Ndërlidhjet

WP: "Çfarë mund të bëjë Perëndimi?"


"Washington Post"
Shkruan: Richard Holbrooke


Duke marrë parasysh dëmet e mëdha që Rusia ka shkaktuar në Gjeorgji, është e lehtë të konkludohet se Moska ka arritur të përmbushë synimet e saj. Megjithatë, Moska ka dështuar në synimin e saj parësor – të heqë qafe Mikhel Saakashvillin, presidentin pro-demokrat dhe pro-amerikan të Gjeorgjisë. Ndryshe, ka shkatërruar ushtrinë gjeorgjiane, ka dëmtuar rëndë ekonominë gjeorgjiane dhe ka nxitur mosmarrëveshje brenda aleancës perëndimore.

Për tre vjet me radhë, ka provuar me çdo taktikë të mundshme ta mposhtë presidentin gjeorgjian, duke trimëruar revoltë të brendshme, duke imponuar bllokadë ekonomike, duke shtuar numrin e forcave nëpër enklava dhe në fund duke nisur një luftë. Megjithatë, Saakashvilli është ende në pushtet.

Invazioni i Rusisë në Gjeorgji do të riformësojë skenën strategjike, me të cilën do të përballet presidenti i ardhshëm amerikan. Dhe, ndërkohë që Perëndimi debaton se si të "dënojë Rusinë", është thelbësore të mbahet mend se fronti kryesor vazhdon të jetë Gjeorgjia.

Bisedimet për anulimin e Lojërave Olimpike të 2014-ës në Rusi, përjashtimi i Rusisë nga G8-shi, munden ose jo të kenë ndikim në Moskë, por gjëja më e rëndësishme që Perëndimi mund të bëjë është që të sforcojë qeverinë në Tbilisi. Ekuacioni është i thjeshtë: nëse Mikheil Saakashvilli mbijeton, Vladimir Putin humb.

Urrejtja e intensifikuar personale midis këtyre dy njerëzve pasqyron një histori torturuese prej dy dekadash midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Shumëkush thotë se Putin thjesht humbet mendjen kur përmendet Saakashvilli, i cili vendin e tij e ka dërguar nga niveli i një bankrotimi të përgjithshëm në një epokë të artë të zhvillimit ekonomik.

Moska mbase e ka humbur shansin që ta rrëzojë Saakashvillin me forcë, edhe pse mjetet tjera, të heshtura dhe më tinzare, nuk mund të përjashtohen. Për shkarkimin e presidentit gjorgjian, shpresa më e madhe për Moskën tani është dezintegrimi i furishëm i ekonomisë gjeorgjiane, kolapsi i valutës dhe pakënaqësitë në popullatë, të nxitura nga ndonjë lider opozitar mbase i paguar nga Moska.

Përgjigja e Perëndimit ndaj kësaj sfide duhet ta tejkalojë retorikën, meqë tani gjëja më e rëndësishme është ndihma masive për ekonominë dhe ushtrinë e këtij vendi.

Në një afat më të gjatë kohor, Gjeorgjia dhe Rusia duhet të bashkëjetojnë në qetësi dhe në këtë drejtim, edhe Gjeorgjia ka rolin e saj. Për shekuj të tërë, Gjeorgjia ka luftuar që të mbijetojë afër fiqnjit të saj gjigant, por Saakashvilli nuk mund ta marrë vendin e tij dhe ta zhvendosë në Meksikë; ai duhet ta menaxhojë situatën me një kujdes më të madh.

Për Rusinë, padyshim që do të ketë pasoja në marrëdhëniet e saj me Perëndimin, por këto vendime i takojnë presidentit të ardhshëm amerikan. Edhe pse Perëndimi nuk do të hyjë në luftë për Gjeorgjinë, Rusia duhet ta ketë të qartë se do paguar për shfrytëzimin e forcës ose kërcënimin me forcë kundër fqinjëve të saj, që dikur kanë qenë pjesë e hapësirës sovjetike.

Kjo veçanërisht vlen për Ukrainën dhe Azerbeixhanin, që ka gjasë të jenë caqet e ardhshme të Moskës. Rregullat që përshkruan botën pas Luftës së Ftohtë kanë ndryshuar, por jo në të mirë të Rusisë, e cila ka zhvlerësuar ndikimin unik që veprimet e saj kanë pasur në Perëndim.
XS
SM
MD
LG