Ndërlidhjet

Rice: Rusia luan lojë shumë të rrezikshme


Një zyrtar amerikan tha se Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, pritet t'u bëjë thirrje aleatëve të NATO-s që të shqyrtojnë reduktimin e takimeve të nivelit të lartë dhe bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, që t'i bëjnë trysni Moskës t'u përmbahet zotimeve për armëpushim dhe tërheqje të trupave nga Gjeorgjia.

Rice sot do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, në të cilin aleanca do të synojë arritjen e qëndrimit të përbashkët rreth krizës ruso-gjeorgjiane.

Para takimit, Rice tha se NATO duhet t'ia bëjë të qartë Rusisë se nuk mund t'i bllokojë ish-vendet sovjetike, përfshirë Gjeorgjinë dhe Ukrainën, që të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta me institucionet e Perëndimit, siç janë NATO dhe Bashkimi Evropian.

Rice e akuzoi Rusinë se po luan një "lojë shumë të rrezikshme" duke përdorur forcën ushtarake në Gjeorgji, dhe tha se NATO-ja nuk duhet ta lejojë Moskën që t'i realizojë "synimet strategjike" të saj, duke rishkruar një "linjë të re" nëpër Evropë.

Ambasadori i Rusisë në NATO, Dmitry Rogozin, ka paralajmëruar se bashkëpunimi i Moskës me aleancën do të pësojë nëse ministrat e Jashtëm të NATO-s dështojnë të arrijnë, siç e quajti, një "vendim të përgjegjshëm" për konfliktin gjeorgjian.
XS
SM
MD
LG