Ndërlidhjet

Thaçi: Rikonfigurimi i UNMIK-ut fuqizon institucionet e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyrtarët e UNMIK-ut konfirmuan se është arritur marrëveshja me BE-në për nënshkrimin e një aranzhimi teknik, me të cilin UNMIK-u fillon bartjen, përkatësisht shitjen e aseteve që i ka shfrytëzuar deri më tash, tek EULEX-i. Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se çdo transformim i UNMIK-ut, për Kosovën do të thotë më shumë pushtet dhe përgjegjësi shtetërore.


Rikonfigurimi i UNMIK-ut do të sjellë më shumë përgjegjësi shtetërore për Qeverinë e Kosovës, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se mbështet përpjekjet që po bëhen që misioni i Bashkimit Evropian, EULEX-i, të bëhet sa më shpejt funksional në Kosovë, duke besuar se bashkë me qeverinë vendore do të ndikojnë që në Kosovë të ketë një sundim edhe më të mirë e më efikas të rendit dhe ligjit.

“Të gjithë jemi pajtuar me rikonfigurimin aktiv dhe do të kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me ICO-n, edhe me EULEX-in. Roli i UNMIK-ut ka qenë për t'u vlerësuar në tetë vjetët e kaluar dhe është për t'u vlerësuar edhe sot roli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në mbështetje të Republikës së Kosovës. Por, në ndërkohë, çdo transformim dhe rikonfigurim që do të ndodhë ditët e ardhshme, nënkupton forcim të funksionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Ndërkohë, sot UNMIK-u dhe EULEX-i kanë arritur një marrëveshje teknike, me të cilën administrata e UNMIK-u ia shet EULEX-it asetet që nuk do t'i duhen më në të ardhmen, ngase administrata e Kombeve të Bashkuara do t’i nënshtrohet një procesi të rikonfigurimit që do të sjellë si rezultat shkurtime në stafin e kësaj administrate deri në 70 për qind.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, tha se ky nuk është një Memorandum Mirëkuptimi, pavarësisht se vetë zyrtarët e UNMIK-ut e kishin cilësuar më herët si të tillë. Sipas tij, kjo është vetëm marrëveshje teknike që nuk ka të bëjë me aspektet politike.

“Nuk është Memorandum Mirëkuptimi, është një aranzhim teknik që ka të bëjë me transferin e disa aseteve, sidomos të veturave dhe ndërtesave që janë shfrytëzuar nga UNMIK-u tek EULEX-i”,
tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.

Ndërsa zyrtarët e UNMIK-ut kanë refuzuar të komentojnë nëse shtrirja e EULEX-it për këtë fazë përfshin edhe pjesën veriore të Kosovës dhe Mitrovicën, në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se në Mitrovicë po bëhen hapa, sipas tij, të mëdhenj për integrimin e kësaj pjese dhe shtrirjen e pushtetit legal.

Sipas kryeministrit të Kosovës, problemi në pjesën veriore është problem bandash e grupesh kriminele dhe se ai mund të zgjidhet duke vepruar konform zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës.

“Gjendja që e kemi në veri është një gjendje që e kemi në tetë vjetët e kaluar, por tash e kemi një qeveri që nuk pajtohet me atë realitet dhe punon për ta ndryshuar, por jo në kuptimin e veprimeve të dhunshme, por përmes veprimeve të domosdoshme, të ligjshme, mirëkuptuese, pajtuese dhe bashkëpunuese edhe me komunitetin ndërkombëtar. Prandaj, edhe i kam ftuar qytetarët e Mitrovicës që assesi të mos i shesin pronat e veta, ndërkohë që qeveria po punon për ndërtimin e shtëpive të tyre”, tha Thaçi.

Ndërkohë, duke iu referuar procesit të deritashëm të njohjes së Kosovës dhe kritikave gjithnjë e më të mëdha të shoqërisë civile në Kosovë në adresë të qeverisë për dështime në politikën e jashtme, Thaçi tha se procesi i njohjes nuk ka të bëjë vetëm me vullnetin e Prishtinës, por edhe me politikat e vendeve veç e veç. Sipas tij, njohja do të ndodhë, por ajo do të jetë konstante.

“Unë jam mirëkuptues edhe ndaj zërave të ndryshëm që kërkojnë të bëhet më tepër, por ne nuk mund të vendosim në emër të vendeve tjera. Ato vendosin për njohjet tona. Ne i kryejmë punët tona, të cilat duhet kryer. Kemi instaluar qeverisje të mirë, po ndërtojmë rend demokratik, po ndërtojmë Kosovë atraktive për 2 milionë qytetarët e saj, pa dallim etnik, por në kuptimin afirmativ për të gjithë dhe po punojmë me vizion të qartë për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova nuk do të devijojë rrugën e saj dhe politikën pro-perëndimore, me marrëdhënie të posaçme me Uashingtonin dhe Brukselin, por duke pasur dhe një qasje respektabile për vendet tjera.

Thaçi ka premtuar se institucionet e Kosovës në afatin sa më të shpejtë, brenda këtij muaji, do t’i hapin edhe dhjetë ambasadat e para dhe do t'i emërojnë të ngarkuarit me punë në këto ambasada.
XS
SM
MD
LG