Ndërlidhjet

Marrëveshja UNMIK-BE i hap rrugën EULEX-it


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Analistët në Kosovë, marrëveshjen teknike, të cilën e nënshkruan përfaqësuesit e misionit të OKB-së dhe atij të BE-së, e shohin si një veprim të mirë drejt bartjes së kompetencave nga UNMIK-u tek EULEX-i.

Marrëveshjen teknike, të cilën e kanë nënshkruar sot përfaqësuesit e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian, që parasheh bartjen e aseteve te misioni i ri në Kosovë – EULEX, analistët politikë në Prishtinë e shohin si një hap të mirë drejt kalimit gradual të kompetencave.

Driton Lajçi, analist për çështje poltike, konsideron se një marrëveshje e tillë jep indikacion se gradualisht do të bëhet transferimi i kompetencave nga UNMIK-u te EULEX-i.

"Edhe pse është marrëveshje teknike dhe bëhet fjalë për lirimin e hapësirave fizike, bartjen e automjeteve dhe gjërave të tjera, është një hap i mirë, është hap në drejtimin e duhur, është hap që lë të kuptohet që UNMIK-u gradualisht po lëshon pe dhe po i hap dyert misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Është hap, i cili duhet përshëndetur e përkrahur dhe i cili duhet të vazhdojë edhe në transferimin e përgjegjësive të tjera te EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës", tha Lajçi.

Edhe analisti tjetër, Migjen Kelmendi, vlerëson se një marrëveshje e tillë është bërë në kohën e duhur dhe, sipas tij, këto veprime kanë qenë të pritura.

"Për mua po zhvillohet procesi i instucionalizimit ndërkombëtar të Kosovës. Ky akt është akt i pritur dhe akt i duhur në drejtimin e duhur, i cili si finale ka njohjen e Kosovës nga shtetet dhe anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me fjalë të tjera, ky proces që është komplikuar me atë Jo-në e famshme të Rusisë në Këshillin e Sigurimt dhe me një fushatë të tmerrshme anti-pavarësisë së Kosovës, në esencë prapëseprapë nuk po bën që ky proces të pengohet
", tha Kelmendi.

Por, analisti Driton Lajçi parasheh edhe vështirësi në kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te EULEX-i dhe institucionet e Kosovës. Ai konsideron se probelemt do të dalin kur përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të tentojnë të shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë Kosovën.

"Vështirësitë më të mëdha do të jenë në relacionin e pushtetit ekzekutiv ose një pjese të pushtetit ekzekutiv që është i shtrirë te pikat e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, i cili në njëfarë mënyre mban akoma disa nga kompetencat te misioni pasues i UNMIK-ut, pas rikonfigurimit. Në relacionin Qeveri e Kosovës dhe UNMIK, akoma do të ketë vështirësi, për shkak se Qeveria e Kosovës do të insistojë në shtrirjen e autoritetit të vet në gjithë Kosovën. Ndërsa, UNMIK-u, në anën tjetër, akoma ka një përkrahje politike edhe të fuqive të mëdha. Prandaj, ky dualizëm i pushteteve në relacionin Qeveri dhe UNMIK, do të vazhdojë edhe më tej", tha Lajçi.

Procesin e kalimit të kompetencave nga një mision te një tjetër, analisti Kelmendi nuk e sheh si proces të lehtë. Ai vlerëson se të gjitha këto zhvillime ndodhin për një zbatueshmëri sa më të madhe të ligjeve në Kosovë.

"Unë në parim, përgjithësisht nuk e shoh si të lehtë këtë proces, por ajo për çka edhe u inicua krejt ky mision ndërkombëtar që quhet EULEX, është pikërisht nevoja e Kosovës që t'i avancojë raportet institucionale, në raport me gjyqin dhe me drejtësinë, aty ku po ngec kjo shoqëri. Edhe pse është bërë shtet i pavarur, shteti i pavarur nuk do të thotë se i paska arritur të gjitha me vetë aktin e pavarësisë. Ajo ku kjo shoqëri duhet të japë provën kryesore, është respekti i ligjit", tha Kelmendi.

Transferimi i aseteve nga UNMIK-u tek EULEX-i shënon fazën e parë të tranzicionit, gjatë së cilës UNMIK-u fillon dhe reduktimin e stafit të vet, që deri në vjeshtën e këtij viti parashihet të arrijë deri në masën 70 për qind.

XS
SM
MD
LG