Ndërlidhjet

"EULEX do zbatojë ligjet e Kosovës"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Serbia mund ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur nëse Gjykata Ndërkombëtare vendos se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt ka qenë një veprim ligjor, njofton gazeta serbe "Kurir", duke iu referuar agjencisë holandeze të lajmeve "ANP". Duket e pabesueshme, por është vërtetë - kjo deklaratë ka dalë nga goja e Vuk Jeremiqit, ministrit të Jashtëm serb, në një intervistë që ai e ka dhënë për "ANP"-në gjatë vizitës së 15 gushtit në Nju Jork. "Serbia do ta njihte pavarësinë e provincës së saj – Kosovës, nëse Gjykata Ndërkombëtare e konfirmon shpalljen e pavarësisë së njëanshme të 17 shkurtit si ligjore", ka thënë Jeremiq për agjencinë holandeze të lajmeve "ANP". Ky lajm vazhdon të jetë i publikuar në uebfaqen e "ANP"-së, ndërkohë që ende askush nga Serbia nuk e ka demantuar këtë lajm, sqaron "Kurir". Mark Fiser, redaktor i lajmeve në "ANP", tregon per "Kuririn" se lajmi se Serbia ështe e gatshme të njohë pavaresinë e Kosovës, është publikuar para tre ditësh dhe se deri tani ende askush nga Serbia nuk e ka demantuar këtë lajm...

KOHA DITORE

Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX) do të zbatojë ligjet e Kosovës dhe jo rregulloret e Misionit të OKB-së në Kosovë. Mbi 2.000 misionarë evropianë që pritet të zbarkojnë në Kosovë në kuadër të misionit EULEX do të zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës e jo Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Përderisa shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, deklaron në Beograd se EULEX-i do të pranohej nga Serbia që të veprojë në Kosovë në kuadër të Rezolutës 1244 dhe pa zbatuar planin e Ahtisaarit, në Prishtinë zyrtarë të EULEX-it pohojnë për gazetën të kundërtën. "Ne punojmë sipas ligjeve të Kosovës. Nëse nuk ekziston një ligj i tillë, atëherë punojmë me rregullore të UNMIK-ut. Ne do t'i përdorim ato ligje, pra, për shembull, për punën e gjyqtarëve, policëve", ka thënë të enjten për gazetën zëdhënësja e EULEX-it, Karin Lindal. "Ne e zbatojmë Kushtetutën e Kosovës dhe jo Kornizën Kushtetuese". Zbarkimi i plotë i EULEX-it ka pësuar vonesë për shkak të aspektit ligjor të një veprimi të tillë, në mungesë të nxjerrjes së një rezolute të re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së...

ZËRI
Qeveria e Kosovës nuk pajtohet me konstatimet se ka ngecje apo krizë në çështjen e njohjes së Kosovës. Në anën tjetër, opozita i bën thirrje qeverisë që të ketë një aktivitet më të shtuar diplomatik, tash kur po afrohet dhe mbajtja e Sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Për dallim nga opozita dhe analistë të ndryshëm, qeveria, përkatesisht Ministria e Punëve të Jashtme, konsideron se e ka kryer dhe po bën punën e vet si në aspektin e përfaqësimit në politikën e jashtme, ashtu edhe në atë të lobimit. Këshilltarja dhe zëdhënësja e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri, thotë se në politikën e jashtme, Kosova është duke bërë më të mirën. Kjo, sipas saj, vlen edhe për lobimin. Duke rikujtuar se ministri Skender Hyseni po zhvillon vizitën zyrtare në Çeki, zedhënësja Beqiri thotë se atje Hyseni do të ketë takime me disa personalitete të jetës institucionale të këtij vendi, mes të cilëve edhe me homologun e tij çek. "Edhe ky takim do të shfrytëzohet përveçse për intensiflkimin e marrëdhënieve dypalëshe, edhe per lobim. Aq më tepër që Çekia është vendi, i cili do ta ketë presidencën e radhës së BE-së", thekson Beqiri. Ndërkaq, para sesionit të 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministria e Jashtme, shton Albana Beqiri, ka kryer me përpikëri punën për të cilën është thirrur...

INFOPRESS
Duket se tashmë çdo gjë eshtë e qartë së cilat nga shtetet më të fuqishme të botës do të prijnë në listën e vendeve që do ta ndihmojnë Kosovën në krijimin dhe zhvillimin e Agjencisë Inteligjente të Kosovës dhe të Forces së Sigurisë. Burime të gazetës të afërta me procesin e konsolidimit të AIK-ut, kanë thënë se tashmë dihet se Britania do të jetë ajo që do të ndihmojë në ndërtimin dhe zhvillimin e Agjencisë së Inteligjencës. Po këto burime i kanë thënë gazetes se NATO-ja llogaritet si kryesore në trajnimin e Forcës së Sigurisë, por që, sipas këtij burimi, rolin kyç në këtë do ta luajë edhe SHBA, si anëtare e NATO-s... "Pothuajse tashmë kjo është çështje e kryer se Britania dhe SHBA-të do të kenë rolin kyç në funksionalizimin komplet të këtyre dy institucioneve", ka thënë burimi i gazetës. Sa i perket çështjes së trajnimit të "spiunëve" të Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, ka thënë se ende nuk dihet asgjë për këtë...

EXPRESS
Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, ka deklaruar se misioni i tij është një mision teknik dhe nuk ka lidhje me statusin e Kosovës. Ai ka thënë se serbët e Kosovës kundërshtojnë shtrirjen e misionit të tij në tërë territorin për shkak të presionit politik. Në një intervistë për Radio B92, Kermabon ka thenë se EULEX ka nënshkruar marrëveshje teknike me UNMlK-un, por ajo nuk çon kah ndonjë marrëveshje politike. "Pasi që Sekretari i Përgjithshem i OKB-së ka propozuar rikonfigurimin e UNMIK-ut, qëllimi i kësaj marrëveshjeje teknike është që t'ia japë disa pajisje EULEX'it", ka thenë ai. "Me saktësi mund të them që kjo nuk është marrëveshje politike, as nuk është e lidhur me statusin e Kosovës, por flet vetëm për pajisjen teknike të cilën do ta marrë EULEX", ka bërë të ditur ai. Kermabon konsideron se serbët në Kosovë kundërshtojnë vendosjen e Misionit të BE-së jo vetëm për shkak të presionit politik, por edhe për shkak të prezantimit të gabuar që ky misionin është i keq...

LAJM
Do të duhen disa vjet që Kosova të mund të krijojë ushtri. Bazuar në ligjet e pakos së Ahtisaarit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), vendi edhe më tej do të mbështetet në forcat e NATO-s dhe pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), do të ketë sërish një organizatë civile, roli, detyrat dhe përgjegjësitë e së cilës nuk do të dallojnë shumë nga organizata që ishte në fillim bërthama e UÇK-së. Deklarata e kreut të trupave paqeruajtëse në Kosovë, gjeneralit Xavier De Marnhac, se FSK-ja do të jetë kryesisht një njësi për mbrojtje civile, sipas ekspertëve ushtarakë, nuk është asgjë e re veçse një deklaratë politike. "NATO-ja ka marrë vendim ta ndihmojë këtë proces, që përfshin shuarjen e TMK-së. FSK-ja do të jetë një njësi për mbrojtje civile, që do t'i japë Kosovës kapacitete dhe përgjegjësi për t'u përballur me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret. Pra, kjo forcë do të jetë një organizatë e bazuar më shumë mbi operacionet në terren", ka thënë De Marnhac...

EPOKA E RE
Dy milionë euro investime në veri të Kosovës do të ndikojnë në përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve, ka thënë të enjten për "Epokën e Re" zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramë Manaj. Investimet e qeverisë në pjesën veriore të Kosovës, Manaj ka thënë se i sheh si pjesë të përkushtimit të shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët. Shuma prej dy milionë eurosh, e cila do të investohet në veri, ai ka premtuar se do të përdoret për infrastrukturë, arsim dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, gjë që do të ndikojë edhe në moslargimin e qytetarëve shqiptarë nga veriu. I pyetur nëse qeveria ka ndonjë projekt që do ta parandalonte shitjen e pronave nga ana e shqiptarëve në veri, Manaj ka thënë se projekti i qeverisë është që të investojë në mirëqenien e qytetarëve dhe në lehtësimin e jetës së tyre. "Duhet të pengohet në të gjitha mënyrat e mundshme abuzimi me qytetarët tanë. Duke funksion-alizuar më shumë gjyqësinë, duke joshur qytetarët më shumë që të mos bien në grackat e tilla, ne po i quajmë abuzime, sepse për shitjen e pronave jepen shuma shumëfish më të larta sesa vlerat reale, me qëllim politik: ndërrimin e strukturës së popullsisë në veri", ka theksuar Manaj...
XS
SM
MD
LG