Ndërlidhjet

Ndërpritet vendosja e kamerave në veri me Serbinë


Pamje nga djegia e pikës kufitare në Jarinë, 19 shkurt 2008.
Pamje nga djegia e pikës kufitare në Jarinë, 19 shkurt 2008.

Iniciativa e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë për vendosjen e kamerave në veri të Kosovës u ndërpre pas reagimeve të zyrtarëve lokalë serbë. SHPK pohon se ky aksion do vazhdojë së shpejti, gjë të cilën udhëheqësit e Komunës së Zubin Potokut në Mitrovicë e quajnë të panevojshme.

Iniciativa e Shërbimit Policor të Kosovës dhe policisë së UNMIK-ut për vendosjen e kamerave në pikat kufitare në veri të Mitrovicës, me qëllim të rritjes së kontrollit për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, është ndërprerë pas disa deklaratave të zyrtarëve komunalë serbë në Zubin Potok. Këto reagime kanë çuar në ndërprerjen e punimeve atje.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, pohon se punët për vendosjen e kamerave janë ndërprerë, por, sipas tij, ato pritet të fillojnë sërish.

"Ditë më herët, policia ka filluar vendosjen e kamerave në pikën kufitare në Zubin Potok. Policia e UNMIK-ut ka pasur disa kontakte me zyrtarët e kuvendit komunal, megjithatë, për disa detaje teknike, janë ndërprerë punimet. Mirëpo, ato do të vazhdojnë prapë për vendosjen e këtyre kamerave",
tha Beka.

Nga ana tjetër, Sllavisha Ristiq, kryetar i Komunës së Zubin Potokut, kundërshton vendosjen e kamerave në pikat kufitare, duke thënë se me të tilla gjëra teknike nuk duhet të merret policia e Kosovës, por këtë duhet ta bëjnë autoritetet ndërkombëtare.

"Për ne janë të papranueshme institucionet e Kosovës, në aspektin e doganave, në aspektin e disa policëve kufitarë të institucioneve të Kosovës. Por, në çdo rast, qëndrimi ynë është se nuk ka kurrfarë nevoje që atje të instalohen kamera, veçanërisht pas faktit që UNMIK-u ka nënshkruar marrëveshje me EULEX-in që t'i barten praktikisht, siç thonë ata, të gjitha kushtet teknike, hapësirat e gjëra të tjera".

"Ata kanë bërë çfarë kanë bërë, i kanë vendosur kamerat, por në çdo rast, ata do të jenë përgjegjës për ndodhitë e ardhshme, nëse vjen deri te destabilizimi i situatës", tha Ristiq.

Megjithatë, zëdhënësi Beka konsideron së për pak kohë vendosja e kamerave në pikat kufitare do të fillojë sërish, pasi që të jenë tejkaluar problemet, siç i quan ai, teknike.

"Bëhet fjalë për probleme teknike. Punimet rreth vendosjes së kamerave do të vazhdojnë në ditet në vijim", tha Beka.

Policia rajonale e Kosovës siguron se para fillimit të aksionit për vendosjen e kamerave në pikat në veri, ka pasur një konsensus ndëmrjet palës shqiptare dhe asaj serbe, e cila fliste në favor të instalimit të kamerave.

Besim Hoti, zëdhënës i policisë rajonale në Mitrovicë, shpjegon:

"Kryetarët e komunave përkatëse, policia i ka njoftuar më herët edhe për fazën e instalimit të këtyre kamerave; nuk ka pasur ndonjë problem dhe e kanë pranuar. Sipas planit, është paraparë që sot të lëshohen në funksion kamerat", theksoi Hoti.

Ndërkohë, Ristiq mohon të ketë pasur ndonjë marrëveshje me policinë e Kosovës, e as me UNMIK-un, për çështjen në fjalë. Sipas tij, procesi i instalimit të kamerave kishte filluar pa asnjë paralajmërim.

"E vërteta është se nuk ka kurrfarë pajtmi. UNMIK-u ka filluar me vendosjen e kamerave pa ndonjë bisedë dhe pa ndonjë takim paraprak me këdoqoftë në Komunën e Zubin Potokut. Pasi kanë filluar, ekipi i tyre nga Prishtina ka ardhur të flasë dhe unë kam kundërshtuar menjëherë, jo vetëm se ato kamera janë plotësisht të panevojshme, por edhe për atë se kanë filluar të punojnë pa ndonjë marrëveshje paraprake apo paralajmërim", tha Ristiq.

Ndryshe, sipas zotit Hoti, situata e sigurisë në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë është e qetë.

"Sa i përket situatës së sigurisë, gjendja konsiderohet stabile, pa ndonjë ndryshim të situatës së përgjithshme në aspektin e sigurisë. Nuk ka dyshim që ne po ballafaqohemi me vështirësi të ndryshme, veçanërisht me formën e kontrabandimit të mallrave të ndryshme. Pikërisht, një nga strategjitë e Zyrës së komisarit është vendosja e kamerave në këto pika kufitare, me qëllim të monitorimit të situatës 24 orë, të mundësimit të luftimit të kësaj dukurie negative", deklaroi Hoti.

Sido që të jetë, kundërshtimet e serbëve lokalë të qytetit të Mitrovicës ndaj zhvillimeve në të cilat janë të përfshira institucionet kosovare, si dhe vazhdimi i ndikimit të Beogradit në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë ndër sfidat themelore për institucionet e vendit.
XS
SM
MD
LG