Ndërlidhjet

Pekin: Medaljet e arta shkojnë drejt Lindjes


Pekin 2008
Pekin 2008
Sa i përket lajmit të madh nga Lojërat Olimpike të Pekinit, pjesën e luanit e kanë marrë SHBA-të me fenomenin e Michael Phelp. Notari amerikan ka marrë tetë medalje të arta, duke thyer rekordin e bashkombasit të tij, legjendës së notit Mark Spitz. Spitz pati fituar shtatë medalje të arta në Olimpiadën e Mynihut me 1972.

Por kjo është njëra anë e medaljes. Rezultatet e përgjithshme tregojnë se Kina kryeson me medaljet e arta të marra nga sportisët kinezë. Kjo është hera e parë që Kina ka gati dyfishin e medaljeve të arta krahasuar me medaljet e fituara nga Shtetet e Bashkuara. Që nga viti 1996 Kina ka njohur rritje të medaljeve të fituara në Olimpiada. Në Lojërat Olimpike të vitit 2004 në Athinë Kina për nga medaljet e marra ishte fare pranë SHBA-ve.

Kina ka qëllime aftagjata në sport. Ajo ka ngritur një sistem aftësimi e stërvitje të tipit sovjetik, që përfshin shkolla të specializuara sportive, në të cilat përfshihen të rinjtë me të dhëna për sporte të caktuara. Në fakt shkollat e tilla fillojnë që nga mosha 6 vjeçare.

Zyrtarët amerikanë të sportit llogarisin se 250 mijë fëmijë dhe të rinjë kinezë kanë ndjekur mbi 2000 shkolla të specializuara në të gjithë vendin gjatë viteve të fundit.
Psikologu i sportit, Grant Brecht tha se fitorja e Kinës në Lojërat Olimpike ka një ndikim përtej sportit.

"Ata do të besojnë se nëse atletët e tyre mund të arrijnë dhe të arrijnë rezultate të mira, atëherë krijohet një ndjesi optimizmi dhe arritje për të gjithë. Aktualisht në Kinë, që është dhe vendi organizator ekziston një rritje e vetbesimit derisa kanë numrin më të madh të medaljeve", thotë Breht për REL.

Ai shton se suksesi në sport shërben dhe për largimin e vëmendjes nga tema të padëshiruara për Kinën, siç është çështja e respektimit të të drejtave të njeriut.

Derisa medaljet e arta po fluturojnë masivisht drejt Lindjes, ka dhe elementë të tjerë që i bëjnë këto lojëra të ndryshme.

Atletët po motivohen për rezultate të mira gjithnjë e më shpesh me sasira të mëdha parash, në formën e shpërblimeve për çdo medalje të fituar.

Kështu Rusia ka premtuar 160 mijë dollarë për çdo medalje të artë të fituar, derisa Singapori për çdo medalje të artë ofron 700 mijë dollarë.

Ka nga ata që thonë se shpërblimet e tilla financiare shkojnë kundër shpirtit të garës në Lojërat Olimpike.
Psikologu sportiv Brecht e sheh stimulin material si ndër motivet që renditen në fund të listës së shtysave për atletët.

"Konkurrenca mes sportistëve është ndoshta motivi kryesor. Më pas vijnë motive të tilla si garimi për vendin tënd. Në fund vjen shtysa për para dhe përfitimet e tjra që vijnë me medaljen. Natyrisht nxitjet financiare janë të mira, por nuk janë shtysa kryesore e atletëve", thotë Brecht.
XS
SM
MD
LG