Ndërlidhjet

logo-print

BSPK: Muaji shtator - fillimi i grevave


Muaji shtator mund të jetë fillimi i shprehjes së pakënaqësive të punëtorëve kosovarë, në kërkim të përmirësimit të kushteve të punës. Kështu thotë Xhafer Xhaferi, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, duke shtuar se të gjitha sindikatat tashmë janë të gatshme të protestojnë në mënyra të ndryshme.

“BSPK- ja, e në kuadër të saj degët e veçanta që mbulojnë sektorët e ndryshëm, kanë paralajmëruar qeverinë dhe kanë insistuar në atë që t'i ndërmarrin të gjitha ato aktivitete, në mënyrë që t'i përmbushin disa nga kërkesat themelore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, përmirësimin e kushteve të punës dhe përgjithësisht përmirësimin e standardit të punëtorëve”, thotë Xhaferi.

Sipas tij, mungesa e Ligjit të punës po paraqet problemin kryesor në këtë drejtim.

“Para së gjithash, këtu kemi mungesën e Ligjit të punës, njërit prej atyre bazamenteve, në bazë të të cilit caktohen dhe vendosen raportet e punëtorëve me punëdhënësin. Por, janë edhe disa ligje tjera në sistem - ka të bëjë edhe me Ligjin për sigurimin shëndetësor, Ligjin për greva, Ligjin për pensionistët. Janë disa ligje që po shtyhen gjithnjë dhe nuk po miratohen nga ana e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Xhaferi.

Mosmiratimi i këtyre ligjeve do të krijojë pasoja të mëdha, të cilat nuk i shërbejnë punëtorisë dhe as qeverisë, thotë Xhaferi, sipas të cilit, mungesa e këtyre ligjeve vetëm se po e rrit ekonominë informale. Ai thotë se mbi 200 mijë punëtorë janë të punësuar në sektorin privat dhe pa kontrata pune.

“Kujtoj se kjo do të ishte e favorshme në qoftë se do të miratohet Ligji i punës, në qoftë se qeveria do të marrë hapa që të respektohen disa norma themelore të punësimit në këtë sektor; atëherë do të kishim edhe levërdi tjetër, jo vetëm që punëtorët në këtë sektor të mbrohen, por do të kishin një pozitë më të mirë; do të përfitonte edhe shteti, sepse atëherë do të paguheshin tatimet e caktuara, sigurimet për punëtorë dhe sigurisht që do të përfitonte edhe buxheti i konsoliduar i Kosovës”, thotë Xhaferi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka përgatitur Ligjin e Punës, kështu që pritet shumë shpejt të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës, thotë Gjergj Dedaj, zëvëndesministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Në anën tjetër, sa i përket shprehjes së pakënaqësive të punëtorëve kosovarë, Dedaj thotë se sindikatat nuk duhet të ndërmarrin një hap të tillë.

“Unë mendoj se nuk është koha ende që të protestohet; duhet t'i jepet mundësi politikës. Qeveria e Republikës se Kosovës është tepër e përgjegjshme dhe tepër e interesuar që t'i zgjidhë problemet që janë të grumbulluara”, shprehet Dedaj.

Ndryshe, punëtorët shëndetësorë, javën e kaluar, kanë mbajtur grevë të përgjithshme si paralajmërim për organet vendimmarrëse, se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, reagimi i punëtorëve shëndetësorë do të jetë, siç kanë thënë ata, konform përgjigjjes së qeverisë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG