Ndërlidhjet

Senatori Bajden – avantazh për fushatën e Obamës


Joseph Biden dhe Barack Obama
Joseph Biden dhe Barack Obama

Në Konventën e Partisë Demokratike do të zyrtarizohet kandidatura e senatorit Barack Obama për president të Shteteve të Bashkuara dhe vendimi i tij që për nënpresident ta zgjedhë senatorin Xhozef Bajden. Senatori Bajden, pos tjerash, njihet edhe për mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë pavarësisë së Kosovës.

Në njoftimin me rastin e zgjedhjes për zëvendëspresident thuhet, pos thjerash, se "Xhozef Bajden sjell përvojë të gjerë në politikën e jashtme, ka të arritura të mëdha në bashkëpunimin përgjatë linjave partiake dhe ka qasje të drejtpërdrejtë në kryerjen e punës".

Konfirmimi se senatori Bajden ishte i zgjedhuri i Barak Obamës, nëpërmjet mesazheve me telefona mobilë, iu dërgua edhe miliona mbështetësve të Partisë Demokratike.

Ky vendim, në një mënyrë, konfirmoi informacionet se zoti Bajden ishte favorit kryesor për të garuar për zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara.

Demokrati 65 vjeçar, Xhozef Bajden, konsiderohet si njëri prej senatorëve më me përvojë në çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Aktualisht, ai është kryesues i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit. Kjo ka bërë që analistët të thonë se ai do ta balancojë mungesën e përvojës së Barak Obamës në politikën e jashtme.

Megjithëqë zoti Bajden, në vitin 2002, ka mbështetur rezolutën në Kongres për ta autorizuar përdorimin e forcës në Irak, ai pastaj së shpejti u bë kritik i zëshëm i luftës dhe akuzoi presidentin Xhorxh Bush se atë nuk e ka udhëhequr mirë.

Senatori Bajden njihet për sentencat e tij të drejtpërdrejta, që nuk nguron për të përdorur fjalë të forta. Këtë e ilustron edhe fjalimi i tij, vitin e kaluar në Senat, ku diskutoi lidhur me autorizimet që i ishin dhënë administratës për luftën në Irak.

"A ka llogaritur ndokush në këtë sallë në jokompetencën e kësaj administrate, kur asaj i është dhënë autoriteti që i është dhënë? Absolutisht jokompetencë", pati thënë senatori Bajden.

Konsiderohet se personaliteti i tij paraqet një avantazh për fushatën e Barak Obamës, i cili ka probleme në arritjen e mbështetjes në mesin e të bardhëve, të votuesve të klasës punëtore dhe të votuesve të vjetër.

Babai i tij ishte tregtar i veturave dhe nuk është i pasur si shumë kolegë të tij në Senat. Ai nuk e ka mbajtur rezidencën në Uashington, por udhëton me tren nga shtëpia e tij në Vilmington, Delavere, çdo ditë nga 80 minuta në secilin drejtim.

Ai është shprehur në mënyrë intensive për Irakun, Iranin dhe për çështje të tjera të larta për politikën e jashtme amerikane.

Ai për një kohë të gjatë ka tërhequr vërejtjen për kërcënimin që vjen nga jostabiliteti në Pakistan, që ka armatim bërthamor.

Për këtë çështje, ai ka folur në një debat të Partisë Demokratike në muajin tetor të vitit të kaluar.

"Do të bëj çdo gjë të mundshme për ta ndalur Iranin që të ketë armatim bërthamor. Cili është kërëcënimi më i madh për Shtetet e Bashkuara? 2.6 kilogramë të uraniumit të pasuruar në Teheran ose një Pakistan jashtë kontrollit", pati thënë Xhozef Bajden.

Senatori Bajden, pos tjerash, njihet edhe për mbështetjen e fuqishme, që i ka dhënë pavarësisë së Kosovës.

Në reagimin e parë të shtabit të kandidatit republikan për president, Xhon Mekejn, është thënë se zgjedhja e zotit Bajden paraqet pranim nga Barak Obama se ai ka "vlerësim të dobët për politikën e jashtme" dhe se "nuk është gati që të jetë president".

Spekulohet se Xhon Mekejn mund ta shpallë zgjedhjen e tij për zëvendëspresident më 29 të këtij muaji, në ditëlindjen e tij të 72-të dhe një ditë pasi demokratët e mbyllin konventën e tyre.

Raportohet se kandidatë seriozë për të qenë të zgjedhurit e senatorit Mekkejn janë Tim Paulenti, guvernator i Minesotës dhe Mitt Romney, guvernator i Masaçusetsit.
XS
SM
MD
LG