Ndërlidhjet

Kush përfiton nga fondi i mirëbesimit?


Afër 400 milionë euro është shuma e Fondit të Mirëbesimit, i cili është krijuar si rezultat i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, e që mbahen të ngrira në Bankën Qendrore të Kosovës. Por, kush do të përfitojë nga ky fond?

Anëtarë të Bordit të ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit pohojnë se nga kjo shumë do të përfitojnë kreditorët potencialë, por edhe vetë buxheti i Kosovës.

Në bazë të rregullores së AKM-së, paratë mbahen në Fondin e Mirëbesimit, për arsye se nëse brenda një periudhe të caktuar paraqitet ndonjë pronar potencial i ish-ndërmarrjeve shoqërore, e të cilin Oda e Veçantë e konsideron se ka të drejtë në kërkesën e tij, atëherë ai pronar kompensohet prej atij fondi.

Bahri Shabani, anëtar i bordit të ish-AKM-së, thotë se numri i ankesave është shumë i madh, e sidomos të kompanive serbe.

"Këto mjete do të shpërndahen në bazë të kërkesave, përkatësisht ankesave, që mendojnë se kanë pjesë në ndërmarrjet shoqërore. Mirëpo, me prioritet do të shqyrtohen kërkesat e punëtorëve për 10-vjetëshin e kaluar për ndërmarrjet që kanë mbetur borxh".

"Do të shqyrtohen edhe kërkesat e të gjithë atyre që realisht, në mënyrë të argumentur, tregojnë me fakte se kanë qenë pjesë e zhvillimit të një ndërmarrjeje në Kosovë", tha Shabani.

Por, ai hedh poshtë njoftimet e fundit se rreth 80 për qind e 400 milionë eurove të grumbulluara nga ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, do t'u takojnë kompanive serbe.

“Mund t'i hedhim poshtë, sepse ndërmarrjet serbe nuk kanë investuar në Kosovë. Nëse ka investuar fondi i ish-Jugosllavisë, pjesë e tatimeve të asaj kohe ka qenë edhe Kosova, kështu që edhe Kosova do të ngre ankesë dhe padi për të marrë paratë për tatimin e vet, që ka dhënë në fodnin për zhvillimin e asaj kohe."


"Kështu që ato ankesa në parim do të shpallen të pavlefshme dhe shpresoj shumë se një pjesë e madhe e këtyre parave do të mbeten në buxhetin e Kosovës për zhvillimin ekonomik të saj”, pohon Shabani.

Kompanitë serbe do të mundohen që të shfrytëzojnë situatën dhe në këtë mënyrë edhe kanë sjellë ankesa, thotë Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit. Ai thotë se asnjë pjesë e mjeteve të grumbulluara nuk duhet të shkojë tek kompanitë serbe, me gjithë tentimet e tyre.

"Për ne kjo është e papranueshme dhe do të jetë e papranueshme për çdo qytetar të Kosovës, sepse dihet se në të kalurën këtu ka qenë një sistem që i ka ngjarë një ekonomie të planifikuar dhe pikërisht edhe Kosova ka qenë pjesë e atij sistemi".

"Këto fabrika shoqërore dhe asetët që ekzistojnë në Kosovë duhet t'i përkasin buxhetit të Kosovës, t'i kthejë ato para, sepse edhe ashtu Kosova, nga suksesioni i ish-Jugosllavisë nuk ka marrë asgjë", shprehet Shahini.

Megjithatë, Bahri Shabani, i cili njëherësh është edhe anëtar i bordit të agjencisë së re, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pohon se me fillimin e punës së kësaj agjencie, do të rishikohen edhe ankesat e kreditorëve potencialë.

“Ne do t'i rishqyrtojmë. Tashmë është pak më lehtë, sepse ju e dini edhe nga përbërja e bordit - pesë anëtarë janë vendorë - dhe jam i bindur se procedurat janë shumë më të shpejta në përcaktimin dhe definimin e çështjes së likuidimit të ndërmarrjeve, mirëpo edhe për shpërndarjen e 20 përqindëshit të punëtorëve".

"Kështu që besoj se brenda një kohe shumë të shkurtër këto para do të shpërndahen në një formë apo tjetër”, tha Shabani.

Ndryshe, nga 400 milionë euro që janë grumbulluar nga shitja e mbi 500 ndërmarrjeve shoqërore, 20 për qind prej tyre u takojnë punëtorëve.
XS
SM
MD
LG