Ndërlidhjet

Qeveria e opozita për 6 muajt e parë të pavarësisë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria dhe opozita ndajnë mendime të ndryshme lidhur me funksionimin e Kosovës si shtet. Për kryeministrin Thaçi, kjo periudhë karakterizohet nga funksionalizimi i shtetit, por opozita kritikon qasjen e qeverisë ndaj veriut.

Gjashtë muajt e parë të pavarësisë së Kosovës janë muaj historikë, muaj të suksesit, por edhe të sfidave dhe të të papriturave, vlerësojnë përfaqësues politikë në Prishtinë.

Përderisa kryeministri Hashim Thaçi thotë se Kosova ka arritur të dëshmojë të funksionojë si shtet falë përkushtimit dhe angazhimit të qeverisë së tij dhe institucioneve tjera, në anën tjetër opozita sheh edhe mangësi në funksionimin e Kosovës si shtet.

Kryeministri Thaçi vlerëson se gjashtë muajt e kaluar kanë qenë muaj historikë, kur Kosova pas shpalljes së pavarësisë nxori kushtetutën, miratoi ligjet shtetërore, simbolet dhe është në proces të njohjes si shtet i pavarur. I tërë procesi, shtoi Thaçi, ishte dhe vazhdon të jetë i koordinuar me Uashingtonin, Brukselin dhe partnerët tjerë perëndimorë.

“Bashkëpunimi i ngushtë me botën perëndimore ka qenë, është dhe do të mbetet vizioni i Kosovës, vizioni i institucioneve tona, prandaj çdo shmangie nga kjo rrugë do të ishte një avanturë krejt e panevojshme për vendin dhe popullin tonë”,
tha Thaçi.

Duke besuar se Kosova nuk është vetëm dhe se po zhvillohet si një shtet modern e demokratik, kryeministri Thaçi tha sot para kabinetit të tij të ministrave, se pavarësisht qasjeve që paraqiten në lidhje me politikën e jashtme dhe njohjen e Kosovës si shtet, vetëm institucionet e Kosovës do të jenë ato që do të përfaqësojnë vendin në çështjet e politikës së jashtme.

Thaçi edhe sot nuk është pajtuar me vlerësimet e opozitës si dhe të disa analistëve se ka ngecje në njohjen e Kosovës si shtet, duke potencuar se njohja prej 45 shteteve përfshin në vete edhe shtetet më të fuqishme botërore dhe ato me shkallën më të lartë të demokracisë.

“Sot, Kosova është shtet dhe Kosova në botë do të përfaqësohet vetëm nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Kosova në këtë periudhë ka pasur dhe një politikë të jashtme aktive dhe është njohur prej 45 shteteve të fuqishme të botës demokratike”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, deputeti nga tabori opozitar, Ibrahim Gashi, nënkryetar i Aleancës Kosova Re, thotë se ky ishte një vit i kthesave historike me vetë faktin se Kosova u shpall si shtet i pavarur e sovran. Por, Gashi mendon se jo të gjitha meritat për këto të arritura i takojnë qeverisë.

Ndërkaq, lidhur me njohjen e Kosovës si shtet, Gashi thotë se objektivat e Kosovës ishin dhe mbeten që të ketë njohjen e të paktën dy të tretave të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që do t'i mundësonte Kosovës të konkurrojë për anëtarësim në OKB, me çka do të legjitimonte edhe subjektivitetin e vet ndërkombëtar.

“Njohjet e shteteve veç e veç për Kosovën janë tepër të rendësishme. Në fakt, janë e vetmja rrugë e legjitimimit të statusit të ri të Kosovës. Për Kosovën janë të rëndësishëm numrat e shteteve që e njohin".

"Kosva po e humb tash pikërisht për shkak të mosnjohjes së saj nga një numër i caktuar shtetesh, po e humb mundësinë që edhe njëherë të provojë që ta ngre çështjen e pranimit në OKB në sesionin e shtatorit, pikërisht pse nuk e ka numrin e nevojshëm të dy të tretave për anëtarësim”, thotë Gashi.

Ibrahim Gashi sheh edhe sfida tjera, të cilat nuk i ka tejkaluar Kosova as pas gjashtë muajve të pavarësisë. Rikonfigurimi i vonuar i UNMIK-ut dhe shtrirja po ashtu e vonuar e EULEX-it, si dhe sfidat që Beogradi i bën tërësisë territoriale të Kosovës, sidomos në pjesën veriore, sipas Ibrahim Gashit, mbeten çështje në të cilat institucionet duhet angazhuar dhe këmbëngulin me tepër në ndryshimin e gjendjes.

“Nuk kemi performuar, do të thotë nuk ka pasur funksionalizim të shtetit. Kjo, para së gjithash, është vërejtur në çështjen e shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës".

"Këtu qeveria dhe institucionet e Kosovës janë sfiduar seriozisht nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, në këtë rast nga Serbia dhe një pjesë e serbëve lokalë që kanë qenë në njëfarë mënyre të instrumentalizuar prej Beogradit”, vlerëson Gashi.

Me shpalljen e pavarësisë, Kosova ka marrë si obligim para partnerëve ndërkombëtarë që të zbatojë pakon e Ahtisaarit, ndërkohë që prania e UNMIK-ut dhe mosshtrirja me kohë e EULEX-it, siç parashihet me atë dokument, mbetet ende një proces në vazhdim e sipër që sfidon qeverisjen vendore.

Kryeministri i Kosovës ka thënë dje se çdo ristrukturim apo rikonfigurim i UNMIK-ut, për institucionet e Kosovës do të thotë më shumë fuqi dhe më shumë përgjegjësi shtetërore.
XS
SM
MD
LG