Ndërlidhjet

Jo Memorandum Mirëkuptimi, por aranzhim teknik


Flamuri i Kombeve të Bashkuara
Flamuri i Kombeve të Bashkuara

Zyrtarët e administratës së UNMIK-ut kanë konfirmuar se është arritur pajtimi me Bashkimin Evropian që sot të nënshkruhet marrëveshja teknike, me të cilën UNMIK-u fillon bartjen e aseteve te misioni i ri në Kosovë – EULEX.


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe ai i Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje teknike, me të cilën administrata e UNMIK-ut fillon dorëzimin e aseteve tek misioni i EULEX-it.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, tha se bëhet fjalë për një marrëveshje të karakterit teknik dhe nuk ka të bëjë me marrëveshje politike, pasi që, sipas tij, ky aranzhim ka të bëjë vetëm me ndihmën logjistike për misionin e ri që do të vendoset në Kosovë.

Për dallim nga java e kaluar, kur zëvendësshefi i UNMIK-ut, Nicholas Haysom, kishte thënë se ky ishte një memorandum mirëkuptimi, sot zyrtarët e UNMIK-ut thanë se megjithatë bëhet fjalë vetëm për një lloj marrëveshjeje teknike dhe jo ndonjë lloj memorandumi.

"Nuk është Memorandum Mirëkuptimi, është një aranzhim teknik që ka të bëjë me transferin e disa aseteve, sidomos të veturave dhe ndërtesave që janë përdorur nga UNMIK-u tek EULEX-i", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.

Transferi i aseteve nga UNMIK-u tek EULEX-i shënon fazën e parë të tranzicionit, gjatë së cilës UNMIK-u fillon dhe reduktimin e stafit të vet që deri në vjeshtën e këtij viti parashihet të arrijë deri në masën 70 për qind.

Ndërkohë që misioni policor e gjyqësor i Bashkimit Evropian, EULEX, pritet të shtrihet në Kosovë në një numër prej diç më tepër se 2000 vetash.

Sidoqoftë, edhe pas tranzicionit, UNMIK-u do të mbetet me një numër të reduktuar në Kosovë, ndërkaq edhe vetë misioni i EULEX-it është përkufizuar si mision që hyn nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG