Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Rusia do paguajë një çmim të lartë

  • RFE /RL

Pamje nga protestat kundër pushtimit rus të Gjeorgjisë, Tbilisi 2008.

Pamje nga protestat kundër pushtimit rus të Gjeorgjisë, Tbilisi 2008.

Shtetet e Bashkuara e këshilluan Gjeorgjinë të mos përfshihej ushtarakisht me Rusinë. Qëndrimi amerikan iu kumtua Tbilisit, kur ky i fundit informoi Uashingtonin se planifikonte t'i jepte fund armëpushimit në Osetinë e Jugut.

Mesazhi amerikan për zyrtarët gjeorgjianë ishte se konflikti me Rusinë nuk mund të fitohej.

Këto deklarata ndihmësnënsekretari amerikan i Shtetit, Mathew Bryza, i bëri para mediave në Uashington, me t'u kthyer nga vizita në Gjeorgji.

Diplomati amerikan ka folur dhe për informacionet e besueshme për shkelje serioze të të drejtave të njeriut që ende vazhdojnë, përfshirë dhunime, vrasje dhe shkatërrim të pronave.

Duke iu referuar statistikave të dhëna nga Kombet e Bashkuara, Bryza tha se mbi 100 mijë persona janë zhvendosur. Diplomati amerikan ka kërkuar nga Rusia që të lejojë kalimin e ndihmave humanitare për tek njerëzit në nevojë.

"Sërish i bëjmë thirrje Rusisë të zbatojë armëpushimin dhe të tërheqë trupat nga Gjeorgjia, të gjithë trupat e ardhur pas 6 gushtit. Rusia duhet të mundësojë mënjanimin e një krize humanitare si dhe të marrë hapa të menjëhershëm për t'i dhënë fund shkeljes së të drejtave të njeriut, për të cilat na kanë ardhur informacione të besueshme", tha diplomati i lartë amerikan.

Që nga fillimi i konfliktit, ekonomia e brishtë gjeorgjiane ka pësuar dëme të ndjeshme. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar ndihmën e tyre për rimëkëmbjen e ekonomisë së Gjeorgjisë.

"Duhet të bëjmë ç'është e mundur të shpëtojmë demokracinë gjeorgjiane. Shpëtimi i demokracisë në Gjeorgji do të thotë përballim i krizës humanitare, mëkëmbje ekonomike dhe qëndrueshmëri e sistemit financiar. Ka shumë gjëra që duhet të bëjmë, në mënyrë që demokracia në Gjeorgji të mbetet në rrugën e duhur", tha Bryza.

Dy zyrtarët më të lartë amerikanë, presidenti Bush dhe shefja e diplomacisë Rice, kanë përsëritur se Rusia do të paguajë për veprimet e veta.

I pyetur të sqarojë deklaratat e mësipërme, Bryza nuk pranoi të tregojë detaje konkrete, por përsëriti se "duhet të jetë një çmim për veprimet e Rusisë".

Ka pasur zëra që thonë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të largojnë Rusinë nga G8, që është grupi i shtatë i vendeve më të industrializuara të botës, plus Rusinë, apo do të pengojnë anëtarësimin e Moskës në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Por, Bryza theksoi se largimi i Rusisë nga rruga e integrimit në strukturat ndërkombëtare nuk është e dëshirueshme nga administrata Bush.

"Nuk po përpiqemi të lëshojmë kërcënime pa bazë apo të tundim gishtin kërcënueshëm. Thjesht po nënvizojmë faktin se veprimet ushtarake i kanë faturuar Rusisë një kosto të lartë. Ky çmim lidhet me pozitën e Rusisë në botë dhe kjo nuk është diçka e mirë apo një rrugë që duam ta shohim Rusinë", tha diplomati i lartë amerikan.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara për vite të tëra u përpoqën të krijonin raporte përfitimi reciprok me Rusinë, por aktualisht dy vendet janë shumë larg këtij qëllimi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG