Ndërlidhjet

Pajaziti: Policia e Kosovës në tërë territorin e vendit


Zenun Pajaziti
Zenun Pajaziti

Në Prishtinë, institucionet përgjegjëse të sigurisë garantojnë shtrirjen e autoritetit të Policisë së Kosovës në tërë territorin. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, nënvizon se kundërshtimi i serbëve kosovarë në veri nuk do ta pengojë këtë proces.

Autoritetet përgjegjëse të sigurisë së Republikës së Kosovës shprehen të sigurta se pas përfundimit të procesit të rikonfigurimit të misionit të Kombeve të Bashkuara, do t'i marrin kompetencat e mbetura dhe do të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ndonëse transferimi i kompetencave nga policia ndërkombëtare te ajo vendore, për dallim nga pjesët tjera të vendit të banuara me shumicë serbe, nuk ka filluar në qytetin e Mitrovicës, institucionet kosovare thonë se edhe pjesa veriore e Kosovës do të jetë nën kontrollin e Policisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, nënvizon se roli i Policisë së Kosovës, pas rikonfigurimit të UNMIK-ut, do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e cila në nenin 128 ia jap Policisë së Kosovës të drejtën për të vepruar në të gjithë territorin e vendit.

"Roli i Policisë së Kosovës do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës për të gjithë territorin e Kosovës", tha Pajaziti.

Sipas Pajazitit, sfida më e madhe në drejtim të shtrirjes së autoritetit të policë është pjesa veriore e vendit, e cila nën ndikimin e strukturave paralele serbe është izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës, gjë që, sipas tij, ka krijuar një ambient joshës për krim.

"Beogradi zyrtar ka interesim të funksionimit normal të asaj pjese; mekanizmat e tillë që veprojnë atje, e kanë izoluar popullatën dhe si pasojë ka tendenca të krijimit të një ambienti që është i përshtatshëm vetëm për krimin", tha Pajaziti.

Kundërshtimi i serbëve të pjesës veriore të Kosovës ndaj institucioneve të Republikës është dëshmuar, ditë më parë, me ndalinim e punimeve gjatë instalimit të kamerave në pikat doganore në veri. Punët ishin ndërprerë pas reagimeve të ashpra të serbëve të fshatit Zubin Potok, reagime këto, të cilat, sipas ministrit Pajaziti, nuk do t'i pengojnë iniciativat qeveritare për vënien e kontrollit në këtë pjesë.

"Funksionimi i doganave, funksionimi i pikave kufitare do të bëhet i plotë; nuk do të ketë asgjë që do ta pengojë këtë proces sepse, siç e dini, kemi probleme me kontrabandën, kemi probleme me kontrollin e atyre pikave dhe ky proces do të jetë i pandalshëm".

Ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se qeveria është duke përgatitur një strategji konkrete të veprimit për t'i rikthyer në vendet e tyre të punës policët serbë të suspenduar, të cilët si shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishin braktisur vendet e tyre të punës.

"Ne do të dalim me një plan të veçantë për policët e suspenduar. Ne ende e kemi të hapur derën për policët serbë; disa prej tyre janë kthyer", tha Pajaziti.

Policia e Kosovës është vetëm njëri ndër institucionet, i cili që nga shpallja e pavarësisë është ballafaquar me një numër të madh problemesh të shkaktuara nga kundërshtimi i banorëve serbë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG