Ndërlidhjet

"Lëshimi 'i fundit' ndaj strukturave paralele"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Institucionet e Republikës se Kosovës përfundimisht u dorëzuan të martën para strukturave paralele që ujësjellësit nëpër fshatin Suhodoll t'i ndërrohet drejtimi. Qeveria e ka shqyrtuar kërkesën e Komunës së Mitrovicës për mbështetje financiare për projektin e ujësjellësit, për fshatrat Viharc i Ulët, Vimarc i Epërm dhe Gushavc dhe ka ndarë 130 mijë euro shtesë që projekti i ujësjellësit, me kërkesë të serbëve lokalë, të mos kalojë nëpër Suhodoll. I nervozuar me zmbrapsjen e Qeverisë, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i kërkoi kryeministrit Hashim Thaçi që Suhodolli të jetë rasti i fundit që jepen mesazhe të tilla që sa herë dikush të mos pajtohet me diçka, pasojat t'i korrin qytetarët e atij lokaliteti. "Derisa ne po angazhohemi ta bëjmë kthimin e qytetarëve dhe investohet për infrastrukturë nga buxheti i Kosovës, ne dorëzohemi para një ambicieje të një grupi ekstremistësh atje, që s'i durojnë gypat e ujësjellësit për shqiptarët. Në rastin e Suhodollit është marrë vendim i gabuar, ngase nuk është dashur të dorëzohen para një grupi të ekstremistëve", i tha Ferati kryeministrit Thaçi, në mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar...

EPOKA E RE
Aleatët e NATO-s kanë thënë të martën se "seriozisht po i shqyrtojnë" implikimet e Rusisë në Gjeorgji dhe se kontakti i vërtetë është i pamundur derisa Rusia plotësisht t'i tërheqë trupat nga toka gjeorgjiane. "Kemi konstatuar se është e pamundur të vazhdojmë me punët e zakonshme", kanë njoftuar ministrat e punëve të jashtme të 26 vendeve anëtare të NATO-s në komunikatën e përbashkët pas takimit urgjent në Bruksel mbi konfliktin në Osetinë e Jugut. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, në konferencën me gazetarë, ka thënë se nuk është anuluar asnjë marrëveshje mbi bashkëpunimin me Rusinë, "por duhet ta kemi parasysh që kjo çështje do të mundet së shpejti të shqyrtohet". Partnerët e NATO-s, po ashtu, janë pajtuar që ta formojnë komisionin NATO-Gjeorgji, qëllimi i të cilit do të jetë përforcimi i marrëdhënieve meTbilisin. Shefer ka thënë se përderisa rusët të mos tërhiqen nga Gjeorgjia nuk mund të themi se ekziston mundësia e takimit të vendeve anëtare të NATO-s dhe Rusisë. "Assesi nuk kemi qëllim që t'i mbyllim të gjitha dyert", ka thënë Shefer dhe ka shtuar, duke aluduar në tërheqjen e premtuar të trupave ruse, se kjo "aktualisht nuk po ndodh"...

KOHA DITORE
Serbia po e mban në tension rajonin, Kosovën dhe komunitetin serb në Kosovë, kanë thënë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, pas mbledhjes së rregullt - të mbajtur të martën në Prishtinë. "Ky shtet është duke i mbajtur në tension minoritetet përbrenda Kosovës, raportet në rajon, përfshirë ato Kosovë - Serbi dhe mbi të gjitha po tenton të gjejë pikat dalluese në çështjet globale. Të tri këto çësbtje do të jenë pa sukses", ka thënë zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi. Për marrëdhëniet në mes të këtyre dy vendeve ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, por nga një këndvështrim tjetër. "Në raport me Kosovën nuk duhet të ekzagjerohet roli i Beogradit. Kosova ka pasur dhe do të ketë sukses të plotë në ndërtimin e shtetit dhe integrimit të plotë në strukturat euroatlantike", ka thëne Thaçi. Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me jashtë, shefi i Qeverisë tha se institucionet e Kosovës janë organi i vetëm i përfaqësimit të Kosovës. "Kosova është shtet dhe ajo në botë do të përfaqësohet vetëm nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës", është shprehur ai. Në mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar është miratuar edhe programi qeveritar për parandalimin e ekonomisë joformale në vend. Kjo, sipas zyrtarëve të ekzekutivit, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit...

INFOPRESS
"Themelimi i kuvendit në veri është pa domethënie dhe veprim i parëndësishëm", kishte deklaruar në qershor Oliver Ivanoviq. Nuk i është dashur shumë kohë, as dy muaj të plotë, që Ivanoviq, tashmë sekretar i të ashtuquajturës ministri serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, strukturat paralele që janë produkt i këtij kuvendi, t'i quajë të vetmet legjitime në Kosovë. Fillimisht, gjuha e tij ishte e ashpër kundrejt kuvendit jolegjitim që u mbajt në veri dhe ai e quajti themelimin e tij si iniciativë për qëllime të një grupi të vogël njerëzish. Sipas Ivanoviqit, një institucion i tillë nuk do të jetë partner as i bashkësisë ndërkombëtare, as i institucioneve të Kosovës, e as për qeverinë e re të koalicionit në Beograd. Madje, ai priste në atë kohë që qeveria e re e Serbisë të rishqyrtojë politikën e deritashme ndaj Kosovës, që, sipas tij, ka qenë "populiste dhe e mbushur me premtime të fuqishme". Por, tashmë Oliver Ivanoviq shfaqet me një pamje krejt tjetër dhe një qëndrim pro strukturave paralele, që ështe në kundërshtim të plotë me atë çfarë ka thënë dhe deklaruar para dy muajsh. "Strukturat, të cilat ju i quani paralele, janë të vetmet që konsiderohen si të ligjshme nga komuniteti serb në Kosovë"...

KOSOVA SOT
Vazhdojnë përplasjet nga distanca ndërmjet pozitës dhe opozitës. Forcat opozitare e kanë cilësuar analizën e kryeministrit Thaçi për punën gjashtëmujore të Qeverisë si jo të drejtë. Ata pohojnë se gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur zhvillime shumë të rëndësishme politike, si procesi i krijimit të shtetit, me një shpallje të pavarësisë dhe me miratimin e Kushtetutës, që janë të një rëndësie historike, por që janë fryt i përbashkët. Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi, duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Thaçi, tha se nuk mund t'i faturohen këto dy zhvillime vetëm Qeverisë aktuale. "Këto dy zhvillime dhe hartimi i ligjeve deri te Kushtetuta nuk mund t'i përshkruhen si sukses vetëm i Qeverisë, pasi kjo është bërë me një konsensus të plotë politik me gjithë spektrin politik parlamentar", tha Gashi. Sipas tij, nuk ka pasur dallim mes pozitës dhe opozitës, por është sukses i përbashkët me institudonet e shtetit. Gashi vijoi më tej duke thënë se forca që ai përfaqëson vlerëson se veprimet konkrete të Qeverisë brenda këtij gjashtëmujori, sukseset nuk janë edhe të shumta për t'i numëruar. "Qeverisë i është dashur një kohë derisa në njëfarë mënyre të ambientohet në kushtet e reja të shtetit të pavarur, dhe nuk mund të thuhet edhe më tutje se është akomoduar dhe konsoliduar sa duhet. Janë vetëm disa dikastere ku Qeveria i ka identifikuar problemet dhe në parim ka fiiluar t'i zgjidhë", tha ai...

ZËRI
Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Iv de Kermabo, ka konfirmuar se "dialogu konstruktiv" i ditëve të fundit me UNMIK-un ka çuar në nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet dy misioneve për shitblerjen e aseteve të OKB-së në Kosovë. Marrëveshja është nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, shefi i Ekipit Planifikues të BE-së (EUPT) dhe shefit të EULEX-it, Iv de Kermabo. "Ky hap i rëndësishëm do t'i mundësojë EULEX-it të ecë perpara për të intensifikuar vendosjen në tërë territorin e Kosovës në javët e ardhshme në bashkëpunim të ngushtë me OKB-në", ka thënë dje shefi i EULEX-it. "EULEX është gati t'i marrë për-sipër sfidat dhe mbetet i përkushtuar për mbështetjen e sundimit të ligjit në Kosovë", është shprehur ai. Sipas një komunikate të lëshuar dje, EULEX thotë se pret që të vendoset tërësisht dhe të jetë operativ deri ne fund të vjeshtës së këtij viti...

BOTA SOT
Bartësit e përgjegjësisë ekzekutive të OKB-së në Republikën e Kosovës kanë shënuar hapat e parë drejt transformimit të kompetencave të tyre në raport me ato vendase dhe të kontinentit të vjetër. Çështja e memorandumit të mirëkuptimit e publikuar kohë më parë nga udhëheqës të lartë të UNMIK-ut, nuk ështe realizuar si e tillë, por është arritur vetëm një marrëveshje teknike, e cila vështirë se do të përkufizojë rolet e misioneve ndërkombëtare në terren. Grupe punuese të OKB-së dhe të BE-së tash sa kohë në Nju Jork dhe Bruksel janë angazhuar për të arritur formulën më të saktë se si të zbarkohet EULEX-i, ndërkohë që edhe pse mision evropian pritet të jetë nën ombrellën e OKB-së, por edhe tash pas marrëveshjeve teknike OKB-BE, analistët politikë vazhdojnë të jenë skeptikë se një formulë e tillë veprimi mund të përfundojë shumë shpejt ngase vetë këto organizma kanë ndasi sa i përket Kosovës...

EXPRESS
I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Organizatën e Shteteve Islamike (OIC), Sada Cumber, vazhdon të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në secilin shtet mysliman që e ka vizituar që nga emërimi i tij në këtë post para 5 muajsh nga presidenti George Bush. Në vizitën e fundit në Brunei, Cumber ka kërkuar nga autoritetet e këtij shteti që të njohin Republikën e Kosovës. Pas takimeve me personalitete të larta të Bruneit, ai ka përmendur një sërë çështjesh, të cilat duhet t'i marrë parasysh Brunei. "Një nga këto çështje është njohja e shtetit te Kosovës", citohet t'u ketë thënë ai gazetarëve të marten, sipas brudirect.com. I dërguari amerikan ka theksuar rëndësinë që ka njohja e Kosovës nga Brunei. "Është shumë e rëndësishme, sepse Kosova është një shtet i ri me një shumicë myslimane. Është me rëndësi që mos ta shohim Kosovën të dështojë", u ka thënë ai gazetarëve...




XS
SM
MD
LG