Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se në krahasim me vitet e kaluara, në gjashtëmujorin e parë të 2008-ës vërehet rritje e numrit të të rinjve, të cilët përdorin substanca narkotike. Nga ana tjetër, psikologët konsiderojnë se një nga faktorët e rritjes së numrit të përdoruesve të substancave narkotike është edhe ngadalësimi i zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe papunësia e madhe.

Në Kosovë është rritur dukshëm numri i konsumuesve të substancave narkotike, krahasuar me vitet e kaluara, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Arbër Bekaj, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se në bazë të statistikave të policisë, të rinjtë janë përdoruesit më të mëdhenj të substancave narkotike.

"Në bazë të statistikave, të cilat i posedon Policia e Kosovës lidhur me numrin e personave të arrestuar, si përdorues dhe si shitës, mund të themi se numri i përdoruesve në Republikën e Kosovës është në rritje", tha Bekaj.

Zëdhënësi i Policisë, Bekaj, konsideron se në krahasim me dy vjetët e kaluar, viti 2008 rezulton me shifra më të larta të shfrytëzuesve të narkotikëve.

"Gjatë vitit 2007, në periudhën janar-dhjetor, janë regjistruar 306 raste, përderisa në vitin 2006 gjithsejtë kanë qenë të regjistruar 284 raste të drogës. Në vitin 2007 kemi pasur të arrestuar 535 persona të dyshuar. Sa i përket vitit 2008, kemi pasur 95 persona të dyshuar", tha Bekaj.

Nga ana tjetër, psikologu Gazmend Kuqi konsideron se faktor që po ndikon në rritjen e numrit të përdoruesve të rinj me substanca narkotike, është ngadalesimi i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

"Faktikisht ndikon edhe faktori ekonomik, që një pjesë që është e papunë, në mungesë të obligimeve të tjera, del dhe merr droga. Pra, edhe faktori ekonomik mund të përmendet si faktor serioz për këtë çështje", theksoi Kuqi.

Edhe neuropsikiatri Skënder Boshnjaku thotë se shkalla e lartë e papunësisë ka rritur dukshëm këtë fenomen.

"Jashtëzakonisht po ndikon, sepse ngecja sociale, ekonomike, kulturore dhe papunësia, secilin njeri e shtyn në blerjen e një kuarajoje apo një shprese; këto diferencat e jashtëzakonshme brenda ditës, me këtë shkëlqimin e rrejshëm të disa individëve. Ashtu, ky individ që nuk ka çka të bëjë, është pre e një rrjeti të dilerëve që i inkuadrojnë në shitblerjen dhe marrjen e drogave", tha Boshnjaku.

Neuropsikiatri Boshnjaku ka kritikuar institucionet e Kosovës se nuk janë duke bërë sa duhet në parandalimin e këtyre dukurive negative. Ai thotë se institucionet vendore gjithsesi duhet të fillojnë luftën kundër drogave, pasi, shton ai, qasja e të rinjve tek droga është jashtëzakonisht e lehtë.

"Duhet të jetë një institucion i veçantë nën mbikëqyrjen e Qeverisë dhe aty të kyçen të gjitha strukturat profesionale, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrive të tjera, që të formohet një strategji në trajtimin, sqarimin dhe formimin e një plani për parandalimin e kësaj dukurie", u shpreh Boshnjaku.

Ndryshe, në tremujorin e parë të vitit 2008, Policia e Kosovës ka konfiskuar substanca narkotike të llojit heroinë më shumë se 12 kilogram, ndërsa marihuanë mbi 8 kg. Po ashtu, autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se kohëve të fundit policia ka arrestuar edhe disa persona, të cilët kanë tentuar të kultivojnë substanca narkotike.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG