Ndërlidhjet

Rusia është tërhequr pjesërisht, por mbanë portin kryesor


Rusia i ka tërhequr tanket, artilerinë dhe trupat e saj nga pozicionet thellë në Gjeorgji, por forcat ruse vazhdojnë ta mbajnë portin perëndimor, Poti dhe pikat e kontrollit afër qytetit Gori.

Gjenerali Anatoly Nogovitsyn, zëvendës komandant i Shtatmadhorisë së Rusisë, shpalli sot se forcat ruse do ta mbajnë kontrollin ndaj portit Poti.

Sipas tij, kjo është në harmoni me gjashtë parimet e planit për armëpushim të ndërmjetësuar nga Franca. Gjenerali Nogovitsyn thotë se Rusia i ka plotësuar obligimet nga ky plan.

Por, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti George Bush dhe presidenti francez, Nicholas Sarkozy janë pajtuar se Rusia ka dështuar që t'i plotësoj obligimet që dalin nga marrëveshja.

Presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili, kërkoi që trupat ruse të zëvendësohen nga paqeruajtësit ndërkombëtarë:

- Ne nuk duhet të kemi asnjë iluzion se rruga për çlirimin përfundimtar të Gjeorgjisë do të jetë shumë e vështirë dhe me pengesa. Është absolutisht e qartë se derisa forcat okupuese të mos zëvendësohen me vëzhguesit ndërkombëtarë, do të jetë e pamundshme të mendohet për lirinë e plotë të Gjeorgjisë dhe e pamundshme të flitet për zgjidhje të konfliktit dhe për çlirimin e gjithë territorit të Gjeorgjisë, tha mbrëmë vonë, presidenti Saakashvili, në Këshillin Kombëtar për Siguri.

Mbajtja ruse e portit Poti, krijon një konfrontim potencial me Shtetet e Bashkuara, që në Gjeorgji ka dërguar një anije të Marinës me ndihma humanitare.
XS
SM
MD
LG