Ndërlidhjet

Serbët protestojnë në Zubin Potok


Vendkalimi Brnjak, 19 shkurt 2008.

Vendkalimi Brnjak, 19 shkurt 2008.

Organizuar nga Kuvendi Komunal i Zubin Potokut, është mbajtur një protestë kundër vendosjes së kamerave në pikat kufitare në veri të Mitrovicës. Me këtë rast, zyrtarët komunalë serbë kanë deklaruar se nuk do të lejojnë që të ketë kufi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rreth 400 protestues serbë të Komunës së Zubin Potokut kanë bllokuar sot rrugën kryesore që shpie në pikën kufitare 31, në kufi me Serbinë.

Sipas autoriteteve të rendit, protestuesit kanë kërkuar largimin e kamerave, të cilat janë vendosur nga policia e UNMIK-ut dhe Policia e Kosovës para pak ditësh.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, në fjalimin e tij para protestuesve, ka thënë se banorët serbë të asaj ane nuk do të lejojnë që të ketë kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë.

"Neve na duhet t'u tregojmë që nuk kemi fjetur dhe që kurrë nuk do të lejojmë që të kenë sukses në qëllimin e tyre të pandershëm, që të vënë kufirin atje ku nuk e ka vendin, të vënë kufirin në mes të Serbisë dhe Kosovës", tha Ristiq.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, pjesëmarrës në protestë, ka porositur udhëheqësit në Beograd të jenë të bashkuar për interesat e serbëve në Kosovë.

"Sot, ne duhet t'ua dërgojmë mesazhin e qartë se nuk do të kenë sukses në këtë. Po të ishin aq efikas, më 17 mars 2004, serbët nuk do ta lëshonin Kosovën qendore dhe shumë pjesë në Kosovë. Ne, sot, nuk do t'ua asgjësojmë kamerat, por do t'u dërgojmë mesazh të qartë që ato nuk janë të nevojshme aty. Kurse qëllimi kryesor, ne e shohim se është vendosja e sërishme e doganave dhe tentimi për ta sjellur EULEX-in në këtë pjesë", tha Milloviq.

Protestuesit serbë kanë mbajtur edhe pankarta me mbishkrimet "Nuk duam kufij dhe dogana".

Nga ana tjetër, Sami Mehmeti, zyrtar për informim në Shërbimin Policor të Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka pohuar se protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente.

"Ashtu siç është paralajmëruar edhe më herët nga mediat, zyrtarët e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut kanë paralajmëruar protesta për të shfaqur mospajtimin me vendosjen e kamerave në pikën kufitare 31, të cilat kamera janë vendosur javën e kaluar nga policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja. Për 20 minuta ka zgjatur protesta në qendër të Zubin Potokut dhe pastaj protestuesit kanë bllokuar rrugën magjistrale dhe e gjitha ka përfunduar në mënyrë të qetë", tha zoti Muhamenti.

Ndryshe, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, në shenjë pakënaqësie, serbët e veriut të Kosovës kishin djegur pikat kufitare në Jarinë dhe Zubin Potok

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG