qartë se ka dështuar në përpjekje për njohjet e pritura. "Ministri i Punëve të Jashtme e ka të qartë se ka dështuar në përpjekjet për njohjen e pritur të 100 shteteve të premtuara nga kryeministri, prandaj po thotë të vërtetën. Të vërtetën e ka thënë edhe kryeministri se 100 vende kanë premtuar se do ta njohin, por ai ka menduar, së bashku me ministrin, se këtë do ta bëjnë ato shtete që i kanë premtuar, e jo vetë Qeveria e Kosovës", ka theksuar Beqaj, i cili ka shtuar se, nëse krahasohet pavarësia e Kosovës me vende të tjera që e kanë kaluar këtë proces, nuk do të ishte dështim, por nëse krahasohet me premtimet e dhëna nga institucionet e Kosovës, ato kanë dështuar plotësisht...

EXPRESS
Rusia ka shfaqur pakënaqësi me planin e UNMIK-ut që deri në fund të vjeshtës përmes procesit të rikonfigurimit të shuajë 71.5 për qind të strukturës aktuale. Përmes këtij procesi do të mundësohet zbarkimi i plotë i EULEX-it. Të dy keto procese kanë filluar me bekimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. "Kjo është e paligjshme. Rusia ka për qëllim t'ia dërgojë një demarsh Sekretariatit të OKB-së", ka thënë ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Konuzin, për të përditshmen serbe "Politika". Ai ka përsëritur qëndrimin rus se prania ndërkombëtare në Kosovë është definuar me vendirn të Këshillit të Sigurimit dhe çdo ndryshim i formatit të kësaj pranie duhet të bëhet përmes këtij organi. "Edhe vendosja e Misionit të OKB-së duhet të bëhet vetëm me pëlqim të Këshillit të Sigurimit dhe me pëlqim të palëve. Beogradi ka refuzuar EULEX-in sepse ky mision është krijuar për zbatimin e planit të famshëm të Ahtisaarit, të cilin Këshilli i Sigurimit e ka hedhur poshtë", ka thënë ai...

LAJM
Edhe pas gjashtë muajve që kur Kosova është bërë shtet, veriu mbetet një nga sfidat kryesore për institucionet e Republikës dhe institucionet ndërkombëtare. Problem tjetër vazhdon të jetë njohja e realitetit të krijuar. Që nga shpallja pavarësisë më 17 shkurt, Kosovën e kanë njohur vetëm 45 vende anëtare OKB-së. Ndërsa, menaxhimi i situatës së sigurisë, hyrja në fuqi e Kushtetutës, miratimi i një numri të konsiderueshëm ligjesh të Paketës së Ahtisaarit, konsiderohen të jenë të arriturat kryesore të institucioneve të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të shtetësisë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se shpallja e pavarësisë, njohja nga shtetet më të fuqishme botërore, ruajtja e tërësisë territoriale pas shpalljes së pavarësisë, hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe nxjerrja e një numri të madh të ligjeve, janë disa nga të arriturat kryesore të shtetit të ri, për gjashtë muajt e parë. "Këto janë të arritura që e kanë sjellë një stabilitet politik në vend dhe një pasqyrë e mirë për bashkësinë ndërkombëtare". Sipas numrit dy të ekzekutivit, si çdo shtet i ri, edhe Kosova ka pasur sfidat e veta...

BOTA SOT
Kur punët nuk shkojnë mbarë, ka vend edhe për kritika. Kjo s'do të thotë të jesh kudo lart e të mos "prekësh" aty ku puna çalon. Edhe në Kosovë kjo "çështje" e programit të Qeverisë po "pëshpëritet" për të mos thënë se po kritikohet. Andaj, drejtuesit e AKR-Internacional në Zvicër që funksionon në kuadër të AKR-së në Kosovë, e kanë kritikuar programin e Qeverisë së Kosovës, i cili, sipas Arben Kurteshit dhe Mevlud Jerliut, nuk paraqet program konkret dhe të qartë për një të ardhme të Kosovës. Arben Kurteshi, kryetar i AKR-lntemacional thotë se i kanë berë një analizë profesionale tërë programit të qeverisë dhe të gjitha prioriteteve të saj, por në fakt është parë se programi qeveritar më tepër i ngjan një tregimi sesa një programi konkret. Kurteshi mendon se në programin qeveritar nuk janë përfshirë masat konkrete për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Mandej, nuk janë përcaktuar qartë stimulimet nga ana e investitorëve të huaj dhe në cilin sektor dëshiron qeveria t'i stimulojë ata. Në programin qeveritar mungojnë resurset e Kosovës, nuk ka program ambicioz dhe profesional rreth uljes së papunësisë në Kosovë etj...






XS
SM
MD
LG