Ndërlidhjet

logo-print

Hyseni - Schwarzenberg: Kosova e Gjeorgjia s'kanë asgjë të përbashkët


Pragë

Pragë

Gjatë vizitës zyrtare në Republikën Çeke, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, bisedoi me zëvendëskryeministrin Aleksander Vondra, ministrin e Jashtëm, Karel Schwarzenberg, dhe personalitete të tjera. Bashkëbiseduesit hodhën poshtë çdo krahasim mes Kosovës dhe zhvillimeve në Gjeorgji.

Gjatë këtyre takimeve është biseduar për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Çeki, për bashkëpunimin ekonomik, si dhe raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, kryesisht gjatë kohës sa Çekia do ta krysojë presidencën e radhës të BE-së.

"Ne diskutuam për interesin e përbashkët, për interesin evropian. Si presidencë e radhës do ta përfaqësojmë Kosovën brenda BE-së. Diskutuam edhe për prioritetet e presidencës në gjysmën e vitit të ardhshëm",
tha ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg në një konferencë të përbashkët për gazetarë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i ka premtuar shtetit çek se Kosova do të ecë rrugën në përmbushjen e pakos së Ahtisaarit, përderisa synim përfundimtar i saj mbetet integrimi evropian.

Ai ka thënë se pret njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, ndërsa që të dy diplomatët kanë hedhur poshtë përpjekjet për të vënë paralele mes Kosovës dhe zhvillimeve në Gjeorgji.

Ministri Schwarzenberg ka thënë se këto dy raste nuk kanë asnjë ngjashmëri.

"Dua të theksoj se është jashtë logjikës që të thuhet se një ngjarje e justifikon një ngjarje tjetër. Dua të them se duhet të investigohet thellë dhe të studiohet se çka ka ndodhur në terrritorin e Kaukazit në javët dhe muajt e kaluar - e kjo ka ndodhur në mënyrë krejt të pavarur nga Ballkani".

"Politika ruse është specifike dhe duhet konsideruar se incidentet që ndodhën në Gjeorgji, nuk mund të krahasohen me ato në Kosovë në të kaluarën, sepse kemi pasur të bëjmë me intervenimin e shteteve, që nuk kanë qenë të angazhuara në ndonjë konflikt, ndërsa këtu kemi të bëjmë me angazhimin e një shteti që ka qenë i përfshirë në konflikt", tha ministri çek, Schwarzenberg.

Në anën tjetër, i pyetur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, minsitri Hyseni ka thënë se sa për Kosovën këto raporte do të ishin që tani të shkëlqyeshme.

"Kam thënë edhe në Këshillin e Sigurimit se Kosova është e gatshme të flasë për shumë çështje të ndryshme me Serbinë, por është vetëm një çështje që është e panegociueshme dhe kjo është për statusin e Kosovës, meqë Kosova është shtet i pavrarur dhe do mbetet kështu dhe nuk do ketë kthim mbrapa",
tha Hyseni.

Ministri Hyseni ka vizituar Pragën me ftesë të homologut të tij çek. Ndryshe, Kosova do të caktojë një diplomat të saj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë, në kohën sa ky shtet do të kryesojë presidencën e radhës të BE-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG