Ndërlidhjet

Para 40 vjetësh tanket ruse hynë në Çekosllovaki


Pamje në Pragë, 21 gusht 1968.
Pamje në Pragë, 21 gusht 1968.

Para 40 vjetësh, bota e shikonte se si në Çekosllovakinë e atëhershme depërtonin tanket ruse, duke e thyer shpresën se "socializmi me fytyrë njerëzore" do të mund të funsiononte në ish- bllokun sovjetik. E ashtuquajtura Pranverë e Pragës u shkatërrua në gusht të vitit 1968, duke u zëvendësuar me dy dekada të dimrit.

Duke i hedhur një vështrim nga Praga, pamjet e depërtimit të tankeve ruse në Gjeorgji krijojnë asociacione të pashmangshme. Shumë komentatorë dhe politikanë në mbarë botën kanë tërhequr paralele të zhvillimeve aktuale në Gjeorgji me ato të vitit 1968.

Gazetari i radios çeke, Jan Bednar, thotë se është vështirë që të mos rikujtohet ai gusht në Pragë, para 40 vjetësh, derisa po transmetohen lajmet për zhvillimet në Gjeorgji. Por, sipas tij, ka edhe dallime të mëdha.

"Dallim i madh që nuk mund të anashkalohet, është se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po intervenojnë në tensionet ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë. Në vitin 1968, këtë nuk e kemi parë lidhur me Çekosllovakinë. Atëherë, Uashingtoni dhe e tërë Evropa perëndimore e pranuan situatën ashtu siç ishte. Po ashtu, ata e pranuan idenë se Çekosllovakia e atëhershme i takonte sferës së ndikimit sovjetik", thotë gazetari Jan Bednar.

Më 21 gusht të vitit 1968, në orën 2 të mëngjesit, njerëzit u zgjuan nga zhurma e madhe e tankeve. Ja se si u shpjegua ky zhvillim nga radioja shtetërore e Çekosllovakisë në Pragë:

"Dje, më 20 gusht, të vitit 1968, aty kah ora 11 e mbrëmjes, forcat nga Bashkimi Sovjetik, nga Republika Popullore e Polonisë, nga Republika Demokratike e Gjermanisë, nga Republika Popullore e Hungarisë dhe nga Republika Popullore e Bullgarisë, e kaluan kufirin shtetëror të Republikës Popullore të Çekosllovakisë. Kjo u bë pa dijen e presidentit të Çekosllovakisë, të shefit të Kuvendit Kombëtar ose të kryeminsitrit apo të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë dhe organeve të saj zyrtare", u tha në radion shtetërore.

Katër muaj para invadimit, Partia Komuniste e Çekosllovakisë, e udhëhequr nga Aleksandar Dubçek, kishte ndërmarrë reforma me qëllim të eliminimit të ndërmjarrjeve më represive të regjimit dhe krijimin e të ashtuquajturit "socializëm me fytyrë njerëzore".

Së shpejti kjo reformë ishte bërë e njohur si Pranvera e Pragës. Në kuadër të kësaj reforme, në verë të vitit 1968, u eliminua cenzura dhe kjo ndikoi që të intensifikohen diskutime të hapura në gazeta, revista dhe botime të tjera.

Gjatë këtyre diskutimeve, disa i kishin vënë në pikëpyetje edhe vetë themelet e regjimit komunist.

Por, në gusht, durimit të Moskës i kishte ardhur fundi.

Posa kishin hyrë në kryeqytetin e Çekosllovakisë, ushtarët sovjetikë së shpejti e kishin gjetur selinë e radios dhe e kishin marrë kontrollin ndaj saj. Por, ata nuk e kishin ditur se shumë anëtarë të redaksisë ishin larguar, duke i marrë me vete pajisjet, të cilat pastaj i kishin vendosur në banesa private dhe kishin vazhduar transmetimin.

Në atë kohë, Pavel Pechacek ishte producent në radion shtetërore të Çekosllovakisë.

"Në këto studio të vogla, ishin njerëzit nga radioja çekosllovake dhe ata po transmetonin në fshehtësi. Ata merrnin lajme nga e gjithë Praga. Njerëzit kishin shkatërruar mbishkrimet e rrugëve në Pragë. Ishte e vështirë për ushtarët sovjetikë ta zbulojnë se ku saktësisht transmetohej programi. Ky program u transmetua për disa ditë", thotë Pehacek.

Ai më tutje i përkujton disa skena të pazakonshme në rrugët e Pragës. Para se të hynin në Çekosllovaki, ushtarëve sovjetikë u ishte thënë se po zhvillohej një kundër revolucion. Disa kishin menduar se kishte filluar Lufta e Tretë Botërore.

Por, ata kishin hasur në një gjendje krejtësisht tjetër: civilë të pa armatosur dhe të shqetësuar. Disa çekë ishin ngjitur në tanket ruse dhe kishin pyetur ushtarët "përse ju jeni këtu"?

Më tutje Pavel Pechacek shpjegon:

"Më kujtohet atleti më i njohur Emil Zatopek. Ai po shkonte nga një tank te tjetri dhe po diskutonte situatën me ushtarët sovjetikë. Disa prej tyre nuk ndjeheshin mirë. Kjo mund të vërehej. Ata kishin pritur njerëz që luftonin, njerëz me armatim. Por, tash ata shihnin njerëz të zakonshëm të cilët përpiqeshin ti bindnin se aty nuk po ndodhte asgjë kundër Bashkimit Sovjetik dhe se këtu askush nuk dëshironte të fillonte Luftën e Tretë Botërore. Ishte fascinuese ajo që bënte populli. Ishte një guxim i jashtëzakonshëm", thotë zoti Pechacek.

Ja se çka u thoshte ushtarëve rusë një grua çeke në gjuhën ruse në atë kohë:

"Është gabim i madh që gazetat tuaja nuk e shkruajnë të vërtetën. Nëse ata do ta bënin këtë ju nuk do të kishit nevojë të vini. Këtu nuk ka kundër-revolucion, siç kanë shkruar gazetat tuaja", thoshte kjo grua në gusht të vitit 1968 në rrugët e Pragës, ndërsa ushtari sovjetik përgjigjej se "ai po i zbatonte urdhërat".

Por, së shpejti, atmosfera ndryshoi krjetësisht. Aleksandar Dubçek dhe e gjithë udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste të Çekosllovakisë ishte zënë dhe ishte dërguar në Moskë. Të mbajtur praktikisht nën arrest, ata së shpejti kapitulluan ndaj kërkesave sovjetike dhe e nënshkruan të ashtuquajturin Protokol të Moskës, që e legjitimoi okupimin sovjetik dhe i anuloi të gjitha reformat e Pranverës së Pragë.
XS
SM
MD
LG