Ndërlidhjet

logo-print

Kandidati demokrat për president të SHBA-ve, Barak Obama, ka zgjedhur nënpresident senatorin Xhozef Bajden. Senatori Bajden konsiderohet një prej personaliteteve më me përvojë në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë në SHBA. Ai njihet gjithashtu për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë pavarësisë së Kosovës.

Kandidati i demokratëve në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Barak Obama, ka konfirmuar zgjedhjen e senatorit Xhozef Bajden (Joseph Biden) për nënpresident.

Xhozef Bajden, 65-vjeçar, për herë të parë është zgjedhur senator në vitin 1972, kur kishte vetëm 30 vjet.

Një muaj pas zgjedhjes, bashkëshortja dhe bija e tij vdiqën në një aksident trafiku, ndërsa dy bijtë e tij u lënduan.

Atëbotë, senatori Xhozef Bajden kishte shqyrtuar mundësinë e braktisjes së Senatit, por liderët partiakë e ndihmuan që të vazhdonte me shërbimin.

Akualisht është kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-ve. Ai është shumë i njohur dhe i vlerësuar lart për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Senatori Xhozef Bajden në vitin 2002 ka mbështetur rezolutën në Kongres për të autrozizuar përdorimin e forcës në Irak, por shpejt është bërë kritik i zëshëm i luftës.

Ai njihet për sentencat e tij të drejtpërdrejta dhe si personalitet që nuk nguron të përdorë fjalë të forta.

Senatori Bajden është i njohur edhe për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë prej kohësh pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 4 nëntor.

Sipas anketimeve të En-Bi-Si, Uoll Strit Xhërnëll, Si-Bi-Es dhe Nju Jork Tajms, përparësia e Obamës ndaj kandidatit republikan, Xhon Mekejn, ditëve të fundit është zvogëluar në tre për qind, 45 ndaj 42 për qind. Kjo epërsi më herët ishte 6 për qind.

Vëzhguesit politikë në Shtetet e Bashkuara thonë se zgjedhja e senatorit Bajden në postin e nënpresidentit nga ana e kandidatit demokrat, do të ndihmojë Barak Obamën në kuptimin e fuqizimit të ekipit demokrat me një personalitet që konsiderohet jashtëzakonisht kompetent për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë.
XS
SM
MD
LG